Flet Ahmet Premçi: SHÇB të hetojë dhunën policore në universitete. Drejtimi politik, ka kapitulluar policinë. Siguria publike ka marrë goditje të rëndë. Nuk janë dënuar drejtuesit e policisë që bashkëpunuan me trafikantët e kanabisit

590
Sigal

Ahmet Premçi, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Policia e Shtetit e ka braktisur misionin e saj, është bërë një vegël në duart e kryeministrit

Kur drejtuesit e Policisë së Shtetit merren me trafik narkotikësh, çdo të bëjë një punonjës i ndershëm policie?! Siguria publike për qytetarët ka marrë goditje të rëndë, situata është vërtet alarmante dhe e rrezikshme. Policia, me këtë drejtim politik që ka, është e kapitulluar

Jakup B. GJOÇA

Ahmet Premçi, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon, se Policisë së Shtetit i kanë “lidhur” duart dhe nuk e lënë të kryejë misionin e saj, të luftojë krimin, sepse eksponentët e krimit janë bërë deputetë, zyrtarë të lartë të administratës publike. Zoti Premçi thotë se me këtë drejtim politik, Policia e Shtetit është e kapitulluar. Zoti Premçi shprehet se policia e shtetit u lë terren të lirë grupeve kriminale, ndërkohë që gjobit qytetarët, arreston 48.000 të pafajshëm për gabime të vogla. Zoti Premçi ngrë edhe një pyetje: Përse nuk janë arrestuar ata që numëruan kanabisin? Për dhunën policore në universitetet, zoti Premçi thotë se veprimet e policisë u diktuan nga kryeministri Rama, ndërkohë që “Korpuset universitare janë pothuaj njëlloj me selitë diplomatike, në pikëpamjen e rëndësisë dhe kujdesit që shteti duhet të ketë. Është e papranueshme që policia e shtetit të futet në ambientet universitare për të penguar të drejtën themelore të studentëve dhe pedagogëve, atë të protestës”.

Zoti Premçi a e lejon ligji Policinë e Shtetit të futet në mjediset universitare (ditët e para ishte edhe pa kërkesë të administratorëve)?

Policia e Shtetit hyn në çdo ambient kur sinjalizohet për ndodhjen e një vepre penale të rëndë. Rasti që flasim nuk është i tillë. Korpuset universitare janë pothuaj njëlloj me selitë diplomatike në pikëpamjen e rëndësisë dhe kujdesit që shteti duhet të ketë. Është e papranueshme që policia e shtetit të futet në ambientet universitare për të penguar të drejtën themelore të studentëve dhe pedagogëve, atë të protestës. Universiteti është i studentëve dhe pedagogëve dhe dhuna policore në çdo rast është një vepër penale. Në kushte normale, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme në MB duhet të inspektonte dhe të hetonte rastin për të penguar veprimet e paligjshme të policisë, me qëllim që veprime të tilla të mos përsëriten.

A është e ligjshme deklarata e ministrit Lleshi, se ata studentë protestues janë disa veta që pengojnë mësimin, prandaj ndërhyri Policia e Shtetit?

Për mendimin tim veprimet e policisë në universitete diktohen nga Kryeministri nëpërmjet Ministrit Lleshi. Edhe Lleshi nuk është i bindur për ato që bën dhe thotë, pasi tashmë gjithkush është i sigurt, që këtu në këtë vend bëhet vetëm çfarë thotë e mendon Edi Rama. Kjo lidhet dhe me konceptin që kryeministri ka të ngulitur se policia është e tij, ndaj e fton të votojë Partinë e tij në zgjedhje!… Ministri Lleshi duhet të ketë parasysh që edhe protesta e një personi të vetëm duhet respektuar.

Mendoni se dhuna policore ndaj studentëve protestues, por edhe ndaj banorëve protestues të “Unazës së Re” është veprim i disa policëve të painformuar, apo është …udhëzim?

