Kadri Muka: Qeveria vazhdon të nëpërkëmbë ushtarakët në pension dhe në lirim

140

Në 25 vjetorin e statusit të ushtarakëve (1991-2016), problemet e oficerëve në pension apo në lirim vazhdojnë të jenë të shumta dhe të paplotësuara nga të gjitha qeveritë. Por ndërsa qeveria e PD e përkeqësoi statusin e tyre, qeverisja e Koalicionit të Majtë dhe vetë kryeministri, pavarësisht premtimeve gjatë dhe pas fushatës elektorale, nuk po merret me zgjidhjen e tyre. Edhe disa iniciativa të marra kohët e fundit nga ministri Kosi, janë gjysmake dhe nuk u japin zgjidhje të plotë problematikës së ushtarakëve në pension dhe në lirim

Duke qenë një nga personat që i jeni përkushtuar të drejtave të ushtarakut që burojnë nga statusi i tij, në të cilat bënë pjesë edhe pensioni i parakohshëm dhe pensionet suplementare të tyre, redaksia e gjykoi të drejtë t’u drejtohet për një bashkëbisedim me ju.

Ju faleminderit që më dhatë mundësinë të bashkëbisedoj me “Telegraf” për një çështje që për 24 vjet është bërë gangrenë dhe që edhe sot pas 2 vjet e 2 muaj qeverisje reale të Koalicionit të Majtë vazhdon të jetë e tillë.

