Enkeleida Zeko: Emisioni Fair-play “Rusi 2018”, programi kampion i Botërorit në Shqipëri. Emocionet gjatë 29 emisioneve me 170 të ftuar

109

INTERVISTA/ Gjatë ditëve të Kampionatit Botëror “Rusi 2018”, janë paraqitur disa emisione në ekranet e televizioneve në Shqipëri, ja si vijnë emocionet e ideatores së programit më të ndjekur sportiv

Nga Agron KAJA

Të shkruash sot në gazetë për Botërorin “Rusi 2018”, kur të gjithë sy e veshë janë të përqendruar në ekranet e televizioneve, ndoshta mund të duket si paradoks. Por, kur shkruan për ato figura që ekranin e televizionit ku punojnë, na e sjellin më pranë me kulturën e profesionalizmin e tyre, radhët në gazetën “Telegraf” bëhen domosdoshmëri. E në këtë rast, për një nga gazetaret sportive më të spikatura, më të veçantë, pse jo dhe në krye të klasifikimit të profesionistëve të vërtetë në ekran. Në intervistën e saj për gazetën “Telegraf”, ideatorja e emisionit “Fair-play Rusi 2018”, Enkeleida Zeko, tregoi gjithçka, jo vetëm për emisionin, por edhe për pasionin e dëshirën e saj në performancat profesionale.

 

Në këto ditë e nxehta të qershorit e korrikut, ju i keni sfiduar ekranet me emisionin tuaj, e ndjeni lodhjen, apo kënaqësinë e profesionit?

Më shumë ndjej kënaqësinë e profesionit, sepse Botërori është një nga kulmet e shfaqjes së vlerave të një gazetari sportiv, dhe gama e gjerë e emisioneve dhe të ftuarit e shumtë, më kanë dhënë kënaqësinë, përtej lodhjes.

Sa e lehtë është për një femër, një grua, që përkushtohet ekranit non stop, përpos detyrimeve familjare?

Është e vështirë, sepse Botërori ka impenjim të madh e të përditshëm, dhe impenjimet familjare, por edhe si nënë, kanë qenë të mëdha në këtë periudhë. Por, të gjitha vështirësitë bëhen të përballueshme, sepse unë punoj si profesioniste në ekran.

Sa emisione keni drejtuar për atmosferën para dhe gjatë këtij Kampionati Botëror?

Deri më sot (dje në mbrëmje), kam zhvilluar 29 emisione të pandërprera. Të gjithë emisionet i janë kushtuar ditës së Botërorit “Rusi 2018”, por edhe me ngjarjet që e kanë pasuar këtë atmosferë. Realisht, ky emision ua ka sjellë më afër Botërorin në ekran.

Nëse ju pyes për një numër të përafërt të ftuarish në studio, i keni të gjithë në kujtesën tuaj?

Sigurisht që po (Shikon listën), janë më shumë se 170 persona të ftuar deri tani në emisionin tim “Fair-play Rusi 2018”. Unë i kam të gjithë në kujtesë, janë personalitete të fushave të ndryshme të jetës sonë në Shqipëri, të cilët pa përjashtim i falënderoj për atmosferën ndryshe dhe të bukur, që ata kanë sjellë në këtë emision.

Cili nga këto emisione 29 ka qenë më i vështirë ka qenë më i vështirë, në kuptimin e atmosferës në studio?

Çdo emision ka patur specifikën e vet. Por, në studio jemi ndjerë pak ndryshe në emisionin e datës 29 qershor, kur Gjermania u eliminua në Grupin F, pas humbjes 0-2 me Korenë e Jugut. Atmosfera në studio ndryshoi, për shkak të tifozëve të shumtë që ka skuadra gjermane.

Në ambientet publike, por edhe ato mediatike, kuotoheni si emisioni me paraqitjen më profesionale të Botërorit, ju e keni ndjerë këtë si vlerësim, si trysni, apo realitet?

Po, dhe jo vetëm tani në këto emisione për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, por gjatë gjithë vitit, në trajtimin e vlerave tona sportive në Fair-play. Kemi qenë në vendin e parë me shikueshmërinë më të lartë televizive, në raport me analoget e tjera.

Emisioni “Fair-play Rusi 2018” e paraqet atmosferën e Botërorit sikur të jetë aty edhe Shqipëria, cili është sekreti juaj?

Në fakt, edhe ne si shqiptarë jemi brenda këtij Botërori, që në startin e tij. Së pari me Era Istrefin që këndoi këngën e çeljes së këtij eventi të madh futbollistik, e më pas me shqiptarët e Zvicrës që lanë gjurmë të pashlyeshme, duke na bërë krenarë të gjithëve.

Duke qëndruar tek Botërori, sot dhe nesër do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale, çfarë risie do të ketë emisioni juaj “Fayr-play”?

