18 vjeçari gjermano-iranian kishte probleme psikike

607
18-vjeçari gjermano-iranian, i cili qëlloi për vdekje në një qendër tregtare në Mynih së paku 9 vetë ndodhej në trajtim psikiatrik dhe kishte probleme në shkollë. Policia konfirmon se atentati nuk kishte sfond terrorist. Mynihu në gjendje shoku. Nëntë vetë vriten në qendrën tregtare në Mynih, në fund atentatori vret veten, 27 të tjerë të plagosur, 10 prej tyre rëndë, ku ndodhet edhe një 13 -vjeçar, tha policia. Ndër viktimat flitet edhe për tre kosovarë, sipas burimeve të Deutsche Welle-s, humbja e jetës së tre të rinjve nga Kosova konfirmohet nga policia. Shumica e viktimave janç të rinj. Policia konfirmoi të shtunën se atentati nuk ka lidhje me të ashtuquajturin “Shtet Islamik”, dhe nuk ka pasur sfond terrorist. Edhe shërbimet sekrete amerikane kanë konfirmuar se autori i krimit ishte shiit, dhe nuk ka pasur lidhje me IS-in.
Pas kontrollit në shtëpinë e vrasësit, policia konfirmon se mund të flitet për sulm amoku. Autori ka qenë në trajtim psikologjik për shkak se ka vuajtur nga depresioni. Duket se gjermano-iraniani ka pasur probleme në shkollë dhe nderonte autorin e sulmit amok të kryer nga një i ri në një shkollë gjermane, në Vininden, ku humbën jetën 15 vetë, më 11 mars 2009. Në kompjuterin e tij janë gjetur lojëra kompjuterike të dhunshme.
E premtja e zezë e Mynihut
Të premten në mbrëmje, policia foli për gjendje terrori. 2.300 forca policore u përfshinë në aksion. Mynihu ndodhetjnë gjendje të jashtëzakonshme. Autobusët dhe metrotë ndaluan qarkullimin. Stacioni kryesor i trenit në Mynih u evakua. Njerëzve u këshillohej përmes sistemit të paralajmërimit “Katwarn” të qëndrojnë në shtëpi e të mos dalin në rrugë. Për orë të tëra nuk dihetj se sa atentatorë janë dhe ku ndodheshin ata? Policia dha vetëm gjatë natës sinjalin e kalimit të rrezikut: Sipas informacioneve të saj, atentatori 18-vjeçar gjermano-iranian ka vepruar i vetëm dhe në fund ka vrarë veten.
Të shtunën herët presidenti i policisë së Mynihut, Hubertus Andrä doli para shtypit. Hetuesit gjermanë janë të bindur: 18 vjeçari është ai që qëllon i pari në një restorant në orët e para të mbrëmjes, pastaj ai përdor një pistoletë në një qendër tregtare dhe kërkon të largohet. Policë në civilë kërkojnë ta arrestojnë dhe qëllojnë, e paqartë është ende, nëse atentatori u godit në këto moment. Kufoma e tij u gjend një kilometër larg qendrës tregtare në një rrugë anësore. Aty u sigurua edhe pistoleta e autorit të krimit.
Sigal