Para zgjedhjeve për pushtetin vendor vitin e kaluar, në një takim me deputeten Vasilika Hysi, ju shtruat çështjen se këta që janë sot në pushtet kanë detyrën dhe detyrimin kushtetues, programor dhe moral të zhbëjnë atë që bëri pushteti i djeshëm me ushtarakët. Po këtë i kërkuat edhe Presidentit të Republikës në takimin e organizuar prej tij në Presidencë. Pse e shtruat kështu çështjen?
Këto 25 vjet që nga statusi i ushtarakut i 3 korrikut 1991 jeta ka vërtetuar katërcipërisht se sa herë ka ardhur dhe ka qënë në pushtet krahu i majtë i politikës me status ushtarakëve u është caktuar pozita juridike, ekonomiko-financiare e shoqërore si dhe detyrat, të drejtat, kufizimet dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre, si dhe trajtimi me sigurime shoqërore suplementare, përgjithësisht nga mesi dhe fundi i mandatit. E kundërta ka ndodhur me krahun e djathtë. Pas ardhjes në pushtet janë bërë shtesa e ndryshime në ligjin e sigurimit shoqëror suplementar duke shunuar, tjetërsuar, trasformuar, zvogëluar, kufizuar dhe shfuqizuar të drejtat e fituara më parë me këtë ligj apo status të ushtarakut.
Çfarë bëri pushteti i djeshëm, që duhet ta zhbëjnë ky i sotmi?
Pushteti i djeshëm bëri e ç’nuk bëri. Pas rikthimit në pushtet më 2005, në nëntor 2005 urdhëroi ndryshime në ligjin e sigurimit shoqëror suplementar për cënimin e të drejtave të fituara dhe më 16 shkurt 2006, miratoi ndryshime e shtesa në këtë ligj. Pas shfuqizimit antikushtetues të 3 dispozitave të këtij ligji me vendimin nr.9, datë 16.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese dhe detyrës për rregullimin tërësor të ligjit për afro dy vjet luaji rolin e të paditurit dhe më 15 maj 2009 miratoi ligjin e ri të sigurimit shoqëror suplementar pa e përputhur me me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese për shkak të të cilit kjo gjykatë me vendim nr.33 të 24 qershorit 2010 shfuqizoi antikushtetuese dy dispozita të këtij ligji. Duke mos qënë dakord me këtë vendim me aktin normative nr.5 nëntor 2010 bëri shtesa e ndryshime në këtë të fundit dhe masën 50% të pagës referuese për 12 vjet femra dhe 15 vjet vjetërsi mashkulli deri në pension pleqërie duke i shtuar 2% të pagës referuese për çdo vit tjetër e zvogëloi atë në 1.5% për vit shërbimi të pagës mesatare neto referuese të qëndrimit në gradë e funksion; pagën referuese e zëvendësoi me pagën mesatare neto referuese të të gjithë vjetërsisë në shërbim. Për shkak të këtyre masa e pensionit u përgjysmua ose përfundoi sa 2/3 e pensionit të mëparshëm dhe rreth 80% e ushtarakëve u shpallën debitorë pa qenë të tillë. Nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por me VKM u mohoi të drejtën e kompesimit me ushqim dhe të shërbimit shëndetësor.
Pse e kanë detyrim kushtetues?
E kanë detyrim kushtetues sepse: Kushtetuta e RSH, në pikën 2 të nenit 52, në rast papunësie të detyruar dhe për shkak të kësaj, mbetjes pa mjete jetese detyron shtetin të jap ndihmë në kushtet e parashikuara nga ligji. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi i jepet pikërisht pasi ai, del në rezervë a lirim, pasi i mohohet e drejta e ushtrimit të mëtejshëm të profesionit dhe përfundon në papunësi të padëshiruar (detyruar) e pa mjete të tjera jetese. Them pa mjete të tjera jetese sepse mjetet e jetesës sipas nenit 49 pika 1 e Kushtetutës fitohen me punë të ligjshme, që individi ka zgjedhur ose pranuar vetë nëpërmjet profesionit të zgjedhur prej tij. Kushtet që parashikon ligji për ushtarakun janë pikërisht ato që përcaktonte neni 16 i statusit të ushtarakut i 3 korrikut 1991 dhe ato që përcakton nga 14 maj 2004 neni 35 i statusit të ushtarakut të 23 marsit 2004 dhe jo kufizimet e përcaktuara nga neni 11 shkronja “b” e ligjit nr,8087/1996; neni 13 e 14 i ligjit nr.9418, datë 20.05.2005 i ndryshuar dhe ligjit nr.10142 i sigurimit shoqëror suplementar i ushtarakëve, i ndryshuar apo akti normative nr.5, datë 10.11.2010 i miratuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010.
Ku e bazoni këtë që sapo thatë?
Statusi i ushtaraku përfshihet në listën e atyre ligjeve që sipas pikës 2, shkronja “e” të nenit 81 të Kushtetutës që miratohen me shumicën e cilësuar, pra, me 3/5 e gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa ligji i sigurimit shoqëror suplementar, në rastin konkret ligjit nr,8087/1996 ; nr.9418, datë 20.05.2005 i ndryshuar; nr.10142 i sigurimit shoqëror suplementar i ushtarakëve, i ndryshuar apo Akti Normative nr.5, datë 10.11.2010 i miratuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010 nuk përfshihen në këtë listë. Ato përfshihen në listën e ligjeve që miratohen me shumicën e thjeshtë që neni 78 i Kushtetutës që saktëson se “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar”. Neni 11 shkronja “b” e ligjit nr,8087/1996 i ndryshuar është në e për zbatim të nenit 16 të statusit të 3 korrikut 1991; neni 13 e 14 i ligjit nr.9418, datë 20.05.2005 i ndryshuar dhe ligjit nr.10142 i sigurimit shoqëror suplementar i ushtarakëve, i ndryshuar apo akti normative nr.5, datë 10.11.2010 i miratuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, janë në e për zbatim të nenit 35 të statusit të ushtarakut të 23 marsit 2004. Si të tilla këto dispozita të këtyre ligjeve nuk kanë e nuk gëzojnë të drejtën e ndryshimit, tjetërsimit, trasformimit, zvogëlimit, kufizimit apo shfuqizimit të nenit 35 të statusit të ushtarakut. Po kështu pika 1 dhe 2 e nenit 35 e statusit të ushtarakut e shfuqizuar nga neni 31 i ligjit nr.10142/2009 është sa absurd aq edhe e pa pranueshme dhe e palejueshme. Ekzistenca e tij ende në këtë ligj përbënë një çmenduri. Këtë e ka shprehur hapur Gjykata Kushtetuese në një sërë vendimesh të saj që nga 28 nëntori 1998 e deri më sot lidhur me raportin Kushtetutë-ligj; ligj organik – ligj i zakonshëm dhe ligj – akt nënligjor, respektimin e parimit të sigurisë juridike, të së drejtës së fituar. Kjo gjykatë në vendimin Nr.29/2005; nr.3, datë 20.02.2006; nr. 5 datë 05.02.2014, thotë: “…aktet juridike më të ulta duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material”., dhe në vendimin Nr. 10, datë 6.3.2014 dhe nr.19, datë 03.05.2007 thotë: “Kuvendi nuk mund të miratojë një ligj të ri ose shtesa në një ligj të mëparshëm, të cilat kërkojnë “shumicë të cilësuar”, me “shumicë të thjeshtë” dhe më tej vazhdon: “ligjet e zakonshme duhet të nxirren jo vetëm në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës, por duhet treguar kujdes i veçantë që ato të mos prekin rregullimet që përfshihen natyrshëm në sferën ekskluzive të ligjeve organike…”.