Për çdo veprim që kryen policia ka rregulla të shkruara se si duhet të veprojë. Nuk mundet asnjë punonjës policie të kryejë veprime të paligjshme, pasi në rastin e menaxhimit të protestave, punonjësit e policisë duhet të instruktohen për të pasur kujdesin maksimal në mbarëvajtjen e protestës, kontrollin e elementëve keqbërës, që mund të shfrytëzojnë protestën për të kryer akte kriminale etj., etj. Policia nuk jep leje për protestat, ajo thjesht informohet që të jetë prezent për mbarëvajtjen e saj. Si rregull policia dhe prokuroria duhet të kishin zbardhur hetimin e skandalit të “Unazës së Re”. Ai po, që është krim shumë i rëndë dhe jo protesta e banorëve që po humbin shtëpitë nga arroganca dhe vjedhja qeveritare.

Drejtori i Policisë Zoti Qato pardje deklaroi se Policia do luftojë kriminelët. Kujt i shërbejnë këto deklarata? (A është detyra e drejtuesve të Policisë së Shtetit ta deklarojnë publikisht luftën kundër Krimit?)

Drejtuesit e policisë dhe policia nuk bëjnë deklarata se do të luftojnë grupet kriminale, pasi taksapaguesit këtë presin çdo ditë. Ata bëjnë detyrën dhe kryejnë misionin për të cilën janë betuar dhe paguhen që është pikërisht lufta kundër krimit. Policia prodhon rezultate në këtë luftë 24 orë në 24 dhe informon opinionin publik se çfarë ka arritur në goditjen e grupeve kriminale. Ka 6 vjet që nuk po e bën këtë gjë, dhe kjo që them është e vërtetë, ndonëse me shumë dhimbje e deklaroj. Kryeministri gjithçka në vend e ka kthyer në propagandë dhe fasadë. Atij i intereson ekrani i televizorit, fasada dhe kronikat bombastike të sukseseve imagjinare dhe kurrsesi e vërteta dhe jeta e vështirë e qytetarëve të tij. Dhe kjo deklaratë është lexuar dhe e thënë në këtë kontekst.

Ngjarje shumë të rënda kriminale kanë ndodhur ditët e fundit. Në qendër të Tiranës, në mes të ditës kriminelët veprojnë lirisht, vjedhin, rrëmbejnë pengje, vrasin dhe pastaj, sipas deklaratës së Policisë, ikin në drejtim të paditur. Sa siguri publike për qytetarët garanton Policia e Shtetit?

Çelësi i suksesit të policisë në luftën kundër krimit është së pari vullneti politik. Kjo i mungon policisë së shtetit. Me Edi Ramën kryeministër, eksponentë të krimit të organizuar u bënë prej tij deputetë, drejtues institucionesh, drejtues të strukturave të partisë socialiste etj. Policia i shikon këto gjëra dhe është e pamundur dhe e pamotivuar të bëjë punën e vet, që bie ndesh me Kryeministrin. Platforma e kanabizimit të vendit me në krye Kryeministrin dhe ministrin Tahiri ishte një goditje e madhe për organizatën e policisë. Implikimi i banditëve në të gjithë vendin për të blerë vota e për të qenë në krah të pushtetit, për të fituar me domosdo zgjedhjet, kjo është situatë që ndodh në sytë e punonjësit e policisë, mirëpo kjo gjë është krejt demotivuese dhe asgjësuese për ta. Kur pushteti me krimin janë njësh, duke shkëmbyer favore me njëri tjetrin, çfarë mund të bëjë polici i thjeshtë?! Kur drejtuesit e tyre merren me trafik narkotikësh, çdo bëj një punonjës i ndershëm policie?! Prandaj them se siguria në vend ka marrë goditje të rëndë, situata është vërtet alarmante dhe e rrezikshme. Policia me këtë drejtim politik që ka është e kapitulluar. Duhet thënë se në organizatën e policisë së shtetit ka njërës të padenjë edhe të inkriminuar, por e them me siguri që ka më pak se në Qeveri, më pak se në grupin parlamentarë të PS, më pak se në administratë, më pak se në gjyqësor, kjo e llogaritur në raport me numrin total të tyre. Policia me ligj plotëson objektivat dhe prioritet e qeverisë, por nuk duhet të udhëhiqet nga besnikëria politike, siç ndodh në të vërtetë, por nga filozofia morale dhe profesionale.

