“Universiteti Marin Barleti”, është universiteti i vetëm i ekselencës

1514
Intervistë me zv/rektoren e “Universitetit Marin Barleti” Prof. As. Dr. Zamira Çavo: Na veçon serioziteti, profesionalizmi, cilësia dhe fryma e bashkëpunimit
UMB ka tashmë 11 vjet në tregun e arsimit shqiptar. Nuk janë shumë vite kur i krahason me qindra vite që kanë universitetet e tjera në Evropë. Është universitet i ri për tregun e arsimit në Evropë, por për arsimin shqiptar një dhjetëvjeçar i ka mjaftuar të profilizojë fytyrën e tij. “Universiteti Marin Barleti” ka si qëllim të përgatitë studentë të një niveli të lartë, që të mund të realizojnë synimet e tyre profesionale brenda dhe jashtë vendit e, mbi të gjitha, të zhvillojnë pasionet dhe interesat e tyre në funksion të komunitetit ku jetojnë dhe punojnë. 
Synimi është të ofrojë mundësi më të gjera drejt një formimi shumë-disiplinor, në mënyrë që studentët të kultivojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përmirësuar produktivitetin e organizmave të ndryshme ku do të përfshihen, me qëllim që t’u ofrojnë atyre shërbim dhe udhëheqje cilësore. 
– Tashmë në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm universitetesh privatë, cila është e veçanta e UMB që e dallon atë nga universitet e tjerë?
Është e vërtetë që universitetet private janë shtuar dhe secili ka veçorinë e tij. “Universiteti Marin Barleti” ka një cilësi që deri tani nuk e ka asnjë universitete tjetër. Është universiteti i ekselencës! Dhe këtë nuk e themi ne që punojmë në këtë institucion, por e thotë Agjencia Ndërkombëtare e akreditimit (agjenci kjo britanike) e cila u kontraktua nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, për të akredituar universitetet shqiptare. Sot që po flasim ne jemi i vetmi universitet, përfshij këtu dhe universitetet publike, që jemi vlerësuar maksimalisht nga kjo agjenci në të pestë standardet e kërkuara ndaj dhe kemi marrë akreditimin 6 vjeçar ! Na veçon serioziteti, profesionalizmi, cilësia dhe fryma e bashkëpunimit!
– Në këtë rrugëtim, cilat ishin sfidat dhe rezultatet e UMB, që e kanë bërë atë të evidentueshëm në raport me universitet e tjerë?
UMB ka tashmë 11 vjet në tregun e arsimit shqiptar. Nuk janë shumë vite kur i krahason me qindra vite që kanë universitetet e tjera në Evropë. Jemi universitet i ri për tregun e arsimit në Evropë, por për arsimin shqiptar një dhjetëvjeçar na ka mjaftuar të profilizojmë fytyrën tonë. Dua të them që nuk ka qenë madje edhe nuk është një rrugë e lehtë për tu përshkuar. Kemi patur shumë vështirësi e pengesa, sa ligjore aq edhe politike. Por mbi të gjitha mungesa e rregullave të drejta të konkurrimit, mungesa e zbatimit me rigorozitet të ligjit mbi Arsimin e Lartë, na kanë penguar në punën tonë. Po ti shtojmë këtyre dhe opinionin jo fort pozitiv që vazhdon të sundojë për universitetet private, them se kemi kapërcyer sfida që janë vërtetë të forta. Në 11 vjet kemi arritur të krijojmë emrin tonë në fishën e arsimit të lartë, dhe të krijojmë një qëndrueshmëri të cilësisë sonë akademike. Sot mund të them pa modesti që studentët tanë , të cilët kanë ndjekur faza të tjera të studimeve jashtë vendit, jo vetëm janë pranuar duke iu njohur bachelori tek ne, por kanë shkëlqyer më tej në edukimin e tyre profesional! Ne sot kemi dy fakultetet me disa degë nga më të kërkuarat në treg. Kemi fakultetin e Drejtësisë shkencave sociale dhe politike dhe fakultetin e ekonomisë dhe shkencave të aplikuara. E them me krenari se degë të tilla si Shkencat politike, IT, Drejtësi, Financë Kontabilitet apo dhe arkitektura dhe Sporti kanë tashmë një emër të dukshëm në universitetet tona shqiptare. Sot rreth 76% e studentëve që kanë mbaruar tek ne janë në punë dhe madje kanë reflektuar një përgjegjshmëri dhe formim mjaft të kënaqshëm.
-Si zbatohet Sistemi i Bolonjës në UMB pasi ka pasur mjaft probleme në sistemin e lartë arsimor ky sistem, fakt ky që është pohuar nga profesorë të Universiteteve të ndryshme. A përputhet me ciklet e studimit të këtij sistemi universiteti juaj?
