Në ditën Kombëtare të Fëmijëve Jetimë

758
Sigal

Një rrëfim i rrallë dhe i sinqertë i Ismail Kadaresë; Ju tregoj fëmijërinë, librin e parë, poezinë e parë, dashurinë për Helenën, nderin e grave gjirokastrite

Ekskluzive nga Albert Z. Zholi

20 Maji njihet ndryshe si dita e fëmijëve jetimë, por vitet e fundit kjo është kthyer në formën e festës dhe ku fëmijëve i dhurohet diçka, por më shumë se dhurata Institucioni Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë kërkon mbështetje nga qeveria për të përmirësuar dhe ndihmuar gjendjen ku ndodhen këta jetimë. Nëpër media është folur shumë, por nisma nuk janë marrë, duke i lënë këta fëmijë në mëshirë të fatit. Çdo ditë nëpër rrugë të Tiranës dhe jo vetëm, ne shohim fëmijë që kërkojnë lëmoshë nga kalimtarët. Ilir Çumani, Drejtor i këtij Instituti të hënën zhvilloi një aktivitet model për sensibilizimin e opinionit për këtë kategori fëmijësh. Një aktivitet që filloi me një takim me shkrimtarin e madh të kombit por edhe atë botëror z. Ismail Kadare me rreth 100 fëmijë jetimë. Në këtë takim Kadare ishte me bashkëshorten Helenën, dhe Presidentin e Shtëpisë Botuese “Onufri” z. Bujar Hudhri. Dhe pse dita ishte e vrenjtur Kadareja si asnjëherë tjetër pasi takoi të gjithë fëmijët, zuri vend në ambientin e jashtëm te “Juvenilia” . Në fjalën e hapjes z, Çumani theksoi:

“Të dashur fëmijë siç e dini sot është dita ndërkombëtare e fëmijëve jetimë. Çdo vit në këtë ditë ne kemi organizuar veprimtari që kanë qëllim sensibilizimin e mbarë opinionit për këtë shtresë. Veprimtari që sjellin vëmendje të shoqërisë shqiptare që të rrisin shkallën e sensibilitetit dhe të vëmendjes pikërisht për atë pjesë të shoqërisë sonë që janë fëmijët pa kujdesej prindërore. Sot është një nder i madh që në këtë aktivitet na nderon me pjesëmarrjen e tij një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar, një personalitet i letërsisë shqipe dhe asaj botërore shkrimtari i shquar Ismail Kadare. Unë sapo ia propozova dëshirën tuaj për t’u takuar me të ai e ka pritur me kënaqësinë më të madhe bashkë me bashkëshorten e tij znj. Helena Kadare. Unë i falënderoj në emrin tuaj dhe të gjithë jetimëve të Shqipërisë. Ai ka vënë kohën e tij në dispozicion për të komunikuar me ju, ku ju mund të bisedoni për gjithçka që ju keni lexuar nga krijimtaria e shkrimtarit dhe në fund fare zoti Kadare ka menduar t’ju bëjë edhe një dhuratë nga librat e tij dhe besoj se do jetë një nga momentet më të bukura dhe një nga kujtimet më të bukura për ju. Kur të kalojnë vitet ju do të kujtoni se kjo ditë mbetet e artë. Unë dua t’i falënderoj dhe një herë zotin dhe zonjën Kadare që erdhën sot mes nesh dhe le të fillojmë që të komunikojmë së bashku”. Menjëherë pas kësaj fjale të z. Çumani fjalën e mori shkrimtari i madh Kadare. Ai theksoi se ndihet vërtet i emocionuar që gjendet sot mes fëmijëve jetimë dhe e priti me kënaqësi ftesën, Ju jeni një kategori theksoi Kadare që duhet gjithmonë të keni kujdesin e shtetit, shoqërisë dhe të gjithë shtresave të popullsisë. Në këto fjalë përshëndetëse zëri i Kadaresë ishte i mallëngjyer dhe plot emocion. Si në ato momente s’e kam parë kurrë Kadarenë në shumë e shumë takime të rastësishme apo në daljet televizive. Ai po përcillte një tjetër cilësi të karakterit të tij, po shpaloste ndoshta si asnjëherë, shpirtin e ndjeshëm anën sociale. Në fund të përshëndetjes Kadare u tha fëmijëve të pyesnin pa droje dhe se ai do përgjigjej natyrshëm, plot sinqeritet, ashtu si sinqeriteti që karakterizon fëmijët në këtë moshë.

