5 nga 8 të akuzuar për klonim kartash lihen në burg

466
Gjykata e Tiranës lë në burg 5 nga 8 anëtarët e bandës së të rinjve që klononin karta krediti.
Trupi gjykues vendosi sot masat e sigurisë për 8 persona, 6 prej të cilëve të ndaluar pak ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, të dyshuar për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, pasi nëpërmjet kartave të klonuara kanë tërhequr shuma të konsiderueshme parash në bankomatet e një banke të nivelit të dytë.
Gjykata i konsideroi të ligjshëm urdhërat e ndalimit të Prokurorisë dhe vendosi masat e sigurisë për shtetasit, si më poshtë:
1. D.Ç, “arrest në burg”, në mungesë
2. Denilson Dusha, “arrest në burg”
3. Marius Shehi, “arrest në burg”
4. Sajmir Krasnaj, “arrest në burg”
5. Klodjan Kukli, 15 ditë “arrest në burg”
6. Egli Kukli, “detyrim për paraqitje”
7. Besmir Kollçaku, “detyrim për paraqitje”
8. Andi Hylviu, “detyrim për paraqitje”
Tërhiqnin lekë me karta të klonuara, u zbuluan në karburant
Prokuroria e Tiranës kishte nxjerrë pak ditë më parë urdhër ndalimi për disa persona, të dyshuar se kanë konsumuar veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, pasi, nëpërmjet kartave të klonuara, kanë tërhequr shuma të konsiderueshme parash nga bankomantët e një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.
Këta shtetas, me banim në Lushnje dhe Kavajë, pasi kanë fallsifikuar karta debiti (tërheqje parash) kanë tërhequr shuma të ndryshme në bankomate në Lushnje, Kavajë dhe Durrës dhe i kanë shpenzuar ato për blerje karburanti për automjetet e tyre ose për sende të tjera.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin në bazë të informacionit të mbërritur nga selia qendrore e bankës së nivelit të dytë në Tiranë, e cila kishte konstatuar ndërhyrje të paligjshme në sistemin e saj, nëpërmjet një karte amerikane.
Nga verifikimet e saj, banka ka krijuar dyshime se karta amerikane ishte e klonuar dhe nëpërmjet saj po tërhiqeshin shuma të konsiderueshme.
Nga hetimi rezultoi se personat, për të cilët është nxjerrë urdhër ndalimi, kanë tentuar të kryejnë transaksione (tërheqje) edhe nga disa karta të tjera, por këto tentativa kanë rezultuar të pasuksesshme.
E vetmja kartë që u ka funksionuar ka qenë ajo me të dhëna amerikane (të fallsifikuara), të cilën krahas bankomatëve, e kanë përdorur edhe në disa pika karburanti në zonën e Lushnjes dhe Kavajës.
Pikërisht, nga të dhënat e përftuara në këto pika karburanti, është arritur të zbulohen personat e dyshuar. Këta shtetas, gjatë periudhën qershor-korrik 2015, kanë furnizuar me karburant mjetet në pronësi ose në disponim të tyre në disa pika karburanti në vlerë disa milionë lekë, nëpërmjet pagesës me kartë.
Po ashtu, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ky grup personash ka tërhequr shuma të konsiderueshme edhe nga bankomatët.
Në vijim të hetimit, nga ana e Prokurorisë së Tiranës po punohet për të saktësuar shumën e plotë të marrë prej tyre nëpërmjet klonimit të kartave të debitit.
Sigal