Ne kemi zhvilluar disa konferenca shkencore në lidhje me këtë sistem. Ne bëjmë pjesë dhe në rrjetin e universiteteve të kësaj karte. Por sigurisht ne mbështetemi në Ligjin tonë të Arsimit të Lartë dhe veprojnë në përputhje me të. Ka degë si Drejtësia që sivjet do “dalë” nga kuadri i organizimit 3+2 duke u zhvilluar si një cikël studimi i integruar 5 vjeçar. Po kështu funksionon dhe dega e arkitekturës. Pra zbatojmë Bolonjën duke ndjekur me shumë vëmendje dhe ndryshimet që pëson kjo Kartë por edhe veçoritë që sjell organizimi i legjislacionit shqiptar!
-Cila ishte arritja më e madhe e UMB në këtë vit akademik? Çfarë vlerësimesh dhe bashkëpunimesh keni pasur?
Arritja më e madhe është padyshim numri i studentëve të vlerësuar me pikët maksimale që na nderojnë. Por gjatë këtij viti ne kemi patur mjaft vente pozitive kulmore. Morën akreditimin maksimal nga Agjencia Britanike, zhvilluam dy konferenca ndërkombëtare një në fushën e Shkencave politike dhe një në fushën e sporteve dhe edukimit sportiv. Kjo e fundit është konferenca e parë e këtij lloji në Shqipëri. Janë zhvilluar dhe katër minikonferenca të të rinjve në degë të ndryshme. Këto kanë në bazë studentin dhe kërkimet që vijnë nga vetë studentët. Ndërkohë kemi shtuar radhët tona me një emër të madh botëror Dr. Ismail Serageldin, drejtorin e Universitetit të Aleksandrisë, të cilin e nderuam me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”. Ky personalitet është autor i mbi 100 librave të botuara nga universitetet më në zë të botës!
-Tashmë UMB me dy kampuse, kush është e veçanta e secilit kampus? Si janë kushtet e mësimit dhe baza materiale në raport me kërkesat e kohës?
Ka vite që ne e zhvillojmë aktivitetin tonë mësimor në dy kampuse. Në Kampusin 1, zhvillohen studimet e nivelit bachelor në shumicën e programeve që ofrojmë. Në Kampusin 2 zhvillon mësim dega e sporteve pasi aty janë të gjitha kushtet që e ndihmojnë këtë proces. Ndërsa pasdite zhvillon mësim cikli master profesional dhe master shkencor në të gjitha degët që kemi linçuar në faqen tonë të Webit www.umb.ed.al. Sigurisht që zhvillojmë mësim në mjedise me parametra bashkëkohorë dhe mjaft lehtësuese për studentin.
– Cili është mendimi juaj për administratorin e UMB, z. Gafur Dudaj, i cili është frymëzuesi i këtij universiteti?
Z Gafurr është themeluesi i këtij Universiteti dhe duket pak e çuditshme se si një njeri që vetë nuk e ka mbaruar Universitetin u përkushtua kaq seriozisht në ngritjen e një institucioni të tillë prestigjioz. Por e them me bindje se, vetëm vizioni, pasioni dhe përkushtimi i këtij njeriu ka mundësuar ecjen me “vrap” të këtij universiteti dhe ka ruajtur të pacenuar cilësinë e tij. Z Gafurr është njeriu që i ka qëndruar universitetit “larg” porsa i përket punës së përditshme dhe fytyrës së tij si institucion, por afër porsa i përket kërkesave tona, halleve dhe problemeve që na kanë dalë në rrugën tonë. Është Fat që njerëz të tillë kanë vënë shpirtin dhe pasurinë e tyre në një shërbim kaq të vyer për njerëzit siç është arsimi.
-Cilat janë problemet e studentëve që vijnë në vit të parë, që për ju sjellin punë diferencuese për plotësimin e boshllëqeve? A kane njohuri stabile studentët që vijnë nga gjimnazet, apo vijnë me shumë boshllëqe dhe nota fiktive?
Sigurisht ka probleme. Madje ndonjëherë janë edhe të shumta. Në vitin e parë ne bëjmë një grup lëndësh që i quajmë “core curicula” të cilat synojnë tu japin të gjithë studentëve të vitit të parë një shkallë formimi të njëjtë . Ky formim ka të bëjë me lënde të formimit të përgjithshëm por që ndihmojnë më tej dhe formimin sipas degëve. Këtu punojmë më shumë duke synuar por edhe siguruar që në semestrin e dytë studentët të mos kenë më ndryshimet e dukshme të formimit të tyre kur vijnë ditën e parë në mjediset tona universitare.
– Cilat janë sfidat që ju presin në vitin e ri akademik 2017-18?
Sfidat mbeten të shumta. Mbi të gjitha sivjet kemi fokusuar vëmendjen në praktikat e studentëve me synim përmirësimin e aftësive të tyre për tregun e punës. Kjo është një sfidë që besoj do e fitojmë. E dyta ka të bëjë me kërkimin shkencor. Ne po punojmë seriozisht për të ndërtuar një model të kërkimit shkencor që do ti ndihmojë të ardhmes së vendit. Shpresojmë t’ia dalim. Të tjerat që kanë të bëjnë me aktivitetin tonë të përditshëm mbeten në fokusin e ditës pasi duam ta mbajmë të pacenuar emrin si “universitet i ekselencës”
Sigal