Aksident i rëndë në Berat, përmbyset kamioni me pllaka guri, plagoset shoferi 35-vjeçar

643
Sigal

Një kamion që transportonte pllaka guri është përmbysur dhe ka përfunduar në një kanal në fshatin Bogovë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit por është mbajtur e fshehur nga vetë pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ, të cilët kanë lëvizur automjetin e aksidentuar nga vendngjarja dhe kanë transportuar të plagosurin në Spitalin Rajonal të Beratit pa njoftuar policinë.

Shoferi i plagosur, 35-vjeçari Fatjon Rama, nuk ka treguar për aksidentin por ka thënë në spital se kishte rënë nga muri i shtëpisë.

I plagosuri Fatjon Rama është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën pasi ka pësuar shumë fraktura në trup. Bllokimi prej muajsh i Malit të Tomorrit nga forca të shumta policie që nuk lejojnë vijimin e punës së firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ edhe pse këta të fundit kanë fituar të drejtën e fillimit të punës nëpërmjet një vendimi të Gjykatës Administrative të Apelit, ka bërë që firmat të punojnë natën.

Ngarkimi i kamionëve gjatë natës dhe qarkullimi i tyre në rrugë të vështira për të dalë në fshatin Bogovë është bërë shkak për aksidentin e rëndë që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Për shkak të rrugës së shkatërruar, kamioni ka rrëshqitur nga një lartësi rreth 5 metër dhe ka përfunduar në kanalin në anë të rrugës në Bogovë.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut Berat bëjnë me dije se ngjarja është mbajtur e fshehur nga vetë pronarët e firmave, të cilët jo vetëm që nuk kanë njoftuar për ngjarjen por edhe kanë prishur vendin e aksidentit të rëndë.