10 muaj burg biznesmenit që vrau dy persona një vit më parë

428
Dhjetë muaj burg ka caktuar Gjykata e Tiranës për biznesmenin që akuzohej për një vrasje të dyfishtë në dhjetor 2014. Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin e çështjes penale ndaj Flamur Ymerit, biznesmenit që qëlloi për vdekje me armë zjarri dy persona të maskuar e të armatosur brenda në banesën e tij, në dhjetor 2014. Biznesmeni Ymeri u deklarua fajtor për akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe u dënua me 1 vit e 3 muaj heqje lirie. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj tij shkoi në 10 muaj heqje lirie. Sipas gjykatës, i pandehuri Ymeri ka zhdukur disa armë që janë përdorur në vendin e ngjarjes, duke penguar kështu zbardhjen e plotë të mekanizmit të saj. Edhe pse u dënua me burg, biznesmeni Ymeri nuk ka për t’u kthyer në qeli. Sipas gjykatës, dënimi i tij është shlyer me kohën kur ai ka qëndruar në “arrest në burg” e më pas në “arrest shtëpie”.
Sigal