Sigal

Trashëgimtarja e mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanueli III flet për Shqipërinë. Kush ishte babai im, njerëzit me të cilët punoi për 7 vite, qytetet shqiptare dhe piktura e Heroit Kombëtar, Skënderbe

Eltona Lakuriqi

Zonja Jakomoni, kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

– Në Shqipëri kam shkuar, në qershorin e 1936-s. Në vitin 1936; isha vetëm dymuajshe dhe qëndrova deri në 1943-shin, pra janë shtatë vjet. Sigurisht kujtimet e mia të kësaj kohe janë të veçanta, sepse në fillim ne qëndronim në Tiranë, pikërisht në Legatën e vjetër, dhe atje ishte me të vërtetë… Kuptohet, isha tetëmuajshe, isha një vjeçe, dhe nuk mbaj mend asgjë; por një pamje të vilës së vjetër, të Legatës së vjetër, e kam ende. Nga ajo kohë atje kujtoj edhe një gjë për të qeshur: Shqiptarët i dhuruan dy arinj babait tim, dhe ai nuk dinte se çfarë të bënte me ta; dy arinj në kopsht. Ne na pëlqente kjo gjë; por arinjtë kërkonin që të na përqafonin, dhe është e rrezikshme, edhe pse është një gjë shumë e lezetshme. Pastaj u ndërtua te rruga e Elbasanit, vila, dhe ne shkuam atje lart. Atje ishim pak më të veçuar. Babai kishte jetën e tij, por ne vajzat e vogla qëndronim praktikisht gjithmonë atje, aty bënim edhe shkollën, nuk shkonim në shkollën e qytetit.

Si i shihnit ju marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë? Çfarë thoshte babai juaj për marrëdhëniet Itali-Shqipëri?

-Po, po jua them menjëherë. Sepse ne me prindërit… meqë ata ishin shumë të zënë, qëndronim pak me ta. Dhe qëndronim me një dado që rrinte atje bashkë me ne.

Dadoja ishte shqiptare apo italiane?

-Ishte…, ishte…, asnjë nga këto të dyja, (qesh) ishte nga Tiroli i Jugut. Unë e kam dashur shumë. Për mua ishte pothuajse një mama. Por, nga ato që dëgjoja, babai im, ndershmërisht, mund ta garantoj këtë gjë, i vlerësonte shumë, shumë, shumë, shqiptarët, dhe sidomos disa personalitete. Po, ato personalitete, njerëz të rëndësishëm që ka njohur; i konsideronte si njerëz shumë seriozë, shumë të ndershëm, shumë patriotë, shumë më tepër se sa kishte në Itali në atë periudhë, dhe i vlerësonte shumë, shumë. Pastaj edhe një gjë tjetër. Nuk e di nëse është shkruar në libër. Kur, në 1938-n, bënë ligjet raciale në Itali, ai në Shqipëri, i ndaloi, i pengoi, nuk pranoi fare që të kishte ligje raciale në Shqipëri, për hebrenjtë, apo jo? Është shkruar në libër? Unë nuk e mbaja mend, nëse ishte shkruar në libër, apo jo. Pasi u fol shumë në Itali për këtë gjë. Tashti dhe më pas… pasi… tani që është çasti, që flitet për Shoah-në. Tani doli prapë kjo çështje.

Për sa u përket botimeve, vetëm ky libër është botuar? Nuk ka pasur një botim tjetër?

Ecuria është pak a shumë kjo: Sepse pastaj babai, u sëmur, sepse pas viteve… pas viteve të kaluara në Shqipëri, ai u akuzua, u dërgua nga qeveria italiane sepse u akuzua që ishte… pastaj e futën në burg; shkoi në Proçida, ku kaloi dy vjet, me uniformën me vija të të burgosurve, tamam me atë, dhe atje u sëmur. Ia doli mbanë, të kthehej, kur u kthye, nisi që të shkruante. Po. Ministria e jashtme e riktheu në detyrën e mëparshme, sepse, thanë në proces… që ai kishte bërë vetëm detyrën e tij, e më pas e kishin thirrur të punonte si diplomat.

