18-vjeçari shantazhon të dashurën, i merr 6 mijë euro

433
Një i ri nga Durrësi ka rënë në prangat e policisë pasi ka shantazhuar ish-të dashurën 18-vjeçare. Argjend Ajdini e ka kërcënuar vajzën se do t’i nxirrte video intime në internet, video të cilën e kishte regjistruar me telefon.
Nën kërcënimin e publikimit të videos me përmbajtje intime, i riu Argjend Ajdini dyshohet se i ka marr ish-të dashurës shumën e rreth 6 mijë eurove si dhe i ka grabitur dhe disa bizhuteri me vlerë.
Vajza S.B., në denoncimin e saj thotë se paratë ia ka dhënë ish-të dashurit të saj gjatë periudhës korrik-gusht të këtij viti, periudhë kur i riu e vizitonte në shtëpinë e saj ish-të dashurën.
“Kemi qenë të dashur, më ka shantazhuar me një video intime. Paratë i ka marrë pjesë-pjesë prej meje, unë ua merrja prindërve, pasi më bënte presion që do të publikonte në YouTube videon që kishte xhiruar. Videon e ka bërë nga fillimi i vitit. Më thoshte do t’u tregoj të gjithëve që je e dashura ime. Më pas, në muajt e verës kur mbaroi shkolla vinte në shtëpinë time. Në shtëpi më ka vjedhur bizhutë dhe sendet me vlerë. Unë kisha frikë. Prindërve nuk u kam treguar se ku i çova paratë. E gjithë çështja është se pasi më grabiti bizhutë, nuk mund ta duroja dot më. Donte para prej meje, dhe kur unë s’kisha t’i jepja, më shantazhonte me video”, ka deklaruar S.B., në polici.
Deklarata e vajzës është mbështetur edhe nga babai i saj, i cili bën me dije se paratë janë zhdukur në mënyrë të mistershme dhe ai kishte dyshime se i vidhte vajza e tij, megjithëse vetëm tani e ka mësuar të vërtetën. “E binda vajzën që ta denonconte në polici këtë djalë mashtrues, i cili e ka mashtruar dhe vjedhur paratë e sendet. Unë kërkoj si prind që të vihet drejtësi”, ka thënë babai i vajzës.
Ndërsa vetë 18-vjeçari ka pranuar se ka xhiruar vajzën me celular, dhe e ka mbajtur për një kohë të gjatë një video intime të së dashurës kurse paratë thotë se ia ka marrë pasi kishte borxhe për të shlyer.
Por, nëna e 18-vjeçarit Ajdini ka deklaruar para oficerëve të policisë se nuk e njeh fare vajzën e cila ka denoncuar të birin. “Nuk e njoh, djali ka shumë shoqe, është i ri, si çdo moshatar i tij. Unë nuk kam qenë në dijeni të gjithë kësaj ngjarjeje për të cilën akuzohet im bir. Por dyshoj mos është ndonjë mashtrim, apo kurth që i ngrihet tim biri”, ka dëshmuar 45-vjeçarja.
Sigal