Po tjetër pse e konsideroni atë një detyrë dhe detyrim kushtetues?

Vendimi nr.33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese shfuqizoi antikushtetues pikën 2 të nenit 14 dhe nenin 27 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009. Pavarësisht kësaj dhe ndryshimeve e shtesave të bëra në këtë ligj nga akti normative nr.5, datë 10.11.2010 të miratuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, këto dispozita antikushtetuese ende nuk janë shfuqizuar në këtë ligj. Ato edhe pse janë shpallur antikushtetues, ende ekzistojnë si të jënë në fuqi. Shfuqizmi antikushtetues i pikës 2 të nenit 14 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 prej vendimit nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, njohu dhe garantoi paprekshmërinë e pikës 1 të nenit 14 të ligjit nr.10142/2009, pikë kjo e njëjtë me pikën 1 të nenit 35 të statusit të ushtarakut. Me këtë Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj sanksionoi të pacënueshme masën e pensionit 505 të pagës referuese për 12 vjet femra dhe 14 vjet mashkulli deri në pension pleqërie duke i shtuara asaj 2% për çdo vit tjetër mbi 12 e 15 vjet. Vendimi nr.33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese përveçëse shfuqizoi antikushtetues pikën 2 të nenit 14 të ligjit nr.10142/2009, taksativisht sanksionoi se: “Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik.” Veç sa më sipër ky vendim i Kushtetueses ka saktësuar në mënyrë të prerë e taksative rillogaritjen sipas nenit 29 pika 2 e ligjit nr.10142/2009 e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe të pensionit suplementar të pleqërisë do të bëhet vëtëm me kusht. Ky kusht është që kjo rillogaritje, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve, dhe se në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara.Për shkak të rillogaritjes masa e pensionit të atyre që e kanë përfituar nga 1999 deri fund të 2003 nga 8 000 lekë e lartë kanë përfunduar nga 4 000 deri në 4 400 lekë, shumicës së atyre atyre nga 1 janari 2004 koriku në masën nga një pension maksimal e më shumë u është ulur në masën e një pensioni minimal apo diçka më shumë. Ai, vendimi nr.33/2010 çdo interpetim dhe zbatim në kundërshtim me kushtet e mësipërme i konsideron antikushtetues.

Flitet se pengesë për gjithëçka thatë ju, në këtë drejtim është bërë vendimi nr. 2, datë 18.02.2013 i Gjykatës Kushtetuese. Sa është e vërtetë dhe e saktë kjo sipas mendimin tuaj?