Cilat janë arsyet, shkaqet e paaftësisë së Policisë së Shtetit që të luftojë krimin e organizuar?

Nuk mendoj se është e paaftë policia, ajo është e pamundur. Ajo është me krahë të lidhur, nën trysni, pa motiv, pa kushte ekonomike, pa mjete dhe me e keqja, e denigruar nga pushteti i bërë njësh me krimin. Është e çuditshme që këto 6 vjet vetë qeveria nëpërmjet ministrave të Brendshëm akuzojnë policinë si të inkriminuar, policinë që e kanë vetë në administrim. Tahiri hoqi 467 oficerë policie me eksperiencë, duke i etiketuar si këmba e krimit në polici. Asnjë prej tyre nuk u arrestua dhe nuk u dërgua para drejtësisë. Sot kemi këta oficerë që paguhen, pasi kanë fituar të drejtën në Gjykatë, por paguhen dhe ata që Tahiri mori dhe i zëvendësoi. Paguajmë dy polici dhe rend e siguri nuk ka në vend. Dua të theksoj se në vitet ku drejtoja Policinë e Shtetit kishim një numër shumë më të pakët punonjësish policie, të paguar më pak, të veshur më keq dhe nuk mbeti bandë e gangster në të gjithë vendin pa u arrestuar dhe përballur me drejtësinë. Plotësuam kriteret për anëtarësimin në NATO, plotësuam kriteret për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe heqjen e vizave dhe rritëm bashkëpunimin policor me vendet partnere në një nivel besueshmërie të pa imagjinuar më parë. Por kryeministri Sali Berisha nuk drekonte me kriminelë, nuk iu jepte tenderë atyre, nuk emëronte në administratë banditë, nuk i kishte në grupin e tij parlamentar. Po kështu as Bujar Nishani e Lulzim Basha, ministrat që unë punova. Po ta çlirojnë policinë nga diktati politik dhe lidhjet kriminale do shikoni rezultate spektakolare në luftën kundër krimit, pasi policia ka në gjirin e saj oficerë mjaft të aftë, të ndershëm e të zot për ta përmbushur më së miri misionin. Policia e ka treguar më së miri që ka kapacitete dhe energji për ta bërë punën e saj, kur është lënë në punën e misionin e vet.

Edhe nga ish-ministri Xhafaj është thënë me nënkuptim, se segmente dhe drejtues të Policisë së Shtetit janë kriminalizuar dhe kanë bashkëpunuar me krimin. Pyetja është: Me dijeni politike? Dhe a është dekriminalizuar sot Policia e Shtetit?

