Limoz Dizdari: Gaqo Çako ishte artist

1101
Sigal

Nga Agron MEMA

Limos Dizdari, Artist i Merituar, në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf” rrëfen një moment të rrallë të Gaqo Çakos, pas Festivalit të 11 në RTSH, ku u dënua tenori Stavro Rafaeli dhe Llukë Kaçaj, dënime që Gaqoja nuk mund t’i pranonte dhe duronte. Limos Dizdari rrëfen edhe bisedën e fundit me Gaqo Çakos, pak ditë para se të vdiste dhe në fjalët që i përcolli me telefon, Limoz Dizdari i mallëngjyer pohon se i pa zëmrën Gaqos. Limos Dizdari pohon se Gaqo Çako u përcoll pa respektin e ajkës së Politikës, ku i pranishëm ishte vetëm Presidenti Meta dhe askush tjetër, ndaj Limos Dizdari e quan “E dhimshme, po realitet” dhe pohon edhe amanetin e fundit të Gaqo Çakos, që nuk dëshironte lajmërime për vdekjen e tij, por ta përcillnin me këngën “Rrugët e Atdheut më thërrasin”.

I nderuar Limos, Gaqoja ka qenë pjesëmarrës në 30 festivale në RTSH-së, si e priti goditjen e festivalit të 11-të?

– Nuk mbaj mend të kemi diskutuar fare për këtë problem. E kaluam atmosferën e pasfestivalit si një gjë pa ngarkesë. Po këto goditjet që u bënë me Stavro Rafaelin, arrestimin dhe burgosjen e Llukë Kaçaj dhe goditjet e tjera që u bënë ndaj artistëve, sigurisht që nuk mund t’i pranonte dhe u prek shumë, u vra shpirtërisht, por nuk tha asnjë gjysëm fjale. Po fjala më e rëndë e tij ka qenë kjo: nëse u dënua Llukë kaçaj, u godit një zë i jashtëzakonshëm dhe po të thoshte ai që i dha dy të drejta studimi në Moskë Llukë Kaçaj se, po, Llukë Kaçaj e dënuam se shkeli bukën tonë, atëhere do ta besoja dhe pranoja dënimin e tij. Po kjo nuk ndodhi dhe nuk ka ndodhur akoma. Gaqoja  këtë citonte vazhdimisht. Gaqoja  kish hob edhe peshkimin, edhe shahun. Bashkë luanim shah vazhdimisht, kam dhe në fotografi me të.

– Cili ka qenë kontakti juaj i fundit me Gaqon dhe çfarë biseduat me të?

– Jam bërë besimtar mbas kësaj që më ka ndodhur…Të premten mbasdite Gaqoja u rrëzua në hotelin, ku ishte me pushime në Durrës. Ra dhe s’u ngrit më . Pas pesë ditëve vdiq. Po, atë të enjte, a të mërkurën, para aksidentit, e kam marrë në telefon. Gaqoja, si asnjëherë tjetër, u gëzua jashtëzakonisht shumë. Aq gëzim i madh, sa nuk dëgjoja fjalë, po vetëm pasthirrma dhe tinguj të gëzuar, fjalët ja kish marrë hareja dhe hokatarizmi i tij i veçantë…entuziast bërtiste i gëzuar….ore Limoz, ore ….ku je….etj….nuk thoshte asgjë, po në telefon i pashë zëmrën Gaqos. Ky ishte kontakti i fundit. Kur e mbylla telefonin pata një ndjenjë disi ndryshe; pse e mora unë në telefon, me çfarë shtyse…kjo sot më bën besimtar.

– Si e morët vesh vdekjen e tij dhe çfarë bëtë në ato momente?

– E mora vesh vonë. Ishte ora 22:35. Kishte rreth një orë më përpara që kishte vdekur. Atë natë nuk pashë as portalet në internet. Pasi e mora vesh, shkova në dhomë dhe i thashë Adrianës se do të jap një lajm të keq. Ka vdekur Gaqo Çako. Adriana e bën gjumin të lehtë. U çudita si u ngrit pupthi dhe filloi të lotonte. U shqetësuam shumë dhe e përjetuam me dhimbje, ndaj më shumë se një orë e gjysëm kemi folur vetëm për Gaqon. Ishte një moment shumë i trishtuar për neve. Ndërkohë interesohesha për një makinë. Marr një shok. U tregua i gatshëm, po më tha se është në punë. Marr drejtorin e tij dhe i shpjegohem. Drejtori më tha se se si vdiq ai bilbil shqiptar. Merre shoferin dhe mbaje sa të duash. Pyes një të njohurin tim dhe e pyes, ishte ai që më njoftoi. Ai më thotë se homazhet bëhen në orën 11 paradite në Muzeun Historik dhe varrimi në orën 12. U çudita dhe ja shpreha, pse ky portokoll i përshpejtuar dhe pse në Muzeun Historik, se ai nuk është bërë akoma për në muze, se më parë duhet të flasin historianët dhe duhej në Akademinë e Arteve, apo në hollin e RTSH-së. Nejse u nisëm drejt Tiranës. Kjo shije e hidhur e përshpejtimit të homazheve dhe ceremonisë së varrimit m’u shtua, kur vajta në familje dhe pashë që nuk kishte shumë njerëz. Rast i veçantë . Ka shembuj plot si Edit Piaf etj, që janë përcjellur nga mijra njerëz. Po nuk pashë kryetarin e bashkisë së Tiranës për homazhe tek Nderi i Kombit, nuk pashë ministren e Kulturës, që më në fund ka kuptuar se vetëm ministre kulture nuk mund të jetë dhe këtë mesazh ja ka dhënë qartazi kryeministrit, i cili edhe vet nuk qe dhe po të kish gjallë të atin e tij do qe skandalizuar nga qëndrimi i të birit, nuk pashë opozitën, që Gaqoja qe mik i tyre, sidomos i Berishës, vetëm Presidenti Meta bëri homazhe….kështu u përcoll për në banesën e fundit Nderi i Kombit, artisti Gaqo Çako. E dhimshme, po realitet.

– Pse ndodh kjo?

–  Gaqo , ashtu si Bujar Lako, la amanet që mos të vënë afishe për vdekjen e tyre. Si e shpegoj unë qëndrimin qeveritar dhe të politikës, po edhe atë qytetar ndaj Gaqos? Tonin Harapi thoshte: “Në fakt artistët janë qenie të llastuara të një kombi, por jo në kuptimin pedant, por të respektit. Ata durojnë të posaçmen dhe janë tërësisht të rëndësishëm në të veçantën e tyre. Sigurisht, duke mos e shpërdoruar fjalën “artist”. Jo çdo njeri e meriton këtë.” Bashkëshortja e Gaqos më tregoi se amaneti i fundit i tij që ta përcillnin me “Rrugët e atdheut më thërrasin” dhe disa arritje të preferuara të tij… Po tregoj dhe diçka me humor, karakteristikë e Gaqos: Pas demokracisë ai kaloi me forcat e djathta dhe unë mbeta tek e majta. Në një farë mënyre kundërshtarë politikë, po përherë miq. Shpesh i thosha që unë jam familje beu dhe mbeta i majtë, ndërsa ti fukara u bëre i djathtë. Zëmërmiri Gaqoja ma kthente, që na ngatërroi Enveri keq, ndoshta në martenitet….

– Faleminderit profesor Limosi!

– Faleminderit dhe gazetës”TELEGRAF”!