24 orë arrati nga shtëpia, dy kushërirat: Ikëm nga inati i prindërve, s’na kushtonin vëmendje

478
“Ikëm nga shtëpia për inat të prindërve, sepse nuk na kushtonin vëmendjen e duhur. Donim që ata ta kuptonin se sa të rëndësishme jemi në familje. Tashmë e kanë kuptuar se dhe ne jemi pjesë e familjes”. Kështu deklaruan në polici, dy kushërirat 15 e 16 vjeçe, nxënëse të shkollës “Bajram Curri” në plazhin e Durrësit, të cilat u larguan nga banesat e tyre për 24 orë. Pas denoncimit të babait të 16-vjeçares me inicialet A.R., adoleshentet janë dorëzuar në policinë e Lushnjës, qytetin ku po qëndronin prej një dite, ndërsa më pas ato kanë dëshmuar para oficerëve të çështjes, nën praninë e psikologes. Vajzat treguan më tej arsyet e largimit, që sipas tyre kishin të bënin më shumë me vëmendjen që ato kërkonin brenda shtëpisë.

“Natën e kaluam në një hotel në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, më pas morëm autobusin e shkuam deri në qytetin e Lushnjës. Atje kemi folur në telefon me kushëririn tonë, që bëmë të mundur edhe dorëzimin në polici. Nuk na llogarit njeri në shtëpi. Na thonë ‘pusho’ për këtë e ‘qepe gojën’ për këtë gjë. Të dyja bashkë si kushërira, sajuam sikur do të iknim në Angli, por nuk ka asnjë të vërtetë rreth largimit në atë shtet. Shkruam një letër, por këtë e bëmë nga inati i prindërve”, – pohuan vajzat në prani të psikologes.
Fill pas marrjes në pyetje, dy kushërirat janë marrë nga prindërit, të cilët kanë qenë mjaft të shqetësuar gjatë arratisë së tyre 24-orëshe. Për policinë e Durrësit largimi i adoleshentëve është bërë fenomen normal, pasi ata kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes, jo vetëm në shoqëri, por edhe në familje.

Burime policore deklarojnë se në shumë familje zëri i të rinjve nuk dëgjohet dhe ata bëjnë veprime të çuditshme, derisa largohen nga shtëpia, për t’u kujtuar prindërve se edhe ata kanë të drejta në familje, si çdo pjesëtar tjetër. Një rast i ngjashëm ishte dhe ai i motrave Kajtazi, të cilat u arratisën pa lënë gjurmë për një muaj nga banesa. Dy vajzat u larguan pasi vodhën kursimet në familje dhe i vunë zjarrin shtëpisë së prindërve, ndërsa më herët kishin hedhur ilaç gjumi në ushqimin e prindërve dhe të motrës më të madhe. Pas sagës së arratisë, Klevisa dhe Orialda Kajtazi u gjetën nga policia e Vlorës.
Sigal