Vetë ndeshjet që do të luhen nga nesër (sot), janë risia e këtij Botërori. Surprizat që ka dhuruar ky Kampionat Botëror në 60 ndeshjet e luajtura, nëse do të vazhdojnë të jenë prezente, do t’i japin një këndvështrim më ndryshe edhe emisionit “Fair-play Rusi 2018”.

Vetë ju Enkeleida, bëni tifo për ndonjë nga skuadrat që luajnë në këtë Kampionat Botëror?

Në fakt, kur unë jam në emision, nuk ndjehem tifoze, apo dashamirëse e skuadrave të veçanta. Realisht jam tifoze e Italisë, por kur jam në “Fair-play”, nuk e shoh veten brenda një skuadre, apo individi të veçantë. Profesionalizmi më imponon të jem me të gjitha skuadrat.

Do ta vazhdoni këtë atmosferë në ditët pas përfundimit të Kampionatit Botëror?

Ditën e dielë, datë 15 korrik 2018, pas përfundimit të finales së këtij eventi, do të përfundojnë edhe ditët e Botërorit. Ky do të mbahet mend, se këtu në Shqipëri erdhi më i plotë në “Fair-play Rusi 2018”, por edhe për spektaklin që dhuroi në fusha e stadiume.

E keni ndonjë projekt për sezonin e ri sportiv 2018-2019, për një “Fair-play” ndryshe?

Projektet për sezonin e ardhshëm do të jenë surprizë. Por, ajo që nuk do të ndryshojë do të jetë “Fair-play” nga Enkeleida Zeko. Për vazhdimësinë, gjithçka do të flasë vetëm në ekran.

Në karrierën rreth 20 vjeçare në ekran, çfarë veçoni më shumë: Pasionin, apo shikueshmërinë?

Më shumë kam vlerësuar e vlerësoj profesionalizmin dhe pasionin për punën. Të gjithë këta komponentë më kanë dhënë më shumë stimul për të krijuar këto programe, të cilët për nga shikueshmëria janë vlerësuar maksimalisht.

29 emisione

Posaçërisht për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, Enkeleida Zeko ka drejtuar 29 emisione “Fair-play Rusi 2018”

170 të ftuar

Në 29 emisionet e deritanishme “Fair-play Rusi 2018”, kanë qenë të ftuar në studio më shumë se 170 persona

Familja, mbështetja më e madhe jashtë ekranit

Kur bisedon me gazetaren sportive Enkeleida Zeko, nuk mund të nënvleftësosh faktin, se në të gjitha fjalët e saj, ajo veçon kontributin që jep familja e saj, me mbështetjen që i jep në çdo moment. “Bashkëshorti im, vajza ime e dashur, por edhe prindërit e mi dhe të bashkëshortit tim, kanë qenë për mua një mbështetje e jashtëzakonshme. Gjatë këtyre ditëve që ngarkesa ka qenë shumë e madhe, të gjithë më kanë dhënë forcën e besimin, që në emision të mos e ndjeja ngarkesën e të qënurit nënë, bashkëshorte e grua.

Disa radhë për “Fair-play Rusi 2018”, detyrim profesional

 

Kur në evente të mëdha, sportive apo artistike, mbërthehesh në ekranin e televizorit, natyrisht që gjithkush e gjen veten diku. Kjo është normale, por nëse një profesionist do të kërkojë ta gjejë veten diku në një ekran që transmeton emision me karakter sportiv, natyrisht që telekomanda e televiziorit të çon këto ditë vetëm në “Fair-play Rusi 2018”, aty ku tabutë janë të thyera me kulturë e profesionalizëm në ekran. Këtë emision e drejton një kolege, Enkeleida Zeko, e cila me performacën e saj kudo që ka punuar në ekrane, ka tërhequr me profesionalizëm, mendim e imazh, dukuri këto që rrallë përputhen në profesione të tilla si gazetaria sportive. Në emisionin “Fair-play Rusi 2018”, e veçanta e tij ka qenë trajtimi teknikisht e taktikisht, me personat që ideatorja e emisionit i ka përzgjedhur ditë pas dite. Këto pak radhë nuk i solla për ti bërë reklamë koleges, këtë e di që nuk e ka të nevojshme, as edhe televizionit ku ajo punon, këtë e dinë të gjithë. Këto pak radhë janë një mesazh i drejtpërdrejtë për të gjithë ata që marrin guximin ti hyjnë rrugës së ekranit vetëm me imazh, që nëpërmjet ekranit kërkojnë të shesin ato që nuk blihen në tregun mediatik. Të tilla të veçanta si “Fair-play Rusi 2018”, bëjnë diferencën, ndaj edhe kanë shikueshmëri. Dhe këtë diferencë profesionale Enkeleida Zeko, si gjithmonë e ka udhëhequr në ekran.