Abuzoi seksualisht me 2 të mitur, në pranga 76-vjeçari

411
Abuzimet me fëmijët fatkeqësisht janë fenomene që përsëriten herë pas here në vendin tonë. Këto fenomene shfaqen për shumë arsye e shpeshherë nuk denoncohen dhe nuk bëhen publike, për të ruajtur familjen e viktimës nga turpi apo paragjykimi. Rasti më i fundit është regjistruar në kryeqytet, ku një 76-vjeçar dyshohet se ka abuzuar seksualisht me dy të mitur. Ka qenë njëri prej tyre ai që në komisariatin nr. 2, më datë 17.10.2015, ka denoncuar këtë abuzim.
Pas marrjes së denoncimit nga i mituri, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Hazer D., lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, i martuar, i padënuar, me arsim katër klasë. Sipas njoftimit të policisë, ai ka konsumuar elementët e veprës penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me persona të pazot për t’u mbrojtur”.
Të miturit e abuzuar janë E. G., 15 vjeç dhe R. G., 15 vjeç. Burime pranë policisë Tiranë thonë se i arrestuari i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se nuk i njeh fare dy djemtë. Në kallëzimet e tyre të miturit kanë sqaruar se 76-vjeçari Duraku ka kryer marrëdhënie homoseksuale kundër dëshirës së tyre muajin e fundit, në mënyrë sistematike. Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për ndjekje të mëtejshme. Përveç të miturve, të shokuar nga kjo ngjarje kanë mbetur edhe prindërit e tyre.
Sigal