Nuk është aspak kështu. Vendimi Nr.2/2013 i Gjykatës Kushtetuese ka gjynahet e tij, përsa i përket të gjykuart e të vendosurit mbi situatë krize kur për të nuk kishte dhe nuk ka një vendim shpallje krize nga institucionet që e gëzojnë me Kushtetutë këtë të drejtë, dhe se kriza globale nuk mund të mos ndikoj në Shqipëri. Fjala mundet në fakt përbënë një fatkeqësi për vetë Gjykatën Kushtetuese dhe rrëzon në fakt këtë gjykatë. Ajo përbën preçedentin më të rrezikshëm, atë precedent që duke qënë se gjykata mendon se mund të shkelësh ligjin apo kryesh një krim në të ardhën, gjykata të dënon në paradhënie. Pavarësisht këtyre përsa i përket pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ai ka qenë unik dhe në unison të plotë me vendimin nr.33/2010 dhe nr.9/2007 të Gjykatës Kushtetuese.
Ku e shpreh ky vendim këtë që thoni, ndërkohë të gjitha gjykatat e shkallës së parë , apelit dhe Kolegjit Admninistrativ të Gjykatës së Lartë, kanë përligjur dhe po përligjin mohimin e së drejtës së fituar nga data 01.07.2009 e në vazhdim menjëherë pas miratimit të këtij vendimi?
Po e fillojë përgjigjen nga fund i pyetjes për të arritur në përgjigje të fillimit të saj. Është e vërtetë që në emër në vendimit nr.2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese, gjykatat mohojnë ushtrimin e të drejtës së fituar me ligjet e para datës 01.07.2009 edhe nga kjo datë e në vazhdim. Këtë ato e bëjnë me arësyetimin se ky vendim nuk pranoi kërkesën për shfuqizimin antikushtetues të ligjit nr.10367, datë 23.12.2010 që miratoi aktin normative nr.5, datë 10.11.2010, akt ky që bëri shtesa e ndryshime në nr.10142, datë 15.05.2009. Është e vërtetë që ky vendim nuk shfuqizoi këtë ligj por, ai si edhe vendimi nr.33, datë 24.06.2010 që nuk miratoi shfuqizimin e nenit 29 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 interpetoi se kur bëhët e kur nuk bëhet rillogaritja sipas këtij neni dhe se kur neni 29 është kushtetues, edhe vendimi nr.2, datë 18..02.2013 shprehet:
Së pari: Pëfitimi që vjen nga papunësia e padëshiruar sikurse është pensioni i parakohshëm për vjetërsi që i jepet ushtarakut pas daljes në rezervë a lirim, mbetjes në papunësi të padëshiruar dhe pa mjete jetese i përket sigurimeve shoqërore bazë (të detyruar). Lidhur me këtë shprehimisht ky vendim thotë: “Prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim”.
Së dyti: Ato që ndryshohen për interesa të rëndësishme publike janë sigurimet shoqërore suplementare. Vetëm ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, dhe që se ndërhyrja e ligjvënësit para interesit publik justifikohet në skemën e sigurimeve suplementare”.
Së treti: Vendimi nr.2/2013 përvecëse nuk lejon ndryshime në sensin negativ në sigurimet shoqërore bazë por në skemën e sigurimeve shoqërore suplementare thotë: “Shih vendimet nr.33/2010 dhe nr.9/2007 të Gjykatës Kushtetuese”. Dhe, vendimi Nr.33/2010 ka shfuqizuar kufizimin që i bëhet masës 50% të pagës referuese për 12 vjet femra dhe 15 vjet mashkulli deri në pension pleqërie duke i shtuar 2% të pagës referuese për çdo vit tjetër shërbimi mbi 12 e 15 vjet. Ai thotë se masa maksimale e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk mund të zvogëlohet apo kufizohet as për interest e rëndësishme publike, dhe se pensioni i parakohshëm i jepet ushtarakut për shkak të veçorisë së shërbimit, pas ndërprerjes së karrierës, me ose pa dëshirën e tyre, e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune të një niveli të krahasueshëm me funksionet që ushtronin”. Këtyre u shton edhe se kur bëhet e kur nuk mund të bëhet rillogaritja e parashikuar nga neni 29 i ligjit.
Pse është detyrim programor?
Kryeministri i sotëm para se të bëhej kryeministër në të gjitha takimet elektorale me ushtarakët në rezervë, lirim e pension, edhe në atë me ata të Vlorës premtoi: “Për një gjë ju zotohem se si gjithë të tjerët edhe ushtarakët pas 23 Qershorit do të kenë tek ne një derë të hapur dhe mbi të gjitha nuk do të jenë më të shkelur në dinjitetin e tyre. Ne do të respektojmë atë që juve jua ka njohur Gjykata Kushtetuese, mbi atë bazë do të ndërtojmë edhe marrëdhënien me gjithë grupin tuaj të interest”. Në vijim të këtij deklarimi zoti Arben Isaraj bëri me dije se në programin e Partisë Socialiste për ushtarakët parashikohet:
– Zbatimi i legjislacionit në fuqi për problemet social ekonomike të ushtarakëve dhe kjo do të thotë zbatim i plotë i statusit që keni marrë me ligj nga ne në vitin 2004.
– Shfuqizimi urgjent i aktit normativ të kthyer në ligj nga Sali Berisha në dhjetorin e vitit 2010.
– Ndërprerja e rillogaritjes dhe uljes së pensionit tuaj të parakohshëm do të fillojë, siç tha kryetari, të zbatohet gradualisht.
– Zbatimi direkt i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me diskriminimin tuaj në këto vite nga regjimi i Sali Berishës”.

