“Shqipëria, ende në fazë zero të të kuptuarit të kriptomonedhave”

120

Flet Elio Pashaj, Bashkëthemelues i “Blockchain Western Albania”:

(vijon nga numri i kaluar)

Krijimi dhe zbatimi i një kuadri rregullator për kriptomonedhat në një vend si Shqipëria ku ka shumë pak individë që i kuptojnë, përbën rrezik më vete. Elio Pashaj, bashkëthemelues i “Blockchain Western Albania” shprehet se është ende herët për një nismë të tillë dhe vendi ynë ka nevojë që të krijojë një bazë fillestare për këtë lloj tregu e më pas të përcaktojë rregullat. Ai nënvizon se Shqipëria në të ardhmen mund të kthehet në një vend atraktiv për këtë lloj tregu sepse ka disa faktorë favorizues ose mund të ofrojë politika favorizuese, por për të shkuar këtu, duhet t’ia nisë një herë nga “a”-ja, që është stabilizimi i një tregu fillestar.

 Sa i njohin sot shqiptarët kriptovalutat në vend, sipas perceptimit tuaj nga ajo që hasni gjatë takimeve që bëni?

Në Shqipëri, kriptomonedhat kanë filluar të njihen në masë të gjerë, edhe pse shumica e personave që janë të interesuar, nuk kanë besim për të bërë investime në to, pasi i shohin si skema piramidale. Kjo vjen si pasojë e mungesës së informacionit që kanë ndaj teknologjisë Blockchain mbi të cilën zhvillohen kriptomonedhat. Për të rregulluar këtë hendek informacioni, Blockchain Western Albania, një komunitet jofitimprurës, ka ndërmarrë shumë nisma, duke zhvilluar shumë meet-up apo evente në prezantimin e kësaj teknologjie dhe përfitimeve të të pasurit Kriptomonedha në vendin tonë. Ideja është që Shqipëria të bëhet një hub (nyje) teknologjik në këtë aspekt, duke tërhequr edhe investimet e huaja. Janë bërë seminare në shkolla të mesme dhe universitete, për t’i prezantuar të rinjtë me këtë teknologji dhe sesi t’i kuptojnë më mirë Kriptomonedhat, pasi në të ardhmen mund të kemi një Kriptomonedhë shqiptare. Pjesa më e madhe që ka besim dhe ka bërë investime në Kriptomonedha janë të moshës 25-35 vjeç, ku rreth 30-40% e këtyre kanë bërë investime.

 

A është momenti për të pasur një kuadër rregullator që rregullon pjesën e kriptovalutave në Shqipëri?

Nuk është ende momenti për të pasur një kuadër rregullator që rregullon pjesën e kriptomonedhave në Shqipëri, pasi implementimi i tyre kërkon një informacion të detajuar sesi funksionojnë apo rreziqet që hasen. Shqipëria është ende në fazën 0 të të kuptuarit të kriptomonedhave, është rrezik tepër i lartë të zbatosh një kuadër rregullator në një vend me 3 milionë banorë, në të cilin maksimumi vetëm 1 mijë banorë mund të merren me kriptomonedha. Fillimisht duhet bërë një plan-zbatim në shtrirjen dhe përkrahjen e bizneseve të vogla për pranimin e pagesave me kriptomonedha dhe më vonë, mund të kalohet në përkrahjen e komuniteteve të Blockchain dhe Kriptomonedhave që merren me edukimin e personave ndaj këtyre fushave dhe hapi i tretë është implementimi i teknologjisë Blockchain në sistemin shkollor për t’u thelluar më tej. Nëse zbatohet një kuadër rregullator, ai duhet të bëhet në një moment kur tregu i Kriptomonedhave të jetë stabilizuar dhe kjo mund të dojë disa vite në Shqipëri.

 A mund të kthehet Shqipëria në një treg tërheqës për këtë pjesë duke tërhequr investitorët?

