Flet Stefan Çipa: Standarde bashkëkohore për kushtet në burgje. Disiplinë e rreptë dhe rritje pagash Policisë dhe stafit civil

1664
Sigal

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Stefan Çipa, ekskluzivisht për “TELEGRAF”

  • Strukturat e Policisë në Burgje, por njëkohësisht edhe ato të stafeve mjekësore nëpër IEVP janë nga më të nënpaguarat në përgjithësi në hierarkinë e pagave të shtetit shqiptar. Nuk e di se si mund të jetë lënë kështu, ndërkohë që kolegët e tyre në Policinë e Shtetit apo edhe stafet mjekësore që punojnë në zonat rurale, kanë trajtesa preferenciale në pagë
  • Sistemi i burgjeve shqiptare ka trashëguar një histori komplekse për sa i përket parimeve që e kanë udhëhequr atë përgjatë dekadave të zhvillimit historik dhe politik të shoqërisë shqiptare. Përpjekjet për krijimin e një sistemi vlerash autentike për sistemin e burgjeve dhe shkëputjen nga izolimi konceptual dhe fizik nga shoqëria janë rritur në mënyrë progresive, duke rritur dhe fuqizuar brendësimin e vlerave të reja si transparenca, përgjegjshmëria dhe llogaridhënia

– Z. Çipa, cilat janë disa nga problematikat e konstatuara në sistemin e burgjeve, në këto pak ditë që Ju drejtoni këtë sistem?

Së pari, dua t’ju falënderoj për interesimin që shprehni për Sistemin e Burgjeve. Është një sistem kompleks, jo i lehtë për t’u administruar, i konsiderueshëm në numër dhe nën monitorimin konstant të institucioneve shtetërore, atyre ndërkombëtare po edhe të vetë qytetarëve.

Për t’iu kthyer pyetjes tuaj, në Sistemin e Burgjeve është bërë një punë relativisht e mirë nga drejtuesit paraardhës, veçanërisht sa i përket përpjekjeve për të përtërirë burimet njerëzore apo për të thithur sa më shumë investime si nga qeveria apo edhe nga donatorët. Megjithatë, si në çdo sistem tjetër kompleks e të vështirë problematikat edhe këtu janë nga më të ndryshmet dhe të një frekuence shumë të lartë.

Së dyti, kam konstatuar mangësi në zbatimin e përpiktë i legjislacionit në fuqi; ligjeve që organizojnë punën, akteve nën ligjore dhe udhëzimeve, si nga aparati drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme e deri tek punonjësit civilë dhe të sigurisë në IEVP … e për rrjedhojë edhe nga vetë të dënuarit apo paraburgosurit. Kam gjetur në Sistemin e Burgjeve, një nivel korrupsioni shqetësues që ka infektuar sado pak thuajse çdo strukturë të Drejtorisë së Përgjithshme; duke filluar me IEVP, policët e regjimeve të brendshme e të jashtme, juristët, punonjësit e sektorit të edukimit, shefat e policisë, e deri tek drejtorët e IEVP, për të vijuar edhe në sektorët e ndryshëm pranë Drejtorisë së Përgjithshme. Një problem tjetër, konceptual në themel, po që ka pasur impakt në mënyrën se si është administruar puna në Drejtorinë e Përgjithshme, por edhe në IEVP është fakti se prej vitesh janë bërë struktura organike duke menduar emra për postet, ndërkohë që emrat duhet të përzgjidhen pasi të jenë hartuar struktura me përshkrime pune të detajuara dhe me përputhshmëri të posteve me arsimimin, eksperiencën dhe meritat e veçanta. Dhe së fundi, po aspak për nga rëndësia, kam vënë re që strukturat e Policisë në Burgje, por njëkohësisht edhe ato të stafeve mjekësore nëpër IEVP janë nga më të nënpaguarat në përgjithësi në hierarkinë e pagave të shtetit shqiptar. Nuk e di se si mund të jetë lënë kështu, ndërkohë që kolegët e tyre në Policinë e Shtetit apo edhe stafet mjekësore që punojnë në zonat rurale, kanë trajtesa preferenciale në pagë. Probleme ka shumë po mendoj se parashtrova shqetësimet e mia kryesore.

