Dragua Shehu/ Ish-përgjegjësi i dekoratave në Presidium: Të pathënat për tre presidentët Hxhi Leshi, Alia dhe Berisha. Kush ishte më i sinqerti dhe sekreti i Mehmetit me Nexhmijen

242

Intervista/ Flet ish-përgjegjësi i dekoratave në Presidiumin e Kuvendit Popullor, Dragua Shehu; të dekoruarit kalonin në vrimë të gjilpërës

-Rita Marko kërkonte shumë por s’bënte keq

-Nga tre presidentët, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, dhe Berisha, Haxhiu ishte shumë popullor

-Mehmet Shehu ishte njeriu që vlerësoi më shumë Nexmije Hoxhën

Të punojë në sektorin e dekoratave në sistemin monist ishte shumë e vështirë, si e kujton atë kohë?

Ato kohë ishin të veçanta për mua. E kujtoj me mall dhe emocion. Mbase flitet shumë sot por atë kohë përgjegjësia ishte maksimale. Nuk luhej me dekoratat. Unë aty punova plot 17 vjet dhe 2 muaj. Pra gjysmën e jetës së punës. Në fillim unë punova si inxhinier gjeofizik, por në një moment shkova në Presidium nga gjeofizika dhe, meqenëse shkruaja në disa organe shtypi dhe isha krijues më mbajtën në Presidium në sektorin e dekoratave. Unë përgatisja motivacionet e dekoratave. Por në atë kohë kishte shumë dekorata dhe shumë stimuj moralë, qëllimi kryesor ishte stimuli moral dhe jo material. Ndryshe nga sot. Pra në ditë kishte shumë kërkesa për stimujt moralë. Vinin nga të gjitha krahinat dhe shtresat e shoqërisë kryesisht nga klasa punëtore. Në atë kohë që isha unë drejtor i sektorit ishte Ali Manaj. Njeri korrekt.

Ali Rakip Manaj lindi më 7 nëntor 1937 në Damës të rrethit të Tepelenës. Në moshën e rinisë së hershme, i mbetur jetim, u detyrua të punonte hyzmeqar për të siguruar bukën e gojës në disa fshatra të këtij rrethi. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tiranë. Në vitet 1956 – 1958, vendoset në Berat. Hyn në rrugën e jetës si punëtor dhe shpejt bëhet mjeshtër saldator. Krahas aftësimit profesional, kryen shkollën e mesme pa shkëputje nga puna (natën), dhe kryen kursin pasuniversitar për filozofi marksiste-leniniste. I përkushtuar në punë, vit pas viti, ngarkohet me detyra e përgjegjësi të ndryshme, deri në ne drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Kërkimeve të Naftës dhe Gazit. Me vonë zgjidhet anëtar i Plenumit dhe Presidiumit të Bashkimeve Profesionale, por edhe anëtar i Plenumit dhe Byrosë së Partisë së Punës (komuniste) të rrethit të Beratit. Më tej, u ngarkua me detyra të tjera: në vitet 1969 – 1976 u ngarkua me detyrat sekretar dhe sekretar i Parë i komitetit të Partisë së Punës (komuniste) në rrethin e Tepelenës; në vitet 1976 – 1978 kryen detyrën e sekretarit të Parë të komitetit të Partisë së Punës në rrethin e Gjirokastrës; nga viti 1978 u ngarkua me detyrën drejtor drejtorie në Presidiumin e Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Gjatë viteve të punës në Tepelenë dhe në Gjirokastër ka qenë i zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor dhe në legjislaturën e tetë ka qenë zgjedhur me miratimin e diktatorit komunist Enver Hoxha kryetar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Ka marrë pjesë, si delegat-anëtar ne Kongreset e Partisë së Punës (nga Kongresi  V në VIII). Ai më jepte të gjitha kërkesat dhe unë bëja motivacionet. Rrallëherë më ka ndërhyrë, ishte njeri që dinte të vlerësonte punën.

 

– Shumë vjet në atë dikaster, por sa presidentë keni kaluar dhe si do t’i përshkruanit? Kush ishte më korrekt dhe njerëzor?