E kam lexuar

Me anë të procesit e rikthyen në detyrë plotësisht, më të gjitha të drejtat, si ambasador më të gjitha të drejtat, por në Proçida, në burg, atëherë, ishte një kështjellë shumë e ftohtë; dhe kështu ai u sëmur, prandaj u kthye në shtëpi. Por ishte psikologjikisht shumë i vrarë, ishte shumë i lodhur, dhe pastaj e shkroi librin, por më vonë nuk bëri asgjë tjetër.

Cila ka qenë sfida e parë me të cilën Ju është dashur që të përballoheni për një emër kaq të rëndësishëm?

Nuk e mora as si një sfidë, as si një gjë të mirë, as si një gjë të keqe; dhe as si një emër normal, të zakonshëm. Isha si mikeshat e tjera të vogla të mia të shkollës: normale, normale. Edhe sepse mamaja ime ishte një njeri që nuk ka dashur shumë që… Edhe ajo duke qenë më parë shumë e rëndësishme, shkonte për darka, për dreka…, por, pastaj, kur ndodhi gjithçka, ajo iu kthye jetës së qetë, nuk e konsideroi këtë si një tragjedi, iu përkushtua jetës sonë.

Do t’ju kishte pëlqyer që të jetonit përsëri për njëfarë periudhe në Shqipëri?

Po, kisha dëshirë që të kthehesha, sapo Guvernatori më tha kthehuni… Kisha shumë mall, edhe pse kisha qenë e vogël… Isha e vogël… Ndoshta fëmijëritë mbeten më të lidhura me personalitetin e njeriut. Gjithçka që një njeri ka në fëmijërinë e tij,… mbetet shumë i lidhur me to.

Cili ishte qyteti shqiptar që i pëlqente babait Tuaj?

Atij, nuk e di, për këtë gjë nuk kemi folur, por sigurisht, si bukuri, e dimë, Gjirokastra, pastaj Butrinti, natyrisht,… Gjirokastra, fliste më shumë me të (i referohet të shoqit), sepse ai ishte pak më i madh,

Shkodra?

Shkodra, po. Por në Shkodër nuk munda të kthehesha përsëri.

Butrinti? A fliste për gërmimet e Butrintit?

Për ato, po, sepse edhe ai ishte i pasionuar. Pastaj, edhe një gjë, që ka mundësi, që kjo është një ide e imja. Meqë ajo që ndodhi pastaj ka qenë shumë traumatike për familjen tonë, ne kemi vuajtur shumë më pas, natyrisht, me ne që ishim fëmijë nuk donte që ta kujtonte këtë pjesë të dhimbshme që erdhi më pas, mendoj unë, kështu e mendoj… Megjithatë ai nuk tregonte shumë gjëra. Ai kishte jetën e një njeriu normal…

Nga ç’kam lexuar, kam parë që ka punuar shumë.

Ai kishte shumë besim se mund të bënte diçka për Shqipërinë. Këtë detyrë të tij ai e kishte marrë shumë për zemër. U kundërshtua nga shumë italianë të tjerë, eh,…

Përveç angazhimit të tij në punë, përveç detyrës së tij në diplomaci, për sa i përket artit, artistëve, ç’marrëdhënie kishte me ta? A kishte shkruar ndonjëherë prozë, vargje?

, nuk ishte ai tip që merrej me art dhe me letërsi. Ishte vetëm, dhe vetëm një diplomat. Nuk ishte as politikan. Nuk ishte një politikan, ishte një diplomat. Me art do të ishte marrë nga ana kulturore. Por nuk ishte drejtimi i tij, jo…

Si e keni njohur burrin Tuaj?

Si e kam njohur atë? Pra… Motra ime ishte në botën diplomatike. Meqë edhe babai im ishte diplomat… Motra ime njohu binjakun e tij, njëlloj si ai, që ishte… që bënte konkursin diplomatik. Dhe atëherë, duke qenë binjaku, unë, me motrën time, frekuentoja të gjithë grupin e të rinjve diplomatë, dhe pastaj, njoha vëllanë e tij. Motra ime është…, unë jam dy vjet më e vogël… dy vjet e gjysmë saktësisht. Ajo është e 1933-shit, pra… për gjysmë viti jemi dy vjet… dhe për gjysmë viti jemi tre vjet: unë e 36-s, dhe ajo e 33-shit.

