250 euro dënim ose 13 ditë burg, kosovarit që rrahu gruan me shuplaka

493
Për kapjen për flokësh e shuplakat e dhëna ndaj tani më ish- bashkëshortes, kosovari N.N. do të paguajë shumën prej 250 euro me urdhër të Gjykatës. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për ta gjobitur me 250 euro për sulmin ndaj bashkëshortes.
Sipas prokurorisë, tri vjet më parë, saktësisht më 8 dhjetor 2014, në ora 19:00, në banesën e tij në Prishtinë, i pandehuri, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me bashkëshorten e tij, me dashje ka përdorur forcë fizike ndaj saj.
Ai pretendohet të ketë kapur bashkëshorten e tij për flokësh e më pas ta ketë goditur atë me shuplaka, me ç‘ rast tek e dëmtuara është shkaktuar ndjenja e ankthit, frikës dhe pasigurisë.
Kallxo.com ka kontaktuar me viktimën e cila ka treguar edhe për pasojat fizike të cilat i janë shkaktuar atë ditë. Edhe pse ngjarja ka ndodhur vite më parë, viktima kujton secilin detaj nga dita kritike e dhjetorit të 2014- ës.
“Qysh ma ka hi, faqen zi e kom pas; krejt flokët mi patë hekë t`u mi ngreh”, kujton viktima.
Fatkeqësisht, sulmi i asaj dite nuk qe i fundit për të. Viktima pretendon se dhuna fizike e psiqike ka vazhduar edhe më pas, për çka edhe aktualisht janë në proces gjyqësor.
Vendimi për dënimin me gjobë është marrë në nëntor të këtij viti, derisa rasti ka ndodhur në dhjetor të vitit 2014, pra kjo përveç se tregon se Gjykatës i janë dashur afër 3 vite që të marrë vendimin, vërehet qartë se rastet e kësaj natyre nuk merren me prioritet.
Më tej, në aktgjykimin të cilin e posedon Kallxo.com, theksohet se nëse i akuzuari nuk dëshiron ose nuk mundet ta paguaj gjobën, gjykata mund t’ia zëvendësoj dënimin me gjobë në dënim me burg, duke ia llogaritur një ditë burgu në vlerë prej 20 euro të gjobës, që i bie afër 13 ditë.
Edhe pse pagesa në shumë prej 250 euro tingëllon më mirë se burgu, me sa duket i dënuari do të përfundojë brenda qelisë së burgut.
Kjo pasi që ai tani e sa muaj nuk ia ka paguar ish- bashkëshortes së tij ushqimin e fëmijës në shumë prej 150 euro.
Më 27 korrik të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë vendimin që babai i fëmijës të paguaj 150 euro për muaj për ushqimin e tij, gjë të cilën nuk e ka bërë.
Kallxo.com kishte kontaktuar me të dënuarin dy muaj më parë dhe ai kishte thënë se “s’ka pare”.
Aktualisht janë bërë 5 muaj që nga koha kur N.N. duhej t`i paguante gjithsej 1250 euro për ushqimin e djalit të tyre, tani më me vendim të plotfuqishëm.
Edhe pse vendimi i marrë nga Gjykata është konform dispozitave ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, një dënim i tillë është mjaft i ulët dhe jo parandalues, siç ka ndodhur në rastin konkret. Kundër aktgjykimit për dënimin me gjobë, i pandehuri ka të drejtë ankese brenda afatit ligjor.
Sigal