 

(Më poshtë do japin pyetjet e fëmijëve dhe përgjigjet e Kadaresë për rreth 45 minuta, të cilave ai u përgjigj pa asnjë hezitim)

-Si lindi dëshira për t’u bërë shkrimtar apo si ‘erdhi’ tek ju letërsia?

Kjo nuk është histori serioze. Është një nga historitë e fëmijërisë. Të gjithë ju që jeni këtu, besoj, se e keni menduar se çfarë do të bëheni shkrimtar, filozof, doktorë etj. Por njerëzit nuk e tregojnë këtë. Ne shkrimtarët jemi të detyruar që ta tregojmë në kuptimin moral. Lexuesit kanë të drejtë që të pyesin se si ka lindur, rritur, kthjelluar dëshira për t’u bërë shkrimtar etj. Unë kam qenë i vogël kur kam menduar ashtu si plot fëmijë të tjerë pa i dhënë peshën e duhur, të bëhesha shkrimtar. Pra mendoja të bëja libra si ato që lexoja në atë kohë. Konkretisht! Isha në një moshë 11-12 vjeçare kur tek disa leximi është shumë i natyrshëm dhe jo shumë i natyrshëm tek disa të tjerë. Unë e doja shumë leximin dhe siç e kam shpjeguar disa herë mua më ra fati që nga librat që më ra në dorë për herë të parë ishte një libër që nuk ishte i përshtatshëm për fëmijët. Është fjala për tragjedinë “Makbeth” të Shekspirit, një libër që më tërhoqi në radhë të parë, se kishte fantazma dhe shtriga. Dhe për fat të mirë më qëlloi një model i jashtëzakonshëm që më ngjalli emocion. U magjepsa pas këtij libri dhe më rrinte mendja që të bëja dhe unë një libër si ky dhe m’u duk shumë e lehtë. Gjëja e parë që bëra ishte se mora një fletore dhe një laps dhe fillova që ta kopjoja me dorë se nuk më shkonte mendja se mund ta gjeja në librari apo në bibliotekë. Aty edhe mund t’i gjeja kollaj. Ka diçka komike në këto fillime në ëndrrën për shkrimtar . Por ky libër i vështirë më udhëzoi në jetë, më dha modelin se duhej të shkruaja. Ju jeni djem dhe vajza adoleshentë dhe keni një fantazi të zhvilluar, juve mund t’ju mungojnë shumë gjera, por jam i sigurt se juve nuk ju mungon fantazia, ëndrrat, mendimet dhe opinionet që keni.

-Kush ishte shkrimi juaj i parë dhe kur e keni botuar?

Shkrimi i parë i imi në atë kohë ka qenë kur kam qenë 12 vjeç. Në atë kohë dilte një gazetë që quhej “Letrari i ri”. Këtë gazetë e nxirrte lidhja e shkrimtarëve për të rinjtë. Në këtë gazetë botoheshin shkrimet e fillestarëve dhe disa herë jepeshin edhe përgjigjet e redaksisë për shkrimet e tyre. Meqenëse bashkëpunëtorët ishin të rinj në moshë dhe gazeta jepte edhe këshilla, pasi ishte parë në redaksi shkrimi që kisha çuar në numrin tjetër, redaksia mua më jepte një këshillë duke nënkuptuar që, ajo që kisha shkruar nuk kishte ndonjë vlerë. Më sqaronin se ju duhet të lexoni pak më shumë para se të shkruani. Pra, më dhanë një dush të ftohtë, sepse me të vërtetë vjersha ishte e dobët nga çdo pikëpamje. Ky ishte fillimi i palavdishëm, por unë u gëzova se pashë emrin të shkruar në gazetë dhe nuk më interesoi shumë se çfarë shkruante brenda për të më ndihmuar. E kisha logjikën shumë të varfër në atë kohë. Isha i zhvilluar nga ana e fantazisë, por i varfër nga ana logjika. Ky ka qenë një fillim për të mos u marrë si shembull (qesh) .

-Për të arritur majat e suksesit të gjithë ne kemi një udhërrëfyes në jetë, a keni pasur ju një idhull që të arrinit rrugën e suksesit? Kush ka ndikuar në suksesin tënd?

Kur kam qenë në gjimnaz, adoleshent, kemi pasur një rreth letrar ku ishim djem dhe vajza të reja që më vonë u bënë të njohur në letërsi, kanë qenë anëtarë të këtij rrethi. Ky rreth ishte shumë nxitës. Shpesh na mblidhte një nga profesorët e letërsisë dhe të historisë dhe diskutonim dhe lexonim vjershat e njëri-tjetrit. Ky ka qenë fillimi im. Në suksesin tim kanë ndikuar shkrimtarët tanë dhe të huaj, por edhe mësuesit që jepnin mësim në shkollë. Pra, ata që ishin të njohur për të gjithë ishin të njohur edhe për mua si nxitës. Këta kanë ndikuar. Ishte i pamjaftueshëm ky ndikim, se kjo letërsi ishte klasike shqipe dhe mund të ndikojë në mënyrë të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë tek fëmijët.

