Është një nga moderatoret më të ëmbla, më të bukura, më të zgjuara, por mbi të gjitha shumë profesioniste e ekraneve shqiptare, e që me daljen e parë të saj ka fituar zemrën e gjithë publikut shqiptar. E kemi fjalën për Alma Çelaj, e cila drejton emisionin: “Si të vishemi” në ekranin e TV Scan tashmë prej dy vitesh. Bukuroshen Çelaj e shohim çdo të shtunë në ekran, e cila me freskinë e thjeshtësinë e saj që e karakterizon, na njeh me të rejat më të fundit nga moda, çdo fundjavë së bashku me të ftuarit vip që ajo ka në studio. Në një intervistë për” Telegraf” Alma na tregon se si u gjend në ekranin e TV Scanit. Gjithashtu bukuroshja Çelaj na tregon se ka studiuar për gazetari dhe se e ka pasur një ëndërr që kur ishte e vogël, që të merrej me botën e televizionit dhe fushën e gazetarisë. Edhe pse një moderatore e re në televizon, Alma premton shumë për të ardhmen dhe pritet që së shpejti të arrijë majat e karrierës së saj në botën televizive, e cila sapo e ka nisur, por qe do jetë një rrugë e gjatë plot me sukses. E pyetur nëse ndjen konkurencë me moderatoret shqiptare, Alma ka një përgjigje shumë të bukur: fatmirësisht unë konkurroj me veten. Por për planet e ardhshme dhe për gjithça tjetër rreth Alma Çelaj, ne kemi pergatitur këtë intervistë për të gjithe adhuruesit e saj.

Alma, si u gjendët në ekran?

Ekrani më gjeti mua, në fakt. Kur kërkesa e oferta përputhen, lindin bashkëpunime shumë të mira siç ishte edhe rasti im me TV Scan. Dhe në shator të 2017 unë nisa si moderatore/gazetare e formatit të modës në Scan TV.

Çfarë ju shtyu për t’u bërë pjesë e ekranit?

Që herët kam dashur të jem pjesë e ekranit të vogël. Ndoqa studimet për gazetari politike dhe përgjatë studimeve punoja me kohë të pjesshme në radio, revistë apo edhe gazetë. Kështu që përveç dëshirës madhe për tu bërë pjese e ekranit, punova fort që kur të ndodhesha aty të isha gati.

Ju kujtohet dita e parë e daljes në ekran?

Më kujtohet, shumë mirë madje. Dalja e parë si prezantuese ka qënë në Top Channel në emisionin e mëngjesit në një rubrikë prej 15 minutash. Skenari më është dhënë në dorë vetëm pak minuta para daljes live dhe ndrojtja ime bashkë me ankthin bënë që të isha në siklet gjatë çdo minutë. Tani qesh kur kujtoj stresin e ditëve të para, edhe pse në çdo dalje unë vazhdoj të kem të njëjtin emocion madje kam edhe një moto timen “Nëse sdo kisha emocion dhe frikën e bukur të ekranit në çdo dalje nuk do isha duke bërë punën e ëndrrave të mia”.

Ju kini studiuar për gazetari. Sa të vështirë e shikoni për të ecur përpara në këtë fushë?

Unë kam studiuar për gazetari politike siç e përmenda edhe më sipër, dhe njohuritë i kam qoftë për gazetarinë që mbulon fusha të ndryshme, qoftë për të moderuar. Të vështirë nuk e konsideroj të punuarit në këtë fushë, por nuk është një punë e cila mund të bëhet pa patur edhe pasionin brenda. Është një profesion pa orare dhe me shumë impenjim ndaj duhet forcë, dëshire e dashuri për këtë punë. Patjeter edhe mbështetja e njerëzve që na rrethojnë.

Sipas jush ku ‘çalon’ gazetaria në ditët e sotme?

Ndonëse e re në profesion kam vënë re që gazetaria ka humbur besimin dhe jo për shkak të aftësisë së gazetarëve, por për shkak të paaftësisë së tyre për t’u mbrojtur nga sulmet që vijnë nga politika apo grupet e tjera të interesit. Ky brez gazetarësh është pionier i valës së rrjeteve sociale dhe portaleve. Unë besoj se, këto janë pikërisht e ardhmja e gazetarisë, ndaj ata që i tremben asaj janë të prirur të përpiqen ta përbaltin atë. Nga ana tjetër e medaljes, vetë gazetarët duhet të kuptojnë se aq sa avantazhe sjell teknologjia, mbart me vete po aq dhe disavantazhe. Ajo duhet të jetë një armë më shumë në arsenalin e tyre dhe jo një komoditet që i drejton nga përtacia.