– Ku konsiston platforma juaj për reformimin e institucionit që drejtoni?

Është e kuptueshme që vetë fjala “reformim” shpalos detyrimin për të ndryshuar jo vetëm në formë apo përmbajtje … por shumë më e rëndësishme, në mënyrën e të menduarit. E unë mendoj, besoj dhe bashkë me stafin tim po punoj fort për të krijuar një sistem të vuajtjes së dënimit që nuk është hapi fundor i një kalvari gjyqësor, por një mundësi rehabilitimi konkrete e cila t’u japë personave që vuajnë dënimin një mundësi për të reflektuar, për t’u korrigjuar e për t’u rikthyer në shoqëri si kontributorë Por ama kjo nuk mund të arrihet nëse nuk punohet shumë për reformimin organik, duke plotësuar boshllëqet, vakancat apo edhe ndryshuar status quo-në në aparatin policor dhe civil të Drejtorisë së Përgjithshme dhe IEVP-ve në varësi. Nuk mund të arrihet synimi ynë i përbashkët, nëse nuk punohet fort për reformimin e sistemit të ofrimeve të shërbimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me qëllim heqjen e çdo mundësie për të rënë në batakun e mitmarrjes apo korrupsionit si për punonjësit civilë e veçanërisht për Policinë e Burgjeve. Por për këtë nevojitet një rritje e qenësishme e pagesave veçanërisht për Policinë e Burgjeve dhe stafin shëndetësor. Konkretisht është i domosdoshëm unifikimi i pagave të Policisë së Burgjeve me kolegët e Policisë së Shtetit. Sot diferenca është e konsiderueshme ndërkohë që volumi i punës dhe risku për Sigurinë e Burgjeve është më i lartë se në Policinë e Shtetit. Nga ana tjetër rishikimi i pagave të stafeve mjekësore që kontribuojnë në DPB të cilët punojnë në kushte risku përtej faktit se mund të jenë edhe larg vendbanimit do të inkurajonte mjekët e rinj dhe specializantët që të vinin e të kontribuonin në Sistemin e Burgjeve. Për këto më vjen mirë, që kam gjetur mbështetjen e drejtuesve të Institucioneve Qendrore.

– Ç’do të bëhet për përafrimin e burgjeve shqiptare me ato të standardeve evropiane?

Është shumë më e vështirë nga sa mund të mendohet, por kuptohet, jo e pamundur. Mjafton të bësh një krahasim me progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit në familjen Evropiane, për të kuptuar hapat e kujdesshëm por të sigurt që po hidhen edhe në garantimin e të drejtave të të dënuarve dhe të paraburgosurve në pritje të vendimeve të gjykatave. Sistemi i burgjeve shqiptare ka trashëguar një histori komplekse për sa i përket parimeve që e kanë udhëhequr atë përgjatë dekadave të zhvillimit historik dhe politik të shoqërisë shqiptare. Përpjekjet për krijimin e një sistemi vlerash autentike për sistemin e burgjeve dhe shkëputjen nga izolimi konceptual dhe fizik nga shoqëria janë rritur në mënyrë progresive, duke rritur dhe fuqizuar brendësimin e vlerave të reja si transparenca, përgjegjshmëria dhe llogaridhënia.

