300 euro për të falsifikuar dokumentet për azil, në pranga dy persona

496
Në sajë të operacionit të koduar “Azilanti”, ka vënë në pranga dy persona, mes tyre kryetarin e Komitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare, i cili në këmbim të një shume parash jepte vërtetim, me qëllim për të kërkuar azil në vendet e BE-së. Në pranga kanë rënë dy shtetas, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv, korrupsion pasiv dhe falsifikim të dokumenteve. Të arrestuarit janë Ndrec Prenga, 64 vjeç, banues në Durrës, Kryetar i Komitetit të Ndërmjetësimit për Bashkëjetesë Kombëtare dhe Sabahet Manuka, 65 vjeçe, banuese në Tiranë. Në afërsi të Ish-Doganës në Tiranë, 65-vjeçarja u kap në flagrancë duke i dhënë 300 euro Ndrec Prengës, në këmbim të një vërtetimi fakti që i ka dhënë ky i fundit, me qëllim për ta përdorur për të kërkuar azil në vendet e BE-së. Ndrec Prenga është person me precedent të mëparshëm penal, i dënuar për të njëjtën vepër penale.
Sigal