613 kg kokainë, ‘arrest me burg’ për shoferin dhe menaxherin e kompanisë së bananeve

571
Gjykata e Krimeve të Rënda sapo ka dhënë masën e sigurisë për dy të arrestuarit e dyshuar për trafikimin e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit, Donald Lushajn dhe Armando Pezakun.
Maks Haxhiaj, avokati i Donald Lushaj, deklaroi pas vendimit se “Lushaj nuk ka post drejtues në kompani. Ai është vetëm një punonjës që paguhet me 25 mijë lekë në muaj. Po ashtu, nuk ka asnjë përgjim ndaj tij, prokuroria nuk paraqiti asnjë provë kundër tij.”
LEXO EDHE:
Paniku i kokainës: Porti i Durrësit kalon në skaner edhe kamionët frigoriferikë
Si u arrestuan me 28 shkurt 2018, Lushaj dhe Pezaku: Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.
Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.
Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.
Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.
Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.
Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.
Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:
– D.L, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;
– A.P, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.
Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.
Sigal