Ajo çfarë Xhafa tha për kriminalizimin e segmenteve të policisë ishte dhe është evidente dhe sot. Derisa kemi në kërkim drejtues të lartë policie për trafik narkotikësh kjo gjë është e dukshme dhe ulëritëse. Çdo Ministër socialist sapo merr detyrën akuzon policinë si të inkriminuar dhe askënd nuk dërgojnë para drejtësisë, ndërkohë që kanë në dorë instrumentin ligjor të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme, që investigon e heton çdo punonjës policie. Vjen Lleshi dhe justifikon çdo lëvizje me tezën e inkriminimit të policisë dhe sërish askush nuk ndëshkohet. Kanabizimi ka ndodhur absolutisht me dijeni dhe platformë politike. Nuk mundet një drejtor policie të udhëheqë kultivimin e narkotikëve dhe pastaj të drejtojë trafikimin e tyre pa vullnetin e ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit. Se nuk ishte një rast i shkëputur, por ishte i shtrirë në të gjithë vendin, në të gjitha drejtoritë vendore të policisë. Këto janë të qarta në sytë e gjithkujt dhe me pasoja shumë të rënda për policinë. Ata punonjës policie që kanë numëruar bimët narkotike të mbjella në të gjithë territorin e vendit dhe kanë marrë para nga eksponentë të krimit të organizuar, janë në punë sot, të pa hetuar, të pa ndëshkuar, të pa dënuar. Pse nuk i procedojnë?! Vetëm deklarata politike. Prokuroria dhe Shërbimi Inteligjent në MB kanë bërë sehir në gjithë këtë histori. Insistoj të them se përgjegjësia kryesore është e Kryeministrit të vendit për këtë gjendje, ku është Policia e Shtetit sot. Akuzojnë policinë ministrat kur marrin detyrën dhe justifikojnë çdo ndryshim e lëvizje në polici me këto teza, pastaj dështojnë dhe ikin. Kemi tre ministra këto vite që bëjnë të njëjtën gjë vetëm akuzojnë për polici të inkriminuar dhe askush nuk shkon para drejtësisë, asnjë! Policia nuk flet. Nuk flet sepse s’e lejon ligji të flasë. Dy tre oficerë që folën, janë arratisur në azil. Të drejtën e fjalës dhe akuzave i kanë vetëm politikanët që flasin, bëjnë dëme të mëdha dhe s’mbajnë përgjegjësi për asgjë!…

Zoti Premçi pse Policia e Shtetit është kaq e zellshme ndaj drejtuesve të automjeteve me gjoba? A është Etike që kudo në rrugët e qyteteve shikojmë policë me blloqet e gjobave në duar, ndërkohë që Policia mungon në patrullim e në rrugët nacionale?

Për të lënë terren të lirë grupeve kriminale që të veprojnë të qetë së bashku më pushtetarët për të fituar para nga krimi e më pas për t’i investuar e pastruar këto para me origjinë kriminale, kanë orientuar policinë në kurriz të qytetarëve të thjeshtë e kryesisht në gjoba të qarkullimit rrugorë, në arrestimin e rreth 38.000 qytetarëve që s’kishin mundësi të paguanin energjinë elektrike, në arrestimin e qindra e mijërave që kërkonin të lyenin muret apo të rregullonin çatitë e shtëpive etj. Prandaj imitoj të them se policia është e keqpërdorur këto vite dhe rezultati është ky realitet që shohim çdo ditë.

Sipas jush, pse u anulua konkurrimi i kandidatëve për komisarë policie?

Me sa jam informuar nga mediat këto konkurrime janë të paracaktuara dhe korruptive. Sistemi i konkurrimit dhe promovimit të punonjësve të policisë nuk duron ndërhyrje e lista të parapërgatitura e të paracaktuara politike. Përfshirja e misioneve të huaja në këtë proces; si ICITAP dhe PAMEKA, kanë një rëndësi të madhe, pasi nuk duhet të lejojnë gjëra të tilla. Unë në ato vite nuk kam pasur asnjë kontestim qoftë dhe të një individi të vetëm nga organizata e policisë.

Çfarë i mungon Policisë së Shtetit që të jetë garantuesja e Rendit Publik për qytetarët dhe e zonja të luftojë (sidomos) krimin e organizuar?

I mungon vetëm vullneti i hekurt politik. Kur kemi Ministra të brendshëm të akuzuar për trafik droge, ministër të brendshëm me vëllain të dënuar për trafik droge, deputet kriminel të dënuar, punonjës e drejtues administrate eksponent të krimit të organizuar, çfarë do bëjë punonjësi i policisë, pse duhet t’ia drejtojmë gishtin atij dhe jo personave që e krijuan këtë situatë?!…