22 të arrestuar për vjedhje të energjisë elektrike

460
Policia në bashkëpunim me OSHEE-në ka vijuar aksionin në të gjithë vendin për parandalimin dhe goditjen e vjedhjes së energjisë elektrike, në parandalimin e ndërtimeve të paligjshme, prerjen e paligjshme të pyjeve, si dhe organizimin e lotarive të palejuara. Në drejtim të parandalimit dhe goditjes së vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 75 grupe të përbashkëta POLICI-OSHEE. Janë kryer 2.432 kontrolle në terren. Gjatë kontrolleve u evidentuan 22 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 22 autorë.
Nga këta, 10 autorë janë arrestuar në flagrancë, 10 autorë janë shpallur në kërkim dhe 2 autorë ndiqen në gjendje të lirë. Në fushën e ndërtimeve të paligjshme, nga ana e Strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 24 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 24 autorë nga të cilët, 6 autorë janë arrestuar në flagrancë, 16 autorë ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 autorë janë shpallur në kërkim. Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve , gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë evidentuar 11 raste me 11 autorë, nga të cilët 5 janë arrestuar në flagrancë dhe 6 ndiqen në gjendje të lirë. Ndërsa në fushën e organizimit të lotarive të palejuara, Policia e Shtetit ka evidentuar 8 raste me 8 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Edhe në javët në vazhdim, Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme.
Sigal