Sistemi penitenciar në Shqipëri është duke kaluar një fazë transformimi dhe zhvillimi. Ky vit vlerësohet si një periudhë me dinamikë të lartë për Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, dinamikë e lidhur ngushtësisht si me përmirësimin e standardeve në respektimin e të drejtave dhe lirive për kategorinë e personave të dënuar dhe paraburgosur, ashtu edhe me garantimin e elementëve të sigurisë, menaxhimin e mbipopullimit, si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të sistemit të burgjeve. Vlerësimi i progresit të bërë në drejtim të reformës penitenciare, nxjerr në pah edhe risqet objektive me të cilat sistemi i burgjeve përballet në përpjekje për ruajtjen të paprekshme të këtij sistemi vlerash. Një nga sfidat e mëdha me të cilat përballemi është trajtimi i grupeve vulnerabël, në përpjekje për krijimin e një ekuilibri dhe harmonie ndërmjet detyrimit për zbatimin e standardeve të trajtimit të kësaj kategorie dhe kufizimeve që burojnë nga kufizimi i lirisë, me qëllim mbrojtjen e tyre nga diskriminimi. Javën e shkuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, u përfaqësua në delegacionin e kryesuar nga Ministria e Drejtësisë, që hapi siparin e procesit screening me Bashkimin Evropian. Aty u diskutua bashkë me ekspertë të BE lidhur me nivelin e zbatimin të Konventave të Këshillit të Evropës dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e të burgosurve në Shqipëri. U diskutua lidhur me sigurinë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, dhe me sfidat e përbashkëta që hasin sistemet, pavarësisht se në çfarë shteti janë vendosur. Ajo çfarë ligjvënësi dhe publiku, në të vërtetë duan të dinë në lidhje me sistemin e burgjeve, është se çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon dhe për cilat arsye ndodh kjo. Është e njohur se aty ku ligji nuk zbatohet me të njëjtën kuptueshmëri nga të gjitha institucionet ligj-zbatuese, të burgosurit janë të zhveshur nga të drejtat e tyre civile dhe janë të zhytur të bashkëjetojnë në komunitete, të cilat të tjetërsojnë në një botë të dënueshme. Për këtë qëllim iniciativat ligjore të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në aspekt të reformës ligjore për sistemin e burgjeve synojnë përafrimin e plotë me acqui communautaire. Por, aspekti ligjor është vetëm njëri. Nga ana tjetër investimet në burgje janë orientuar drejt një politike të zgjerimit të burgjeve, ndërkohë që kjo nuk e ka zgjidhur çështjen e mbipopullimit. Praktika ndërkombëtare tregon se politika penale duhet të jetë e orientuar më shumë drejt modelit ri-integrues dhe më pak drejt modelit kufizues dhe represues të lirisë. Investimet në burgje janë fokusuar si në ndërtimin e burgjeve të reja siç janë burgjet e Vlorës, Fushë-Krujës, Korçës, Durrësit dhe së fundmi IEVP Reç-Malësi e Madhe Shkodër, të cilat ofrojnë standarde bashkëkohore infrastrukturore, po ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës aktuale të disa burgjeve që janë ndërtuar në një kohë të hershme.

-Lidhur ngushtë me reformën strukturore, si e konsideroni partneritetin me të huajt për Rritjen e Sigurisë?

