Aksidentet, tragjedi për njerëzit, rutinë për policinë

462
Sigal

TIRANË- Vazhdojnë të përgjaken rrugët nga aksidentet automobilistike me pasojë viktima, ndërkohë që, banorët ndjehen tashmë të pasigurt për jetën jo vetëm, kur ndodhen në kryqëzime, semaforë, por dhe në trotuare e më në thellësi… Ndërsa për policinë, aksidentet po bëhen një punë e përditshme rutine: Numëro viktimat, evident e dokumento shkaqet, arresto apo shpall në kërkim drejtuesit e automjeteve! Sipas statistikave, në harkun e 24 orëve, bilanci i aksidenteve është: Katër viktima dhe 4 të plagosur. Për një vend si Shqipëria dhe numri i popullsisë, ky është një bilanc lufte. Një bilanc shqetësues që kërkon urgjentisht analizë nga drejtuesve të policisë, deri tek titullari i Ministrisë së Rendit. Në të kundërtën, me këtë situatë duhet të japin dorëheqjen, t’u lënë vendin atyre që kanë gatishmërinë dhe profesionalizmin për ta bërë një gjë të tillë. Aksidenti i fundit, me dy të vdekur, njëra grua dhe një të plagosur(Perlat Godaj nga Durrësi) ndodhi në orën 21:00 të ditës së mart në aksin Levan-Vlorë, pasi makina ra në kanal. Ndërsa aksidenti tjetër me dy të plagosur, që ndodhi dje në Krujë është kryer nga automjeti i një prej funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit, përkatësisht i Niko Brahimajt, Drejtor i Policisë së Qarkut të Lezhës. Zyrtarisht konfirmohet se: “Makina e Drejtorit të Policisë së Lezhës ka përplasur një motor, duke shkaktuar një të plagosur”. Aksidenti ka ndodhur në Krujë në afërsi të Thumanës, ndërsa mësohet se makina e kryepolicit Niko Brahimi drejtohej nga shoferi i tij. I aksidentuari ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Një ditë më parë, u shënuan dy aksidente të tjera, me pasojë dy të vdekur dhe 3 të plagosur rëndë. Në aksidentin e ndodhur në Durrës, para një shkolle humbi jetën një 7-vjeçare dhe u plagos shoqja e saj. Ndërsa në aksidentin e ndodhur në Fier, në aksin Levan-Tepelenë, humbi jetën një person dhe u plagosën dy të tjerë. Bilancet e aksidenteve, numri dhe viktimat, përbëjnë një shqetësim tepër serioz. Është e pafalshme që përballë kësaj situate, të heshtë shoqëria civile, të heshtin faktorët e tjerë të komunitetit. Së pari, të ‘shkunden’ ata që paguhen me paratë e taksave të shqiptarëve për të siguruar rend e qetësi!