Po detyrim moral pse është?
Edhe politika më amorale e ka në vetvete një moral. Unë nuk besoj se morali i premtimit të Kryeministrit dhe i programit të PS që është sot në pushtet, që unë lançova më sipër ka qënë mashtrimi dhe spekullimi politik, dhe se pushteti i sotëm ekzekutiv e ligjvënës udhëhiqet nga deviza “E hodha lumin, të dh…fsha kalin”. Askush nuk e detyroi Ramën e sotëm të bënte atë premtim. Po kështu askush nuk e detyroi PS të parashikonte në programin e vetë atë qe ju bëri prezentë ushtarakëve gjatë fushatës elektorale 2013. Demagogjia, mashtrimi nuk kanë jetë të gjatë dhe sigurisht që shoqërohen me kosto. Koston e saj nuk e ezauron dot deklarimi se është në plan kryerja e shtesave e ndryshimeve në statusin e ushtarakut. Ushtarakët nuk presin këtë. Kur të vijë koha le të bëhen ato shtesa e ndryshime. Dersa të arrihet në këtë pikë dhe të bëhen ato pushteti i sotëm e ka për detyrë e detyrim tu garantojë e plotësojë një për një ato të drejta që de juro i ka garantuar statusi i 23 marsit 2004, të përputhin ligjin e sigurimit shoqëror suplementar me vendimin nr.9/2007; nr.33/2010 dhe nr.2/2013 të Gjykatës Kushtetuese duke shfuqizuar gjithëçka është në kundërshtim me to.
Nëse pushteti i sotëm nuk bënë këtë që thoni ju, ç’u mbetet ushtarakëve të bëjnë?
Për mendimin tim ushtarakëve nuk u mbetet tjetër të bëjnë veçse, të vazhdojnë betejën kushtetuese e ligjore duke shfytëzuar të gjitha mjetet demokratike e ligjore për t’i imponuar pushtetit ekzekutiv, politik e gjyqësor respektimin e shtetit të së drejtës sanksionuar në preambulën e Kushtetutës. Ata nuk duhet të tolerojnë aspak në atë që sanksionon ky ligj themeltar i shtetit, se në shtetin e së drejtës siç është Shqipëria, ku me Kushtetutë dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë (neni 3); e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit (neni 4/1); të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik, dhe se organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre (neni 15), pushteti ka vetëm një rrugë, një shpëtim. Procesin e parregullt ligjor të kryer nëpërmjet ligjit nr.10142/2009, aktin normative nr.5/2010 dhe ligjin nr.10367/2010 të kryer në kundërshtim me pikën 1 të nenit 42 të Kushtetutës që sanksionon: “të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor”, ta shndërrojë në proces të rregullt ligjor. Për këtë nuk duhet më shumë se vullnet dhe përgjegjshmëri institucionale, kushtetuese e ligjore e Qeverisë dhe Kuvendit për të ndryshuar në ligjin e sigurimit shoqëror suplementar aktual të ndryshuar me aktin normative nr.5/2010 në respektim të atyre që detyron vendimi nr.9/2007; nr.33/2010; nr. 2/2013; nr.5/2014; nr.10/2014 i Gjykatës Kushtetuese dhe që garanton statusi i ushtarakut i 23 marsit 2004 për ushtarakët. Pra, të përputhin ligjin e sigurimit shoqëror suplementar të ushtarakëve me atë çka përcakton statusi i ushtarakut si për të gjitha të drejtat e sanksionuara prej këtij ligji organik edhe për pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Çdo qëndrim tjetër e unifikon pushtetin e sotëm me atë të djeshmin. Domethënë me atë pushtet ku, spekullantët politik pasi shtienë në dorë pushtetin shtetëror e përdorin me mjetet më të korruptuara e për qëllimet më të fëlliqura dhe, nga shërbëtorë të shoqërisë e popullit bëhen sundues e plaçkitës të tij. Dhe, shteti me ta në krye nga mbretëria e zotit në tokë do vazhdojë të jetë edhe më tej skandali më flagërant i kësaj shoqërie dhe vatrën e çdo poshtërsie. Gëzoj e uroj të mos ndodh kurr më kështu.

