Privatësia e privatizuesve

1144
Sigal

Sami Lushtaku është ku e ku më autentik në sharjet e tij. Lushtaku është mu ashtu siç shprehet. Ia shan nënën Grabovcit, i cili nuk ia kthen atij por shan të tjerët dhe mandej bashkohen të dy duke e sharë Jakup Krasniqin. Lushtaku nuk bëhet si diçka tjetër a dikush tjetër. Gjuha e tij ia shpalos qenien atij. Mirëpo, ndryshe qëndron puna me vetë Grabovcin dhe me Thaçin. Ata nisin bisedën në italisht. Jo në gjermanisht apo anglisht, gjuhë këto që i kuptojnë dhe i flasin deri diku, por në italisht, gjuhë kjo që nuk e dinë. Atëherë, cili është kuptimi i bisedës në italisht? Pse bash italisht e jo në një gjuhë tjetër? Kur e dëgjon në tërësi bisedën gjithsesi sqarohet plotësisht kjo çështje: Thaçi e Grabovci imitojnë mafiozët italianë. Gjuha e tyre nuk i shpërfaq ashtu siç janë, por ashtu siç duan të jenë – personazhe të filmave të Scorseses apo Coppolas. Gjuha e tyre nuk zbulon qenien e tyre por projektin që ata kanë për qenien e tyre. Janë mafiozë por ende jo në nivelin e dëshirueshëm që e aspirojnë. Menjëherë pas publikimit të këtyre bisedave, reagoi Qeveria. Ajo jo vetëm që e dënoi publikimin e përgjimeve, por edhe i quajti ato të falsifikuara. Më tej, Qeveria tha që publikimi i përgjimeve të tilla të fabrikuara bëhet me qëllim të shantazhimit të personaliteteve institucionale dhe jetës së tyre private dhe se kjo paraqet vepër të kundërligjshme dhe të dënueshme. Për më tepër, vazhdon reagimi i Qeverisë së Kosovës, ‘veprimet e kësaj natyre janë përpjekje e drejtpërdrejtë e mekanizmave të caktuar vendorë dhe disa ndërkombëtarëve për të shantazhuar dhe sabotuar bartësit institucionalë dhe funksionimin normal të institucioneve tona shtetërore’. Në fakt, këtu kemi të bëjmë me kërcënim të Qeverisë e jo me shantazh ndaj saj. Sepse Qeveria po demaskohet e nuk po shantazhohet. Shantazhi funksionon pikërisht duke mos i publikuar incizimet. Tash që u publikuan, nuk ka më shantazh. Natyrisht, nëse nuk ka edhe biseda të tjera, e duket që ka, prandaj Qeveria mbase nuk reagoi shumë për atë që u bë sa për atë që mund të bëhet – publikimi i bisedave të tjera, njësoj kriminale në mos edhe më shumë, njësoj të pahijshme në mos edhe më të pamoralshme se kaq. Kur EULEX-i deklaroi që ata e kanë bërë përgjimin dhe se incizimet janë të tyre, Qeveria heshti dhe nuk u zu më në gojë fabrikimi a falsifikimi i bisedave telefonike. Si për të na e konfirmuar që Qeveria ka hall veçse veten e saj, ajo insistonte në shpërqendrimin e vëmendjes nga sjelljet e saj mafioze dhe nga fakti që janë duke u hetuar, drejt privatësisë së tyre të cenuar. Njëmend, dolën në publik biseda private, mirëpo këto biseda kishin të bëjnë me interesin publik siç është puna e punësimeve në administratën shtetërore dhe në bordet e agjencive të pavarura. Nuk ka më privatësi aty kur bëhet fjalë për rehatimin në vend pune të dajës së Adem Grabovcit apo vendosjes diku tjetër të Shkëlzenit meqë s’qenka e mundur në bordin që, sipas fjalëve të kryeministrit, i kënaq mediat. Kjo Qeveri e kriminalizuar tash na hiqet edhe si viktimë, mirëpo nuk është aspak pasive si viktimë që shtiret. Në mbledhjen e saj të fundit, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Përgjimin e Telekomunikimeve. Zëvendëskryeministri Kuçi deklaroi që secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet ‘ta ndiej veten të sigurt, në një ambient ku siguria dhe privatësia e tij personale dhe familjare dhe e banimit të jetë e siguruar me ligji’. E gjithë kjo pikërisht në kohën kur u publikuan bisedat skandaloze, me ç’rast Qeveria thirret tash në qytetarin dhe privatësinë e tij ndërkohë që përmbajtja e atyre bisedave e tregon shumë qartë se sa shumë brengoset kjo Qeveri për qytetarin. Fundja, ne nuk kemi parë që kryeministri Thaçi t’i ketë shkruar letër Baroneshës Ashton atëherë kur rrezikohet Kosova apo interesat shtetërore, por vetëm tani që po rrezikohet vetë ai, pra personi i tij. Thaçi thirret në mbrojtjen e privatësisë që është ‘vlerë e njohur e demokracisë evropiane dhe ndërkombëtare’ porse a nuk është vlerë edhe më e lartë mbrojtja e publikes, përkatësisht luftimi i nepotizmit dhe korrupsionit? Politikani që merr postin e kryeministrit të vendit ndodhet aty që ta mbrojë interesin publik para se atë privat, apo jo? E nëse ai e mbron interesin privat edhe atëherë (dhe mu atëherë) kur e shkel interesin publik, dorëheqja është më e pakta që duhet të bëjë. Nuk është se qytetarët nuk e kanë ditur që kemi të bëjmë me pushtetarë prej mafiozësh. Çështja është që nuk kanë menduar që gjendja është kaq e pashpresë. Derisa nuk i kishin këto dëshmi intime të të folurit mafioz, mbase njerëzit kishin një shpresë sado të vogël. Pas këtyre dëshmive, nevojitet tepër shumë vetëmashtrim që të kesh edhe një minimum shprese. Injoranca dhe pafytyrësia që lulëzojnë në shprehjet dhe sjelljet e këtyre pushtetarëve, në imagjinaren kolektive të qytetarëve, i kthen ata në kriminelë ordinerë.

Njerëzit në Kosovë i kanë menduar pushtetarët që na sundojnë si disa kriminelë të jashtëzakonshëm e ca më të sofistikuar, porse ata dolën të jenë fare ordinerë. Qytetarëve të Kosovës po ju vjen turp qysh nuk po ju vjen turp këtyre politikanëve. Bisedat telefonike që u publikuan të enjten e shkuar provuan që trekëndëshi informativ Thaçi-Grabovci-Veseli sundon me shtetin e Kosovës duke ia pamundësuar atij demokracinë dhe drejtësinë. Këta njerëz që e kanë kapur shtetin e Kosovës, që e privatizuan shtetin edhe si pasuri edhe si institucione, sigurisht që tash kërkojnë t’iu mbrohet privatësia.