Abuzuan me detyrën, Prokuroria e Fierit dërgon për hetim 5 ish-zyrtarë të ALUIZNI-t

62

Pesë ish-zyrtarë të ALUIZNI-t janë dërguar për hetim, pasi është konstatuar se gjatë detyrës së tyre kanë kryer shkelje ligjore. Prokuroria e Fierit pas përfundimit të hetimeve ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre ndaj Arjan Hasanit, ish-drejtor rajonal i ALUIZNI-t, Fier, Anesti Dhima, ish-përgjegjës, Ridvan Beqiraj, ish-përgjegjës, Luiza Balla, ish-përgjegjëse dhe Marjana Zisi, ish-përgjegjëse.

 AKUZAT

Pesë ish-zyrtarët e Aluizni-t do të përballën me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Akuzat për ish zyrtarët vijnë pas kryerjes së hetimeve, ku janë konstatuar shkelje dhe parregullsi gjatë ushtrimit të detyrës. Konkretisht, ish-drejtori rajonal i ALUIZNI-t, Fier, Arjan Hasani dhe 4 ish përgjegjësit Anesti Dhima, Ridvan Beqiraj, Luiza Balla dhe Marjana Zisi akuzohen se, në kundërshtim me ligjin, kanë legalizuar një objekt në një zonë që ka rrezik permanent përmbytjeje dhe, në bazë të ligjit “Për Legalizimet…”, është e ndaluar kategorikisht të jepet leja e legalizimit.

 HETIMET

Prokuroria e rrethit Fier ka nisur hetimet lidhur me 5 ish zyrtarët e ALUIZNI-t, pas një konflikt ligjor ndërmjet dy familjeve, ku njëra familje ka legalizuar një objekt në një tokë, pronësinë e të cilës e pretendon një familje tjetër. Pas hetimeve u konstatua që asnjë prej këtyre familjeve nuk ka të drejtë për pronësinë mbi objektin. Sipas hetimeve, legalizimi është bërë në kundërshtim me ligjin, por edhe për legalizimin që është kryer në kundërshtim me ligjin dhe si pasojë 5 ish-zyrtarët e ALUIZNI-t, mbajnë përgjegjësi ligjore dhe janë dërguar për gjykim.