5 punonjës të ARMO-s japin alarmin, ja çfarë kërkojnë prej 27 muajsh

624
Që prej qershorit të vitit të kaluar, mbahen me shpresën se një ditë do të çojnë në shtëpitë e tyre paratë e punës, presin një përgjigje nga përgjegjësit
Kompania ARMO e cila prej vitit 2015 ka shpallur falimentin, vazhdon të jetë në konflikt me punonjësit e saj, për mospagesat mujore. 25 punonjës të kësaj kompanie me vendndodhje në afërsi të Pusit të Mezinit në Vlorë, prej 27 muajsh nuk janë paguar dhe, sipas tyre, gjendja sa vjen dhe vështirësohet. 

Një nga punonjësit e ARMO-s, ka marrë guximin dhe ka folur për këtë problematikë, e cila i shoqëron prej qershorit të vitit të kaluar. Ardian Spahiu tha për gazetën “Telegraf” se punon në këtë kompani prej 25 vitesh, por dy vitet e fundit janë kthyer në një “ferr” për të dhe familjen e tij. “Jemi pjesë e ARMO-s ose ndryshe TPD. Jemi me kontratë të rregullt punësimi, individuale dhe kolektive. U bënë plotë 27 muaj që 25 punonjës të kësaj kompanie me degë në Vlorë, nuk jemi paguar. Kontratat i kemi firmosur në 30 qershor 2016. Ndonëse jemi munduar të kemi kontakte me drejtuesit, nuk kemi zgjidhur asgjë:, thotë Spahiu për “Telegraf”. Më pas ai shton se përpjekjet kanë qenë të shumta. Kanë arritur të kërkojnë takim dhe me ministrin Damian Gjiknuri. “6 herë e kemi takuar ministrin Damian Gjiknuri. Në të gjitha rastet na ka premtuar se kishim të drejtë dhe se paratë na takonin. Kemi kryer takime edhe me zv/ministrin e Gjiknurit Ilir Bejte. Të njëjtat fjalë na ka thënë. Madje Gjiknuri na mbushi mendjen që ne t’i drejtohemi gjykatës për të fituar të drejtën tonë”, tha Spahiu. Nuk e kanë lënë vetëm në diskutime. Punonjësit i janë bindur fjalës së Gjiknurit dhe kanë bërë një padi në gjykatë. Padia është regjistruar në qershor të vitit të kaluar dhe në 29 shtator të këtij viti ata kanë fituar të drejtën e fitimit të 27 rrogave mujore të pa marra. “Ne e fituam gjyqin. Kemi në dorë vendimin e gjykatës, por as në këtë rast nuk na është dhënë e drejta jonë. Kemi shkuar tek drejtori i ARMO-s në Ballsh si tek ai që tashmë është larguar dhe tek ky që sapo është emëruar Jetnor Aliaj. Na ka thënë se kemi plotësisht të drejtë. Por nga ana tjetër, nuk ka çfarë të bëjë. Ngre shpatullat. Ne vazhdojmë të punojmë rregullisht”, shprehet punonjësi i ARMO-s. Për të ka pasur vetëm premtime dhe asgjë konkrete. “Ne na kanë gënjyer duke na dhënë nga një kafshatë bukë tek tuk. Deri tani kemi marrë vetëm 6 rroga nga 22 mijë lekë të reja në bankë. Asnjë lekë tjetër. Unë rrogë e kam 566 mijë lekë të vjetra, por nuk e di, nëse do i marr ndonjëherë. Të gjithë fshihen. Edhe ministri që na premtoi tani fshihet. Nuk dimë se ku të drejtohemi për të gjetur të drejtën”, thotë ai. Por, çfarë punë bëjnë konkretisht 25 punonjësit që nuk janë paguar prej 27 muaj? Qendra e punës së tyre është tek Pusi i Mezinit, aty ku janë vendosur 7 çisterrna me nga 5 milionë litra naftë secila. Kjo naftë magazinohet te këto çisterrna, pasi vjen me vapor në portin e Vlorës. Vaporët me botet ankorohen dhe nafta përmes tubacioneve thithet dhe futet në çisterrnat. Më pas, kjo naftë bruto që vjen nga vende të tjera në emër të kompanive të ndryshme në vendin tonë, ngarkohet në bote dhe dërgohet në Rafinerinë e Përpunimit të Naftës në Ballsh. Pra e gjithë puna që bëjnë 25 punonjësit në Pus të Mezinit ka të bëjë me transportin dhe magazinimin e naftës. Por pavarësisht punës që ata vazhdojnë të bëjnë dhe fitimeve të majme që kanë kompanitë e përpunimit të naftës në vend, punonjësit vazhdojnë të jenë në pritje të pagesës së tyre. 
Sigal