22-vjeçari rrëmben të miturën, polici “hero” shpëton vajzën

473
Sigal

Një 9-vjeçare në Fier ka përjetuar disa minuta tmerri pasi është rrëmbyer nga një 22-vjeçar, ndërsa mbahej peng vetëm 200 metra larg banesës së saj. Ngjarja u shënua pasditen e djeshme në lagjen “Konferenca e Pezës”, ndërsa e mitura është transportuar nga pengmarrësi në lagjen “Liri” ku ai banonte. Ajo është parë rastësisht ndërsa qante mes pallateve, nga një efektiv policie, i cili ndodhej në një tjetër aksion për arrestimin e një grabitësi. Mësohet se efektivi i policisë është përleshur me pengmarrësin, 22-vjeçarin Kristjan Binjaku, i cili është vënë në pranga pak minuta më vonë nga blutë e Fierit.

Ministri Tahiri falënderon policin Bledar Naçi

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri postoi një koment në rrjetin social lidhur me parandalimin e rrëmbimit të një vajze 9 -vjeçare në Qarkun e Fierit. “Sapo pata kënaqësinë dhe nderin të telefonoja për të falënderuar personalisht Inspektorin e Rendit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, z.Bledar Naçi për kurajon dhe vendosmërinë e treguar në parandalimin e rrëmbimit të një vajze të mitur në qytetin e Fierit.  Nuk kam fjalë të përshkruaj shqetësimin e së ëmës së vajzës së vogël. Komunikova personalisht dhe ndjeva frikën e prindit por edhe kërkesën për drejtësi në çdo fjalë të saj. Fatmirësisht, një tragjedi u parandalua falë Bledarit. Faleminderit Bledar! Sot je shembull për të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit. Djem si ti i bëjnë nder Policisë dhe na japin shpresën se ky vend mund të bëhet vërtetë vendi ku mbizotëron paqja, forca e ligjit dhe drejtësia. Krenar për ty dhe djemtë si ti në Policinë e Shtetit!