Fadil Kepi/ Pensionet për pedagogët, emigrantët, mekanikët, të vetëpunësuari, punonjësit e PVC dhe të spitaleve

1621
Pyetje
Merita Sulo nga Tirana shkruan: Jam e datëlindjes 17.06.1955 dhe kam punuar 23 vjet në spital, ndërsa 5 vjet kam qenë e internuar nga mosha 20 deri 25 vjeçe, e dokumentuar me vërtetimin e marrë nga Ministria e Brendshme. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension dhe a quhet vjetërsi pune periudha e internimit ?
Sigal

Përgjigje

Ju moshën e pensionit e plotësoni më 17 gusht të këtij viti, në moshën 60 vjeçe e 2 muaj. Për pension të plotë do t’ju kërkohen 35 vjet e 4 muaj punë të siguruara gjithsej në vendin tonë përfshi dhe periudhën që keni qenë e internuar. Mbështetur në ligjin nr.7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve politikë” dhe Udhëzimit nr.2, datë 04.01.1992, për zbatimin e ligjit të mësipërm: “Koha e internimit dhe dëbimit njihet vjetërsi pune për pension nga mosha 15 vjeç”. Me 28 vjet punë që ju keni në moshën 60 vjeçe e 2 muaj do të përfitoni pension të pjesshëm të barabartë me 80% të pensionit të plotë i cili llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që keni me 35 vjet e 4 muaj që duhen për pension të plotë. Nëse i keni mundësitë financiare, para plotësimit të moshës së pensionit keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare duke paguar 57.024 lekë për një vit dhe përfitoni pension më të lartë. Për çdo vit pune që mund të siguroheni pensioni shtohet rreth 3%. Dokumentet për pension mund ti plotësoni dhe dorëzoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë edhe para plotësimit të moshës së pensionit. Gjithashtu sipas Vendimit të Qeverisë nr.8, datë 14.01.2015, “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 Kwh në muaj”, botuar në Fletoren zyrtare nr.3, ju keni të drejtë të aplikoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në rrugën “Myslym Shyri”, për të përfituar edhe 648 lekë në muaj, duke paraqitur në sigurimet shoqërore, dokumentet që përcaktohen në vendimin e mësipërm të Qeverisë. 

Pyetje

Një pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë shkruan: Më 15 shtator të këtij viti plotësoj moshën 65 vjeç. Prej disa vitesh kam fituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe kam rreth 40 vjet punë të siguruara. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension, a kam të drejtë të vazhdoj punën edhe pas moshës së pensionit dhe a përfitoj pension suplementar? 

Përgjigje

Ju do të dilni në pension të plotë në moshën 65 vjeç. Mbështetur në Ligjin e Arsimit të Lartë vetëm pedagogët me gradën shkencore “Profesor” dalin në pension të plotë 68 vjeç pavarësisht nga gjinia. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.478, datë 16.06.2010, punonjësit e institucioneve buxhetore dalin në pension me plotësimin e kushteve, me qëllim të punësohen të rejat e të rinjtë të cilët plotësojnë kushtet e caktuara. Bazuar në ligjin nr.10139, datë 15.05.2009, botuar në fletoren zyrtare 87, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të Universiteteve, të Shkollave të Larta, të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike”, pension suplementar përfitojnë vetëm pedagogët me gradë shkencore “Profesor” dhe “Drejtues Kërkimesh” i cili llogaritet me 1,3% të pagës referuese për vit pune me gradën e mësipërme shkencore dhe 1,1% të pagës së mësipërme për çdo vit pune me gradën “Asistent Profesor” dhe “Mjeshtër kërkimesh”. Para daljes në pension në zbatim të vendimit të Qeverisë nr.493, datë 06.07.2011, “Për Fondin e veçantë”, botuar në Fletoren zyrtare 114, ju takon deri një rrogë mujore shpërblim. Dokumentet e pensionit mund ti plotësoni e dorëzoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore edhe para plotësimit të moshës së pensionit.

Pyetje

Në letrën e tij Gëzim Fejzo nga Vlora trajton këtë problem: Jam i datëlindjes 06.01.1950 dhe kam punuar gjithsej 26 vjet i siguruar, nga të cilat 16 vjet në repartin e elektrolizës në ish uzinën e PVC-së në Vlorë, që për efekte të përfitimit të pensionit është konsideruar punë shumë e vështirë ose e kategorisë së parë. Me kushtet e mësipërme, pyes, kur e plotësoj moshën për pension ?