Konceptet bashkëkohore të menaxhimit të sistemit penitenciar, kërkojnë masa të përshtatshme dhe ndërhyrje konkrete për arritjet e një balance ndërmjet sigurisë fizike dhe sigurisë dinamike në sistemin e burgjeve, veçanërisht për t’i ofruar shoqërisë shqiptare një sistem të sigurt dhe transparent dhe për të ndihmuar të burgosurit të reduktojnë riskun për recidivizëm. Sigurisht, ky proces kërkon angazhimin e përbashkët dhe të integruar të të gjithë hallkave të zinxhirit të Institucioneve të Drejtësisë Penale në vend, për të siguruar zbatim të drejtë të ligjit, nisur nga vlerat e humanizmit, duke u ofruar personave me liri të kufizuar mundësi më të përshtatshme për zhvillimin e potencialeve të tyre njerëzore. Partneriteti vlerësohet si një ndër objektivat kryesorë të veprimtarisë tonë, për këtë qëllim, në vazhdimësi jemi munduar të ofrojmë një qasje shumë transparente dhe bashkëpunuese dhe besoj që këtë model kemi prezantuar jo vetëm në menaxhimin e sistemit penitenciar, por edhe në bashkëpunimin me institucione apo aktorë të ndryshëm që operojnë në sistemin e burgjeve. Sistemi i burgjeve është asistuar në mënyrë të vazhdueshme nga projekte të mbështetura nga Delegacioni i BE-së dhe Këshilli i Evropës. Fokus i asistencës së ofruar ka qenë përmirësimi i standardeve të trajtimit të shtetasve me liri të kufizuar në sistemin e burgjeve, kryesisht në aspekte të sigurisë fizike dhe dinamike, rritjes së kapaciteteve të stafit, si dhe për të orientuar politikën penitenciare drejt zhvillimit të një modeli të qëndrueshëm, eficent dhe efektiv, mbështetur në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Aktualisht sistemit të burgjeve shqiptare i është ofruar një mbështetje nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar përmes një projekti afatgjatë që synon rritjen e sigurisë në sistemin e burgjeve përmes asistencës konkrete në aspekt të infrastrukturës dhe teknologjisë bashkëkohore të sigurisë në burgje.

Jetëshkrimi

STEFAN ÇIPA

  1. Stefan Çipa u lind më datë 20 Janar 1959, në Sarandë. Ka përfunduar studimet në Institutin e Lartë Bujqësor dhe për Shkenca Ekonomike. Në vitin 1991, zgjidhet Kryetar i Komitetit ekzekutiv pluralist në Sarandë. Në zgjedhjet e vitit 1997, zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë për herë të parë, e më pas edhe në 2 legjislatura të tjera. Gjatë legjislaturës 1997–2002, ka mbajtur funk­sionin e zv/kryetarit të Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Në muajin shkurt 2002, emërohet Ministër i Rendit Publik, detyrë që e ushtroi deri në muajin gusht 2002. Në zgjedhjet lokale të vitit 2011, z. Çipa u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Sarandës, për një mandat 4-vjeçar. Më datë 13 Janar 2016, emërohet zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Më datë 03 Shtator 2018, emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Ka njohuri të mira të gjuhës angleze dhe greke. 

Në më pak se dy muaj në drejtimin e burgjeve shqiptare, z. Stefan Çipa ka shpalosur vizionin perëndimor të reformimit të këtij sistemi, duke synuar një përafrim të shpejtë me standardet perëndimore. Falë përvojës si ish drejtues i përkushtuar e me kompetencë në dikastere e bashki të rëndësishme të vendit, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Burgjeve ka evidentuar jo vetëm problematika serioze, por edhe zgjidhje efikase të tyre, në funksion të heqjes së çdo mundësie për të rënë në batakun e mitmarrjes apo korrupsionit si për punonjësit civilë e veçanërisht për Policinë e Burgjeve. Drejtuesi vizionar e kurajoz, Stefan Çipa, nuk heziton të pranojë një nivel korrupsioni shqetësues që ka infektuar sado pak thuajse çdo strukturë të Drejtorisë së Përgjithshme; duke filluar me IEVP, policët e regjimeve të brendshme e të jashtme, juristët, punonjësit e sektorit të edukimit, shefat e policisë, e deri tek drejtorët e IEVP, për të vijuar edhe në sektorët e ndryshëm pranë Drejtorisë së Përgjithshme. Pikërisht ky ekzaminim perfekt i situatës është dhe garancia e ndryshimit rrënjësor të saj në këtë sistem kaq të rëndësishëm. Pikësëpari ndryshimin e kërkuar numri një i këtij sistemi e sheh tek rritja e performancës në punën e çdo punonjësi, nga ai në burgjet më të largëta të vendit e deri në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Më hollësisht, problematikat, vizionin dhe synimet e tij për krijimin e një sistemi burgjesh të standardeve perëndimore, z. Çipa i shpalos në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “TELEGRAF”.

Halil RAMA