6 kg heroinë nga Durrësi në Bari, ‘zbërthehet’ korrieri nga Elbasani: Detyra ime, ta dërgoja “mallin” në Itali

73
Kapja e 6 kilogramëve heroinë në portin e Barit në Itali pasi kaluan nga Shqipëria, është bërë shkak për nisjen e hetimeve në të dyja vendet.
Policia italiane në Portin e Barit zbuloi lëndën narkotike, e cila po transportohej nga një shtetas shqiptar i identifikuar deri tani me inicialet A. T. Bllokimi i drogës që arriti në Itali, me një makinë që kaloi nga Durrësi, është bërë shkak për nisjen e hetimeve në lidhje me ngjarjen.

Hetuesit kanë thënë se automjeti është skanuar me pajisjet përkatëse në dalje nga porti i Durrësit, por lënda narkotike nuk është zbuluar. Ky është dhe momenti kryesor e kyç i hetimit, pasi është e pashpjegueshme se si heroina u zbulua në Itali ndërsa në Durrës nuk u konstatua, edhe pse verifikimi u bë me pajisjet e specializuara kufitare.

Droga është gjetur në një automjet “Volkswagen”, i cili ishte nisur nga Durrësi në orën 23:00 të së dielës me tragetin DurrësBari. Automjeti ka kaluar pikat e kontrollit në portin e Durrësit dhe është imbarkuar në traget, por në mëngjes droga është zbuluar gjatë kontrollit nga policia italiane.

Pavarësisht kapjes së lëndës narkotike në portin e Barit, policia shqiptare nuk dha asnjë njoftim në lidhje me ngjarjen. Megjithatë, mësohet se ky rast u përcoll me shqetësim nga strukturat e Policisë në Tiranë, ku është dhënë urdhër që ngjarja të verifikohet dhe të nxirren të gjitha përgjegjësitë.

Vetëm gjatë periudhës shkurt-mars 2017 nga porti i Durrësit rezulton të kenë kaluar në Itali ngarkesa mbi 10 tonë kanabis, të cilat nuk janë zbuluar dhe nuk janë penguar në asnjë rast.

HETIMET
Pas kapjes në portin e Barit me sasinë e heroinës, shtetasi që drejtonte automjetin është arrestuar në flagrancë. Ai më pas u mor në pyetje në polici në lidhje me ngjarjen. Mësohet se gjatë dëshmisë së tij, i arrestuari ka pohuar para hetuesve të policisë italiane se e kishte marrë drogën në qytetin e Elbasanit.

Shtetasi shqiptar ka thënë se detyra e tij ishte ta dërgonte “mallin” deri në Itali dhe më pas nuk dinte çfarë do të ndodhte, pasi është kapur nga policia. Për këtë rast pritet që autoritetet policore shqiptare dhe prokuroria të komunikojnë me palën italianë për të sqaruar rrethanat e kalimit të lëndës narkotike nga Shqipëria nëpërmjet portit të vendit tonë.

Burimet nga hetimi thanë se telefonat celularë të shqiptarit të arrestuar po ekzaminohen për të zbardhur gjithë kontaktet e tij. Po kështu është duke u verifikuar pronësia e automjetit në të cilin ishte fshehur lënda narkotike.

Nga ana tjetër, pritet që i arrestuari me akuzën e trafikut të drogës të merret në pyetje përsëri në lidhje me mënyrën se si ka arritur të kalojë në portin e Durrësit. Hetime pritet të zhvillohen edhe në Elbasan, ku i arrestuari ka thënë se mori lëndën narkotike.