Përgjigje

Mbështetur në ligjin nr.104/2014, datë 31.07.2014, botuar në Fletoren zyrtare 137, i cili ka hyrë në fuqi nga 01.01.2015, ju do të përfitoni pension të plotë në moshën 65 vjeç nëse do të keni 37 vjet punë të siguruara në vendin tonë, pavarësisht se ku keni punuar. Me 26 vjet punë po në moshën 65 vjeç do të merrni pension të pjesshëm në masën 70,3% të pensionit të plotë cili llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që keni me 37 që duhen për pension të plotë. Masa e pensionit të pjesshëm dhe të plotë varet nga paga mesatare e gjithë viteve të punës shumëzuar me koeficientet përkatës të caktuara nga Qeveria. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Vlorë. Nëse dokumentet e pensionit i plotësoni dhe dorëzoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Vlorë brenda këtij viti pensionin do ta përfitoni nga data 6 janar 2015. 

Pyetje

Dy bashkëshortë nga Elbasani shkruajnë: këtë vit plotësojmë moshat për pension, por prej disa vitesh jemi të vetëpunësuar në një biznes privat (rrobaqepësi) Pyesim, mbasi daljes në pension nëse vazhdojmë në punojmë, ç’farë detyrimesh kemi ndaj shtetit?

Përgjigje

Mbas daljes në pension ju keni të drejtë të përfitoni njëkohësisht pensionin, shtesat që bëhen me vendim qeverie dhe të ardhurat në biznesin tuaj, por jeni të detyruar të paguani ndaj shtetit detyrimet financiare sikur nuk keni dalë në pension si tatimet dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe kur ta rileni punën për vitet që keni punuar mbi moshën e pensionit nuk merrni pension shtesë.

Pyetje

Qemali nga Durrësi shkruan: Më 16.07.2015, plotësoj moshën 64 vjeç dhe kam punuar 40 vjet mekanik dhe makinist në hekurudhë. Meqenëse vitin e kaluar mu shkurtua vendi i punës, dola në asistencë të cilën e mbaroj më 15 korrik 2015. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të marrë pension dhe të plotë dhe të reduktuar ?

Përgjigje

Ju në pension të plotë dilni në moshën 65 vjeç më 16 korrik të vitit 2016, ndërsa me dëshirë në pension të reduktuar mund të dilni në moshën 64 vjeç nëse nuk do jeni në punë, i vetëpunësuar dhe nuk keni tokë sipas ligjit. Periudha që jeni paguar me asistencë ju quhet vjetërsi pune. Pensioni i reduktuar llogaritet me 0,6% më pak për çdo muaj që del para moshës 65 vjeç, ose 7,2% më pak për një vit. Ky pension shtohet sa herë rriten pensione e tjera por mbetet i reduktuar edhe pasi të plotësoni moshën 65 vjeç. Periudha që mund të keni qenë ushtar dhe viti i paguar me asistencë për efekte pensioni ju quhet vjetërsi pune. Për sqarime më të hollësishme mbasi të mbaroni pagesën e papunësisë dhe ta shënoni në librezën e punës, paraqituni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës.

Pyetje

Nilda Jubani me banim familjarisht në Amerikë shkruan: Jam e datëlindjes 21.07.1954 dhe në Shqipëri kam punuar 25 vjet. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension, dokumentet dhe procedurat që duhet të ndjek.

Përgjigje


Ju e keni plotësuar moshën e pensionit nga data 21.07.2014, në moshën 60 vjeçe dhe për pension të plotë duhen 35 vjet punë të siguruara përfshi dhe periudhën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, të dokumentuar me kopjen e diplomës së noterizuar. Me 25 vjet punë do të përfitoni pension të pjesshëm me 71,5% të pensionit të plotë i cli llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që keni më 35 vjet që duhen për pension të plotë. Meqenëse ju keni plotësuar moshën e pensionit nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës. Dokumentet që duhet të plotësoni, ju ose ndonjë person tjetër që mund të autorizoni, në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në rrethin ku keni banuar në vendin tonë janë: Libreza e punës, certifikatë të gjendjes familjare, të martesës, fotokopje e kartës së identitetit ose pasaportës, vërtetim e pagës nga 01.01.1994 deri ditën që keni ndërprerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës. Dokumentet e mësipërme po të dorëzohen para datës 21 korrik të këtij viti, sigurimet shoqërore do t’ju llogarisin pensionin nga dita që keni plotësuar moshën 60 vjeçe. Nëse i dorëzoni mbas datës 21.07.2015 pensioni fillon t’ju paguhet nga dita që do të dorëzoni dokumentet. Pensioni në vendin tonë paguhet një herë në muaj në lekë dhe mund ta tërhiqni deri në 3 vjet. Sa herë shtohen pensionet në vendin tonë rritet e pensioni i juaj pa qenë nevoja të plotësoni dokumente shtesë. Nëse paraqiteni ta merrni pensionin mbas 37 muajve merrni vetëm pensionin e 36 muajve të fundit. Ju keni të drejtë të autorizoni një person tjetër për ta tërhequr pensionin në Shqipëri deri në 6 muaj, por autorizimi duhet të jetë i noterizuar ose të autorizoni sigurimet shoqërore që pensioni çdo muaj t’ju depozitohet në bankë sipas kushteve të përcaktuara.