Marketingu dështak për Shqipërinë

1063
Marketingu dhe Lobingu njihen si fuqi bindëse për të ndërmarrë një veprim. Bota nuk ka më motor lëvizës vetëm paranë, por dhe idetë. Idetë, të cilat sundojnë dhe vënë në lëvizje këdo dhe gjithçka për të ndërmarrë një veprim. Dhe veprimet merren kur bindja është shumë e fortë. Para disa ditësh revista Britanike ‘The Economist’ botoi në tetë faqe të sajat, shkrimin: “Shqipëria, vendi lider i reformave në Rajonin e Ballkanit”. Nëse do të ishte ky shkrim një konstatim, do ndiheshim krenarë si komb. Por ky shkrim zgjoi zemëratën në popull dhe na bëri të dukemi qesharak para “Botës” që donim të bindnim për arritjet e paarritura. Lobimi është fusha e vështirë dhe lehtë mund të besohet. Pasi, psikologjikisht, individi, beson gjithçka që është e ngjashme me të vërtetën. Në të kundërt nuk besohet asgjë. Dhe kompanisë “Quantum Production”, e cila është agjencia zyrtare e marketingut të revistës ‘The Economist’, është kompania që është marrë me realizimin e këtij shkrimi, me keqardhje i themi se dështoi pastër dhe dukshëm në këtë përcjellës. Kjo, pasi Shqipëria dhe shqiptarët e dinë mjaft mirë, se deri ku ka ecur dhe çfarë hapash ka realizuar. E di tashmë audienca mjaft mirë se deri ku mund të besohet dhe deri ku mbetet një material i shpërndarë si për 1 prill. Dhe ky i takon kësaj dite. Dështoi, pasi nuk transmetoi asnjë konstatim. Një shkrim subjektiv lehtë se mund të besohet. Vlen të lavdërohet që shqiptarët nuk e besuan gënjeshtrën e radhës. “The Economist”, nuk e fshehu faktin që ky shkrim, ishte një shkrim i paguar. Dhe jo me një pagesë të lirë, por plot 360 milionë lek të vjetra. (të paktën kaq kanë thënë deri më tani). 

Duhet theksuar se marketingu paguhet dhe ka një tarifë të lartë. E sa më i lartë të jetë çmimi, aq më shumë të bukura janë fjalët që thuhen në këtë shkrim. Sigurisht që në atë shkrim të mirat do të thuhen, pasi reklamat nuk mund të kenë dhe anti reklamën brenda, sepse në të kundërt nuk ka logjikë. Në këtë hapësirë dedikuese për Shqipërinë dhe reformat që ka realizuar qeverisja nga Kryeministri Edi Rama, nuk u tha gjë tjetër, veçse u pa fare qartë se synimi i këtij shkrimi ishte të ftonte investitorët e huaj të vinë në Shqipëri. E sigurisht në fushata lotimi dhe marketingu, thuhen vetëm anët e mira dhe këtë e dimë mjaft mirë. Por, në këtë rast nuk mundi të gënjehej publiku shqiptar nga gjithçka që po e përjeton mbi supe çdo ditë. Ky marketing nuk u mirëprit nga shqiptarët sapo morën vesh që këto fjalë të bukura ishin të paguara dhe jo të vërteta. Marketingu dështoi 100% në këtë rast, dhe nuk gjeti përkrahje aspak nga publiku shqiptarë. Ne, mbase kemi arritur të bëjmë reforma, mbase kemi pasur shtim të ekonomisë, mbase kemi hapur vende pune, mbase kemi lehtësuar procedurat dhe kemi përmirësuar klimën e biznesit në vend, mbase i kemi arritur, por a janë ndjerë këto në popull? Dhe për aq kohë sa populli nuk i ka ndjerë, përse thuhet ka reformë dhe ka rritje të përmirësimit të jetesës? A është ky shkrim një material identifikues dhe përfaqësues i realitetit që jetojnë sot ne shqiptarët? Një shkrim, i cili përpiqet të rregullojë edhe imazhin e Shqipërisë në Botë. Por imazhi nuk arrihet vetëm me marketing, por edhe me punë diplomatike, me hapa konkretë dhe realizime të vërteta. Nuk jam kundra reklamave. Madje një vendi po nuk i bëre reklamë dalëngadalë do të fillojë të humbasë edhe nuk do të njihet më. Por kjo reklamë ishte e dedikuar rreth fjalëve dhe jo praktikës. Për të kërkuar një imazh të mirë duhet dhe një punë e mirë. Shqipëria ka një histori të gjatë luftërash dhe pushtimesh. Por reforma themelore, e cila duhet me patjetër të bëhet është që qeveritë, të cilat vijnë në pushtet: “Të sigurojë kushtet minimale të jetesës, ushqim dhe shkollim. A e kanë menduar ndonjëherë se kriminaliteti vjen edhe nga mungesa e dijes, nga mungesa e shkollimit, nga njerëzit me strese, nga ata në pamundësi ekonomike…? Po pra, këta kontingjente zbatojnë ligjin e xhunglës: Mbijeton më i forti. Nuk mjaftojnë as paratë e as fjalët. Por punë, punë, punë. Këtë njeh edhe kupton Europa dhe Bota. Ne na pëlqejnë fjalët e mira dhe të bukura, por gënjeshtrat aspak!
                                                                                                                                                                               Klaudia Malaj
Sigal