Për të qenë një gazetare e mirëfilltë çfarë duhet, sipas jush?

Lexo, kërko dhe shkruaj çdo ditë. Dhe mos harro të jesh kureshtar! Për këto jam e sigurt që janë parimet bazë për secilin prej nesh, duke mos lënë jashtë edhe të qënit objektiv dhe jo paragjykues apo gjykues, për çdo lloj situate apo personazhi që na vjen përballë.

Jeni një moderatore e re, ku e shikoni veten në të ardhmen?

Në televizion e asgjëkundi tjetër. E dua këtë punë dhe uroj që të realizoj qoftë edhe një pjesë të vogël të ideve e projekteve që kam në mend. Por diçka është e sigurt, do jem gjithmonë në ekran dhe nuk ka gjë që më bën të heq dorë nga ky profesion.

“Si të vishemi” një emision mode, si erdhi ky format?

E gjeta në fakt gati në Tv Scan dhe kam ndryshuar subjektin e disa aspekte të tjera të xhirimit. “Si të vishemi” është një format mode tashmë që ka në fokus një personazh VIP i cili vishet dhe vlerësohet gjatë emisionit. Ky format shërben që ta njohë publikun me të ftuarin VIP paksa më ndryshe, ta shohë në aspektin estetik dhe jo vetëm.

E meqenëse ky emision ka tendencat më të fundit të modës, ju sa e ndiqni modën ?

Të gjitha ne vajzat kujdesemi të informohemi mbi modën dhe unë nuk bëj përjashtim. Emisioni më ka bërë të jem më e kujdesshme dhe pothuajse çdo ditë lexoj nga revistat prestigjoze online për të qënë në dijeni të çdo risie si dhe njihem me sfilatat e fundit falë “Vogue”.

Cilat nga moderatoret shqiptare do ta merrnit si model?

Asnjërën. Të gjitha janë shumë të mira në fushën e tyre dhe gëzohem kur shoh që ekrani ka një përqindje të lartë të prezantueseve femra. Si model nuk marr asnjë pasi jo vetëm unë, por të gjitha prezantueset e reja duhet të jenë versioni më i mirë i vetes së tyre.

Më thoni tre tipare dalluese të Almës?

E dashur shumë, te paktën kështu thonë, e gjej të mirën kudo edhe kur gjërat marrin për dreq dhe e treta, jam shumë e dhënë pas filmave.

Mund të më tregoni një moment vërtet të sikletshëm që keni përjetuar?

Vonesat e personazheve VIP në emision kur i fton. Kemi patur një të ftuar këtë sezon që e telefononim nga vendi i xhirimit dhe ajo s’e hapi kurrë. Të nesërmen dha një justifikim të vogël po që nuk piu ujë farë, (shaka) gjithmonë mbetemi miq të mirë me secilin nga të ftuarit e emisionit.

Çfarë hobesh ka Alma?

Më pëlqen ta shpenzoj kohën duke parë filma dhe mesa kam numeruar jam mbi 600 filma të parë në 3 vitet e fundit. Një hobi tjetër është qitja, por që me kohë të kufizuar në aq hapësira sa ofron Tirana për këtë lloj sporti.

Ju fituat dhe një çmim si gazetarja më e pëlqyer, si u ndjetë?

Çmimi që fitova në dhjetorin e 2018-s ishte për “Gazetaren më të pëlqyer” dhe ky çmim u dha nga drejtoresha e “Scan Media Group”, Elvana Hana. Ky lloj vlerësimi do të thotë shumë për mua e ndonëse e re në këtë fushë motivon për më shumë punë dhe impenjim.

Çfarë do t’i këshillonit gjithë moshatareve tuaja për të arritur aty ku duan?

Duajeni shumë veten e duke dashur veten mund të doni gjithë të tjerët rreth jush. Më besoni që energjia e mirë mund t’ju sjelli gjithë të mirat!

Intervistoi: Era Çela