A Ju pëlqen të udhëtoni? Bëni gjithmonë udhëtime bashkë me burrin tuaj?

Kemi bërë udhëtime bashkë, për fat të mirë shumë të bukura, ai për arsye të punës së tij. Është profesor universiteti i historisë së arkitekturës, ka qenë më parë në Romë, në Firence e pastaj në Romë. Në fillim punonte si arkitekt. Ka punuar për shumë vite, dhe ende shkruan libra. Kemi në shtëpi shumë libra të shkruar prej tij. Kështu kemi shkuar në Indi, kemi shkuar në shumë shtete të botës. Ai udhëtonte shumë, sidomos në vitet e para: Punonte në Firence, dhe unë kisha dy fëmijë dhe rrija me ta, ndershmërisht, kur ai ishte në punë, ata ishin pa babanë e tyre. Kam bërë vetëm ndonjë punë të vogël, në fillim, sepse duhet të rrija me fëmijët. Kemi bërë shumë udhëtime për turizëm. Kemi qenë edhe në Kinë, në Japoni, në Rusi. Evropën e kemi vizituar pothuajse të gjithën.

A dini ndonjë gjë për heronjtë shqiptarë? Për shembull Skënderbeun?

Nuk mund të mos e njohësh Skënderbeun; përveç kësaj unë kam një pikturë të Skënderbeut në shtëpi, një pikturë shumë të bukur, por është një pikturë veneciane, nuk e di, nëse e kanë bërë venecianët apo shqiptarët. Dhe shkova për ta parë muzeumin e Skënderbeut, menjëherë.

A keni miq arbëreshë?

Jo. Nuk kemi miq arbëreshë, kemi pak miq në Pulia, në Kalabri. Prejardhja e familjes sime është, babai im nga Toskana, dhe mamaja nga Piemonte. Pra, nga jugu kemi pak miq.

Një urim, që ëndërronit t’ia jepnit, kur ishit e vogël, popullit shqiptar?

Kur isha e vogël, jo, isha tepër e vogël. Tani, uroj që populli shqiptar të bëhet përsëri një popull i madh. Do të më pëlqente pikërisht për babanë tim. Sepse ai do ta kishte dashur shumë këtë gjë. Ai paraqitej në sallonet e politikës italiane për të mbrojtur të drejtat shqiptare, kjo është e sigurt.

A do ta kishte dashur ai një bashkim midis Italisë dhe Shqipërisë?

Këtë ndershmërisht nuk e di.

Po Ju vetë çfarë mendoni për këtë gjë?

Unë besoj që jo… Tani gjendja është shumë më ndryshe nga ç’ishte atëherë…

Çfarë ju pëlqente në karakterin e babait tuaj? A mund të na jepni një shembull?

Dëgjoni, kishte një karakter shumë serioz, shumë të vendosur, nuk zemërohej kurrë. Kur zemërohej, ndodhte një herë në njëzet vjet. Kur ndodhte, ishte shumë i ekuilibruar. Ishte serioz, i qetë dhe i matur. Ishte gjashtëmbëdhjetë vjet më i madh se sa mamaja. Interesohej për gjithçka që do të ndodhte edhe më vonë. Interesohej për të rinjtë, për vlerat. Ishte një njeri i hapur, shumë i interesuar. Dhe nuk është se u mbyll në atë periudhë, në atë botë, jo, aspak.

Do të kisha dashur shumë, shumë që të kisha mundur ta njihja babain Tuaj…

Do t’i kishte pëlqyer, Ju betohem.

Emrin Tuaj, kush jua ka vënë? Raimonda…

Të dy prindërit bashkë, mendoj. Nuk e di. Nuk është një emër që e kanë marrë nga paraardhësit tanë të familjes. Ka Raimonda edhe në Shqipëri. A e dini, shkova në një restorant sicilian, që ndodhet këtu në Romë. Aty ishte një kameriere që quhej Raimonda, që shërbente nëpër tavolina. Është një emër shqiptar, më thotë, por nuk e di. Edhe unë quhem Raimonda.