Sipas jush çfarë duhet të përmbajë ky projekt ligj?

Shkurtimisht projekt ligji e ka detyrim që në radhë të parë të shfuqizojë pikën 1 të nenit 14 dhe nenin 27 të ligjit 10142/2009 të shfuqizuar antikushtetues nga vendimi nr.33/2010 i Gjykatës Kushtetuese. Në radhë të dytë të ndryshojë ato dispozita të këtij ligji ndryshuar me aktin normative nr.5/2010 të KM që e miratoi ligji nr.10367/2010 që bien ndesh me këtë vendim dhe vendimin nr.9/2007 dhe nr.2/2013 të Gjykatës Kushtetuese. Në radhë të tretë, çdo dispozitë që është në kundërshtim me dispozitat e statusit të ushtarakut të përputhet plotësisht me to. Efektet financiare të tij të shtrihen të paktën nga 1 korriku 2009, pse jo edhe nga data 14 maj 2004 kur hyri në fuqi statusi i ushtarakut i 23 marsit 2004. Ky projekt është gati dhe ju mund ta botoni atë si një propozim për të lehtësuar punën e institucioneve që u takon me ligj të pargatisin dhe miratojnë atë.

Po për vendimet e gjykatave që nga data 01.07.2009 kanë mohuar të drejtën e fituar nëpërmjet statusit të ushtarakut, këtij ligji organik dhe të cënuar me ligjin nr.10142/2009, aktin normative nr.5/2010 dhe ligjin nr.10367/2010 dhe që përligjin pabarazinë e diskriminim, a ka ndonjë zgjidhje sipas jush?

Me gjykatat ka një problem të madh. Ato që nga e shkallës së parë, apelit dhe Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të tyre u mungon pa ideali, dinjiteti, personaliteti dhe integriteti minimal profesional. Kësisoj janë shndërruar në ushtarë të bindur e të nënshtruar partish, pushtetesh e pushtembajtësish. Si të tillë për interest e tyre të momentit (karakteristikë kjo e lumpenëve), kanë qënë dhe janë të gatshëm të vihen në shërbim të çdo shkelje kushtetuese e ligjore dhe në vend të të dhënurit drejtësi për qytetarët, prodhojnë drejtësi për dhunuesit e shtetit e ligjit (politikanët, pushtetarët, sunduesit e plaçkitësit, ata që vjedhin e bëjnë krime sa mundin e sa duan). Pamvarësisht këtyre, ushtarakët kanë për detyrë dhe të drejtë të vazhdojnë betejën në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin antikushtetues të vendimeve të Gjykatës së Lartë. Vendimet e tyre janë në kundërshtim me nenin 42 të Kushtetutës dhe si të tillë përbëjnë një process të parregullt ligjor për shkak se bazohen në një praktikë ndryshimesh ligjore që nuk kanë respektuar rendin juridik dhe hierarkinë ligjore të këtij rendi; shqyrtimin e çështjeve nuk e kanë kryerë brenda afatave të arësyeshme ligjore, bile edhe më keq kanë tejkaluar afatet e përcaktuara ligjërisht; nuk kanë përfillur parimin e gjësë së gjykuar; nuk kanë zbatuar detyrimet e vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara për çështjet e nisura para datë 04.11.2013 , datë e fillimit të veprimtarisë së Gjykatave Administrative dhe hyrjes në fuqi të ligjit për organizimin e funksionimin e këtyre gjykatave; kanë cënuar parimin e sigurisë juridike dhe të së drejtës së fituar dhe kanë përligjur pabarazin dhe diskriminimin dhe nuk kanë zbatuar detyrimet që rrjedhin nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Përveç kësaj ti kërkojnë kryetarit të Gjykatës gjobitjen nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të të gjithë gjyqtarëve që nuk kanë zbatuar e nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.