38-vjecari u vetëdogj me benzinë pas ndarjes nga e fejuara, vajza rrëfen çfarë ndodhi me Olgertin

515
Pas vdekjes në mënyrë tragjike të 38-vjeçarit Olgert Miho, i cili u vetëdogj me benzinë në shenjë hakmarrjeje për ndarjen nga ishe fejuara, kjo e fundit ka zbardhur marrëdhënien mes tyre dhe shkakun që e detyroi atë t’i jepte fund kësaj fejese, raporton “Panorama”.

D. Ismailanji është marrë në pyetje dje nga Policia e Korçës, ku ka rrëfyer me detaje çfarë kishte ndodhur mes çiftit, çka dyshohet të jetë bërë shkak për tragjedinë.

“Kishim pesë vite të fejuar. U përpoqëm të ndërtonim jetën tonë në Tiranë. Fillimisht ishim shumë të lumtur dhe gjithçka shkonte mirë, por gradualisht ai nisi të bëhej xheloz dhe sa vinte e kjo gjë rëndohej. Nuk po duroja dot më, çdo gjë që unë bëja kthehej në një arsye për t’u grindur. Olgerti bëhej xheloz për çdo gjë. U kthye në një marrëdhënie që nuk funksiononte më. Xhelozia e tij ishte e tepruar, akuzat për tradhti dhe të tjera më shtynë drejt ndarjes. Ishte një vendim i vështirë sepse unë e doja, kisha bërë shumë plane për jetën tonë së bashku, por u lodha, nuk duroja dot më. U grindëm dhe unë i komunikova vendimin tim për t’u ndarë. Ai nuk e priti mirë, por gjithsesi unë e kisha vendosur”, është shprehur në polici D. Ismailanji.

Sipas saj, edhe pas ndarjes Olgerti kishte bërë përpjekje për t’u ribashkuar, por ajo ishte e vendosur për t’i dhënë fund dhe nuk e kishte pranuar.

“Kishim më se një muaj të ndarë nga njëri-tjetri. Gjatë kësaj periudhe Olgerti më kishte kërkuar që të ktheheshim bashkë, por unë e kisha vendosur të ndahesha. Nuk e prisja kurrë që ai të bënte një veprim të tillë, nuk e mendoja kurrë”, është shprehur në polici 30-vjeçarja.

Sipas të dhënave, ajo nuk ka shkuar në varrimin e ishtë fejuarit të saj. Pasi ka vizituar të motrën në spital mësohet se ajo ka qëndruar në Korçë me familjen e saj, por për të evituar ndonjë incident të mundshëm me të afërmit e 38-vjeçarit ka vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë mortore. Ngjarja ku Olgert Miho i dha fund jetës ndodhi dy ditë më parë. Ai u ngjit në pallatin ku jetonte ish-vjehrra e tij dhe dyshohet se në gjendje të dehur është spërkatur me benzinë, duke i dhënë vetes flakë.

“Rreth orës 05:30, në lagjen nr.18, në Korçë, është vetëdjegur me benzinë në banesën e ish-vjehrrës së tij shtetasi O.M., 38 vjeç, banues në Korçë.

Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas në sheshpushimin e pallatit ka lyer veten e tij dhe më pas një pjesë të sasisë së lëndës djegëse (benzinë) e ka hedhur poshtë derës së banesës, brenda së cilës ndodheshin ish-vjehrra, shtetasja D.Ç., 58 vjeçe, si dhe ish-kunata e tij, shtetasja G.I., 28 vjeçe.

Për pasojë, shtetasi O.M. ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Gjithashtu ka marrë djegie trupore shtetasja G.I., e cila ndodhet në Spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve, si dhe është djegur pothuajse e gjithë hyrja e apartamentit në pronësi të 58-vjeçares”, bëri të ditur dje Policia e Korçës.
Sigal