4 vrasjet, Akuza: Burg përjetë Xhuvanit: 10 ditë të mbrohem!

498
Sigal

TIRANE – Burg përjetë! Këtë dënim ka kërkuar Prokuroria e Tiranës për Konstandin Xhuvanin, të vënë nën akuzë për vrasjen e katër personave më 4 Nëntor të vitit 2014 në një lokal nate në Tiranë. 

Në seancën e sotme gjyqësore të zhvilluar këtë të martë, 25-vjeçari ka kërkuar 10 ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen përballë dënimit ekstrem që organi i akuzës kërkoi.

Në seancën e kaluar, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Xhuvanit për gjykim të shkurtuar, çka do të thotë se me pranimin e saj dhe me një proces të shkurtuar, Xhuvani i shpëton burgut përjetë.

Seanca e radhës ndaj Konstandin Xhuvanit do të mbahet më 23 Shkurt ku pritet që avokati të paraqesë argumentet e të riut për të mos marrë dënimin me burg të përjetshëm.

Konstandin Xhuvani është djali i ish-deputetes të Partisë Socialiste Luiza Xhuvani dhe regjistori të njohur Gjergj Xhuvani. Ai u arrestua mëngjesin e 4 nëntorit të vitit 2014, pasi kishte vrarë me armë 4 vetë në lokalin e natës Ante Grand pranë ambasadës amerikane. Mes personave që humbën jetën ishin dhe shoku i tij, Arbër Demiraj, 19 vjeç. Plumbave nuk i shpëtuan as Enea Xhaj, Edison Jaho dhe italiani Paolo Azzola.