Po, Shqipëria mund të kthehet në një treg shumë atraktiv për investitorët pasi kemi shumë faktorë që na favorizojnë. Pikë së pari, jemi vend në zhvillim dhe kërkojmë të thithim sa më shumë investime. Si mund të kthehet Shqipëria në një treg atraktiv? Mund të përmend faktin që duke qenë një vend me një orientim të qartë drejt turizmit, mund të ketë një nismë nga ana e qeverisë për të përkrahur resorte, hotele, biznese që të pranojnë kriptomonedha në formë pagesash nga të huajt, të cilët i përdorin gjerësisht në vendet e tyre. Duke qenë një vend që përkrah bizneset e huaja, mund të zbatohen disa politika që lehtësojnë ardhjen e Exchange-ve të Decentralizuara në Shqipëri. Këto exchange bëjnë tregtimin e kriptomonedhave. Mund të ndjekim shembullin e Maltës, ku Binance një nga exchange më të mëdha në botë, e vlerësuar 1 miliard $, u zhvendos në Maltë, për shkak të politikave përkrahëse të asaj qeverie ndaj kriptomonedhave. Edhe në Shqipëri mund të vijnë exchange të tilla, të cilat do ta kthenin vendin tonë në një pasuri teknologjike.

 Cilat janë kriptovalutat më të përdorura apo të njohura sot në treg si Bitcoin apo Ethereum dhe cili është zgjerimi që po marrin ato në pagesa?

Kriptovalutat më të përdorura dhe të njohura për momentin janë Ripple, Ethereum, Bitcoin, Verge, EOS, Stellar ku disa prej tyre kanë vlera relativisht të vogla dhe mund të blesh sasi të madhe. Bitcoin është më e njohura por jo më e përdorura, për shkak të vlerës së madhe që ka. Kjo ndodh si pasojë e investimit të ulët në Bitcoin, sa më e madhe vlera e një Kriptomonedhe, aq më pak sasi mund të zotërosh dhe sado të ketë rritje Bitcoin, përfitimi është i vogël në krahasim me Kriptomonedhat që kanë vlerë të ulët. Zgjerimi që po marrin është shumë i madh, si pasojë e implementimit nga banka apo korporata të famshme në botë. Mjafton të përmendim që industria e makinave, filmave, muzikës kanë ndërmarrë hapa në implementimin e kriptomonedhave, ku shumë persona bëjnë pagesa në kohë reale, duke eliminuar vështirësinë apo proceset burokratike që ofrojnë pagesat përmes bankave.

 Tregu i kriptomonedhave, vlera arrin në 200 miliardë USD, cilat janë kryesoret

Tregu i kriptomonedhave gjatë gjithë vitit 2018 është luhatur në një vlerë kapitalizimi në treg prej 200 miliardë dollarësh. Kjo shumë ndahet mes më shumë se 1600 kriptovalutave, ku pjesën kryesore e kanë vetëm disa prej tyre. Luhatja më e madhe gjatë vitit është vërejtur te Bitcoin që, një vit më parë, arriti në nivelet 21 mijë dollarë ndërsa pak ditë më parë, në fund të tetorit, vlera e saj ra në 6250 dollarë. Por cilat janë disa nga kriptomonedhat e tjera më të njohura në botë. Litecoin (LTC) e hedhur në treg në vitin 2011 është mes kriptomonedhave fillestare pas Bitcoin dhe zakonisht asaj i referohen si pjesa e argjendtë e Bitcoin-it flori. Kjo monedhë u krijua nga një ish-inxhinier i Google. Ethereum (ETH) u hodh në treg në 2015 dhe është një platformë software e decentralizuar që mundëson Smart Contrats (Kontrata të Zgjuara) dhe Aplikacione të Shpërndara që mund të ndërtohen dhe përdoren pa ndërhyje mashtruese, apo kontrolli nga palë të treta. Zcash (ZEC) një kriptomonedhë e decentralizuar dhe me burim të hapur e hedhur në treg në 2016 dhe që duket premtuese. Zcash ofron transaksione transparente dhe private. Dash (DASH) është një variant më sekret i Bitcoin, ofron më shumë anonimitet, pasi punon me një rrjet masterkodi të pavarur që i bën transaksionet pothuajse të pagjurmueshëm. Ripple (XRP) është një rrjet ndërkombëtar që ofron pagesa ndërkombëtare të menjëhershme, specifike dhe me kosto të ulët. U hodh në treg në 2012 dhe u mundëson bankave që të bëjnë pagesa ndërkombëtare në kohë reale, me transparencë të plotë. Monero (XMR) është një monedhë e sigurt, private dhe e pagjurmueshme. Ajo u hodh në treg në vitin 2014 dhe zgjoi interes mes entuziastëve të kriptovalutave. Bitcoin Cash (BCH) mban një vend të veçantë në historinë e kriptomonedhave, sepse është një ndër më të hershmet dhe më të suksesshmet. Në 5 tetor, Bitcoin kishte një kapitalizim në treg prej 1.88 miliardë USD.