-A është e vërtetë që kur keni qenë 12 vjeç jeni dënuar për falsifikim monedhash?

Sepse shkritë plumb dhe bëtë një monedhe 5 lekëshe?

(Qesh). Po është e vërtetë. Kjo është një histori e fëmijërisë sime është një histori për të qeshur dhe për të qarë (qesh sërish).Unë kam qenë 12 vjeç atë kohë ku me një shokun tim të klasës kur gjetëm disa shkronja plumbi nga ku shtypeshin librat e na tha mendja se mund të bëjmë monedha. Filluam t’i shkrijmë dhe të bëjmë lodra, por dhe të bënim monedha 5 lekëshe me një monedhë kishte shkuar një motra e vogël e shokut tim të blinte akullore. Shitësi i dyqanit i tha rri këtu pak dhe lajmëroi policinë. Erdhi policia dhe dyqanxhiu i tha, se kjo vajza ka monedha false. Policisë iu duk një kuriozitet i madh që në qytetin tim Gjirokastër, ndodhte diçka e tillë sepse nuk kishte pasur rast ndonjëherë të zbuloheshin monedha false. Monedha false është një punë shumë e komplikuar dhe shumë e vështirë për t’u bërë. Kjo nuk e pengoi policinë që të dërgonte një polic dhe të na marrë me vete (të na arrestojë) në orën e mësimit. U bëmë të famshëm për të keq. Kjo histori mezi u harrua, por kjo nuk i pengoi njerëzit më vonë që ta më përmendnin në biografinë time. Edhe kur ishin fillimet e mia kur botoja libra ma zinin me gojë për falsifikim monedhash. Kur je në atë moshë nuk të bën shumë përshtypje. Kjo ka qenë aventura e parë e imja.

– Në periudhën e realizmit socialist si shkrimtar a ju ka mbetur ndonjë ngjarje e asaj periudhe pa hedhur në letrat tuaja?

Ngjarjet e jetës janë të pafundme. Ngjarjet kryesore të jetës socialiste kur ju nuk kishit lindur, kanë qenë shumë të forta dhe dramatike, të dhimbshme dhe për fat të keq nuk janë të pasqyruara në letërsi, sepse letërsia e asaj kohe në vendin tonë dhe në vende të tjera aleate komuniste e kishte pothuaj të ndaluar të shkruaje për gjëra që të trishtonin dhe që të fusnin në mendime. Thjesht fare, shteti nuk donte të shkruante për vuajtjet dhe mjerimin. Ishte parulla se populli është i lumtur dhe ne shkrimtarët e këtij populli duhet të përshkruanim lumturinë e tij. Por lumturia në letërsi është një gjë shumë e mërzitshme ta shkruash. Lumturinë është mirë që ta kesh dhe ta shijosh, por jo ta shkruash. Për artin, tërheqëse janë vetëm gjërat dramatike, të zymta, të vështira etj. Letërsia dhe arti bazohen në gjëra të fuqishme dhe jo të gëzueshme shpesh dhe shpesh të hidhëruara. Kemi letërsinë e vjetër greke, antike ku e gjitha është bazuar në përshkrime fatkeqësish, ku në një libër apo dramë, bëhet fjalë për mijëra ushtarë që vriten në fushë të luftës për një grua. Letërsia quhet thesar i njerëzimit. Por mund të themi se çfarë është ky thesar që na mërzit?! Të shkruash për lumturinë! Pra, letërsia është dhe duhet të jetë një thesar që të zgjon ndërgjegjen, nuk të lë të qetë. Letërsia është bazuar mbi këtë rregull, mbi këtë gjë, që mos të të lerë të qetë për gjërat e këqija që bën apo bëjnë të tjerët në kurriz të popullit. Pra janë shumë gjëra të pa hedhura në letërsi në atë kohë….

-Mund të na tregoni se si jeni njohur ju me bashkëshorten tuaj?

