570 kilogramë drogë në Qafë Thanë, pas fshihet një organizatë e fuqishme kriminale. Pranga 7 personave

349
Sigal

570 kilogramë kanabis mendohet se ka qenë sasia e drogës së sekuestruar nga policia gjatë një aksioni antidrogë të zhvilluar në afërsi të Pikës së kalimit Kufitar të Qafë Thanës gjatë të mërkurës. Ndërkohë 7 persona janë arrestuar deri tani dhe një është shpallur në kërkim.

E gjithë sasia në fjalë e lëndës narkotike sipas burimeve ishte e fshehur në shasinë e një furgoni mallrash me ngjyrë të bardhë. Ky mjet transporti dyshohej se  do të kalonte fillimisht në shtetin fqinj të Maqedonisë nëpërmjet Pikës së kalimit Kufitare të Qafë-Thanës, ndërsa destinacioni përfundimtar nuk dihet ende.

Pas bllokimit të furgonit të mbushur me drogë u  shoqëruan për në Drejtorinë e Policisë Vendore të Elbasanit disa persona, ndër ta dhe drejtuesi i mjetit me ngarkesën prej 570 kg kanabis sativa. Mjeti me targë AA 356 NA që po transportonte më shumë se gjysëm tonelate drogë rezulton  të jetë në pronësi të një biznesi fasonerie nga Qarku  i Fierit.

Sipas burimeve, në operacionin antidrogë të zhvilluar gjatë kësaj mesjave morën pjesë policia e Elbasanit si dhe forcat speciale. Ato e ndaluan furgonin me drogë jo shumë larg Pikës së kalimit Kufitar e me Maqedoninë. Pasi e kishin mbajtur në vëzhgim të rreptë që nga  vendi nga ku ishte nisur me ngarkesën. Hetimi sipas burimeve zyrtare është shtrirë në qarqet e Elbasanit dhe të Fierit.

Dyshohet se pjesë e këtij rrjeti është një organizatë kriminale me fuqi të madhe ekonomike. Aktualisht janë identifikuar disa persona të përfshirë në trafikun e sasisë prej 570 kg kanabis sativa disa prej të cilëve dyshohet se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut drogës nga Shqipëria.