“3 persona u therën dhe u groposën”, publikohet dokumentari tronditës për mafian shqiptare

498
Sigal

Është publikuar mbrëmjen e djeshme në kanalin Tv Nove dokumentari “Clandestino” i gazetarit investigativ spanjoll David Beriain mbi mafien shqiptare. Dokumentari ishte paralajmëruar prej javësh, dhe  përshkruan mafien shqiptare si “një organizatë brutale dhe efiçente që ka marrë udhë gjatë viteve të luftërave ballkanike”.

Në dokumentar thuhet se ishin fillimisht një grup i vogël që më pas mori gjallëri duke përdorur dhe përfituar nga lidhjet me qarqet politike për t’u angazhuar në trafikimin e drogës, armëve dhe njerëzve.

“Lobi shqiptar është i mbyllur – thotë ai – dhe prej të cilit shumë pak dihet dhe për herë të parë hap derën për një gazetar”. Më poshtë është një pjesë nga dokumentari kur një nga trafikantët pret në brigjet italiane ngarkesën e 5 kg kokainë me skaf nga Shqipëria.

“Pse vetëm 5 kg?” – e pyet gazetari.

“Është më e lehtë që një njeri të transportojë 5 kg” – përgjigjet trafikanti që shton: “Nëse humb një person nuk më intereson. Nëse humbas 100 kg më intereson shumë”.

“Më fol për mafian shqiptare” – i kërkon gazetari.

“Eshtë si familja. Nuk flitet për të. Unë nuk flas për familjen time” – thotë i riu me fytyrë të mbuluar.

Gjatë intervistës, “i arratisuri” tregon sikletin e tij para kamerave, duke mbajtur një pistoletë dhe dy granata dore në çdo moment. E vërteta është se ai pranoi të merrte pjesë për shkak se shefi i mafias me të cilin gazetari dhe ekipi i tij po regjistronte ia kërkoi si nder. Në fund ai u bëri të qartë të gjithë të pranishmëve kur i tha lamtumirë Beriainit: “Faleminderit atij që të solli, sepse po të ishte për mua tani unë do t’ju vrisja të gjithëve “.

Më poshtë një tjetër video që tregon një person që falsifikon dokumenta për shqiptarët gjë që i jep mijëra euro. Shqiptarët paguajnë 5 mijë euro për të pasur një pasaportë europiane për t’u larguar nga ky vend. Një biznes i majmë dhe ky me një fitim prej 600 mijë euro në vit.

“Hakmarrja për shqiptarët është një detyrim i jetës. Vrasja e një të afërmi, siç thuhet në ligjin e Kanunit, kërcënon me vdekje të gjithë meshkujt e familjes së vrasësit”, thuhet në dokumentar.

“Është pikërisht kjo, karakteristikë kryesore e organizatave kriminale shqiptare. Ato janë formuar në bazë të lidhjeve familjare dhe nga një kod i pashkruar i nderit dhe hakmarrjes” – thuhet më tej.

Në dokumentar tregohet si funksionon biznesi fitimprurës dhe marramendës i trafiqeve ilegale të mafias shqiptare drejt Italisë e Europës. I infiltruar në brendësi të këtyre grupeve gazetari spanjoll rrëfeu trafikun e kokainës, marijuanës, heroinës, armëve, pasaportave false, bombave artizanale, lidhjeve me mafian napoletane “Camorra” përmes dëshmive ekskluzive të anëtarëve të mafias shqiptare dhe asaj italiane.

Davide Beriarin e nisi udhëtimin në brigjet italiane, aty ku pothuajse çdo ditë mbërrijnë përmes detit kokainë, heroinë, marijuanë, por edhe armë.

“Grupet mafioze shqiptare janë të organizuara në bazë familjesh, lidhje gjaku dhe fisnore që respektojnë kodin e Kanunit. Nuk ka një kupolë drejtuese, por çdo grup ka kreun e tij” –thuhet në dokumentar.

Më pas rrëfimi spostohet në Shqipëri ku mes maleve e vendeve të fshehta ku kultivohet marijuana e ku merren në dorëzim sasitë e kokainës e heroinës. Një prej personave që ruan një plantacion thotë se nga kjo fitohet 5 deri 6 milionë euro, por nga ajo fitojnë të gjithë nga kultivuesit dhe ata që e transportojnë.

Heroina e transportuar nga Turqia hyn në Shqipëri përmes kufirit me Kosovën. Kokaina që vjen nga Amerika Latine ndalet në Roterdam dhe më pas vjen në Shqipëri për tu hedhur në të gjithë Europën. Gazetari spanjoll zbulon se prej kohësh një anëtar i një prej familjeve mafioze të “Camorra” ndodhet në Shqipëri.

Në emrin e sajuar Simone dhe me fytyrë të fshehur ai drejton gazetarin në një prej rrugëve ku do të dorëzohet sasia e heroinës së kërkuar.

“50-80 kg heroinë në javë, dhjetëra kilogramë kokainë, qindra kilogramë marijuanë. Fitimet janë të paimagjinueshme. Për klientët e besuar dhurohet për çdo ngarkesë droge një kallashnikov që në Shqipëri blihet për 300 euro, ndërsa në Itali mbi 1500 euro”– thuhet në dokumentar.

“Mu desh kohë, rrëfen Simone, të fitoj besimin e shqiptarëve. Po gabove vetëm një herë ata të vrasin. Nuk duhet të gabosh kurrë se e paguan me jetën. Shqiptarët nuk mendohen dy herë për të vrarë” – rrefen gazetari.

Një tjetër shqiptar me emrin e koduar “Denis”është një prej organizueseve të trafikut të marijaunës me skafe drejt Italisë. Ai rrëfen për krime makabre ndaj kujtdo që ka provuar të luaj në mënyrë të pistë me mafian shqiptare.

“3 persona u therën copë-copë dhe u groposën se tradhtuan”, thotë një grua që shton: “Nëse je pjesë e mafias shqiptare nuk del më kurrë.”

“Mafia shqiptare terrorizon Europën, por që dhe i jep Europës atë që kërkon, drogën”, – e mbyll dokumentarin e tij gazetari investigativ spanjoll Davide Beriarin.