Më ke zënë ngushtë se nuk mund ta ndryshoj fare se e kam përbri bashkëshorten dhe mund ta verifikojë. Njeriu me kalimin e kohës mund t’i ndryshojë gjërat në kujtesë, por në këtë rast do jem shumë korrekt. Njohja ime ka qenë dhe e zakonshme dhe jo shumë e zakonshme. Unë kam qenë student në Moskë që ishte kryeqyteti i aleatit tonë të madh, në ish-Bashkimin Sovjetik. Unë studioja për letërsi dhe herë pas here në Moskë vinin gazetat e vendeve aleate pra vinin dhe ato shqiptare. Madje vinin disa gazeta shqiptare. Ndër to në një gazetë në këndin letrar, unë pashë një tregim të një vajze që quhej Helena Gushi. Një shoku im i Institutit shqiptar më tha:

– E shikon këtë vajzën që ka botuar këtë?! E njoh unë më tha dhe është nga qyteti….. Kjo është një vajzë e bukur dhe po t’i shkruash ti një urim për këtë tregimin ajo do të bëjë letër me siguri. Ky ishte Dhimitër Xhuvani. I shkruaj dhe kur të shkojmë për pushime më tha ta kesh të njohur që këtu në Moskë, se besoj do të vijë të të takojë kur të shkojmë në Tiranë. Unë i shkrova menjëherë dhe.. Dhe kështu ndodhi me të vërtetë. Unë i bëra një letër Helenës të shkurtër për tregimin ku i tregoja se si u impresionova nga tregimi yt dhe të uroj suksese. Helena më bëri një përgjigje dhjetë herë më të gjatë. Kështu u njohëm, dhe kur erdha në Shqipëri u takuam.

-Kurajo a ka qenë një nga cilësitë më të forta ku ju keni mbështetur suksesin? A je treguar ndonjë herë pesimist?

 Të vegjlit kanë shumë besim. Kështu isha dhe unë në vegjëli. Mua shokët e mi më thoshin se ti je shkrimtar i madh, edhe pse kishin lexuar 3-4 vjersha të miat dhe unë i besoja. Por kjo për moshën më dukej normale. Ata ziheshin me shokët e tjerë, të cilët i thoshin, se si ne është. Fëmijët besojnë në gjëra të pabesueshme. Në fillim kisha kurajo të madhe, nuk më dukej ndonjë gjë e pazakonshme. Por sa më shumë kalonin vitet kjo madhështi më dukej e pabesueshme.

-Si kanë ndikuar veprat tuaja nga jeta studentore në Rusi?

Kur kam qenë në Rusi nuk kam qenë adoleshent por student. Moska ka ndikuar shumë se ishte koha e rinisë. E keqja e letërsisë në atë kohë ishte se kur djemtë e vajzat ishin të rinj në moshë ata ishin përballë një propagande jashtëzakonisht kërkuese të dëmshme për letërsinë. Ishte ideologjia në mes. Po të dëgjoje propagandën që bënte shtypi, shkollat dhe librat e shkollave sot thua me vete qe me të vërtetë të merrnin në qafë. Atë kohë thuhej se detyra e shkrimtarit është të shkruajë për lumturinë e popullit, për gëzimin e punës, për gëzimin e jetës etj… Por realiteti ishte ndryshe…

Të gjithë veprat tuaja jam e sigurt se lexohen nga e gjithë bota, por a keni ju një libër tuajin që është më i preferuari, pra që e veçon?

Këtë pyetje ia bëjnë gjithmonë shkrimtarëve, por ndihem pak në siklet dhe nuk mund të them menjëherë kjo, pasi janë një grup veprash që unë i preferoj mbi të tjerat por nuk mund të them se kam një. Ka shkrimtarë që kanë një vepër të dashur që dallon mbi të tjera dhe ka të tjerë që kanë vështirë që ta përcaktojnë. Një nga librat që çmohet në botë, meqenëse u përmend edhe këtu është libri “Prilli i thyer”, sepse ka brenda edhe kureshtje dhe gjëra që nuk ekzistojnë tek disa popuj. Por kjo nuk do të thotë diçka të madhe.

(Teuta Dobi, drejtoreshë e gjimnazit Sami Frashëri)

Ne në Gjirokastër krenohemi, kur na pyesin çfarë ka nxjerr Gjirokastra, themi se ka nxjerrë Kadarenë, nuk e di sa kohë keni jetuar në Gjirokastër dhe çfarë ndikimi ka pasur Gjirokastra në veprat tuaja?

Më vjen mirë që takoj një bashkëqytetare timen dhe mund të jesh edhe kushërira ime. Gjirokastra ka luajtur një rol të madh në krijimtarinë time dhe unë këtë nuk e kam fshehur, por e kam theksuar duke shkruar një libër që e kam quajtur “Kronikë në gur” që është për Gjirokastrën, ku përmend edhe mbiemrin tuaj.