 

Presidentët ikin, populli mbetet. Unë në atë punë kam ndërruar plot tre Presidentë, së pari, Haxhi Lleshin, së dyti Ramiz Alinë dhe së fundi Sali Berishën. Së pari dua të ndalem tek Haxhi Lleshi. Njeri i sinqertë, i qetë, i mirë, plot bujari. Kurë nuk fyente, kurrë nuk shante, kurrë nuk i bënte keq njeriu. Babaxhan, i sjellshëm. Me të kam kaluar më së miri. Asnjëherë nuk na ndërhynte, vetëm na këshillonte, bëjini mirë ato motivacionet që t’i përshtaten njeriut që i merr. Kurrë nuk na ndërhyri për ndonjë motivacion. Ndërsa Ramiz Alia ishte shumë, shumë kryeneç. I pavendosur. Hynte dhe dilte shpesh dhe të mërziste në çdo gjë. Kërkonte detaje për çdo motivacion. Hynte në zyrë në çdo moment dhe kërkonte gjilpërën në kashtë. Donte të dinte çdo gjë me hollësi. Disa herë i kthente motivacionet. Ishte zevzek në këto kërkesa. Nuk rrinte pa i futur hundët, derisa në disa raste të mërziste. Kur la detyrën njëherë i ka thënë vëllait tim, se e kam mërzitur disa herë Dragon. Ndërsa Sali Berisha pyeste, por nuk ndërhynte në detaje. Thoshte, i dini ju, por duhet ët di për kë bëhet fjalë. Me kalimin e kohës nuk i dha shumë rëndësi dekorimeve për motivacion, por interesohej për persona të veçantë.

World Economic Forum Turkey 2008

Flitet se Berisha ishte tepër i sertë? Si e kujton aq herë sa e ke takuar?

Secili ka mendimin e vet. Me Sali Berishën kam punuar një vit e 2 muaj. Saktë kaq. . Pra ishin vitet e para të demokracisë dhe mund të them se, edhe pse nuk më lëvizën nga vendi i punës. Ishte situatë e vështirë. Kishte shumë lëvizje në intelektualë. Mua nuk më thanë gjë por e ndjeva se s’mund të rrija më në atë punë. U largova në moshën 59 vjeç me dëshirë, me pension të parakohshëm.

Por secili ka huqet e veta. Kush të kërkonte më shumë llogari për motivacionet, kush ishte i ngarkuar të të mbikëqyrte dhe të të kërkonte llogari?

Ishte Rita Marko. Rita në tërësinë e tij ishte njeri i mirë, nuk bënte kurrë keq, njeri babaxhan, por që për çdo gjë kërkonte llogari. Vinte, pyeste madje dhe bërtiste. por gjithmonë për të mirën e punës. Nuk mbante inat dhe kurrë nuk bënte keq. Donte vetëm që të bëhej puna mirë dhe të mos shqetësohej shoku Enver. Ishte komunist i bindur. Sa herë vinte në zyrë më pyeste, kur nuk i pëlqente diçka edhe bërtiste, por sa kalonte disa minuta qeshte dhe na hidhte dorën në qafë. Me shokun Rita jam ndjerë keq njëherë kur kemi dekoruar shokun Telo Mezini. Ishte një moment i veçantë. Unë bëra motivacionin, por të them të drejtën ishte i përafërt me atë që dekoruam Sihat Tozajn. Ata kishin afërsisht të njëjtën detyrë ne Presidium. Atë kohë Presidiumi ishte bashkë me Kuvendin, nuk ishin të ndarë. Rita pasi lexoi motivacionin më vjen në zyrë. Sa e pashë u ngrita në këmbë. Më thotë: “Drago e ke parë mirë motivacionin e shokut Telo Mezini?” –Po, i thashë! “Shiko se është shumë e ngjashme me të shokut Sihat Tozaj”, më tha. Në fakt ashtu ishte kishte rreth 50% të përbashkët si motivacion, pasi kishin afërsisht të njëjtën detyrë. “Shikoje”, më tha dhe iku,. Ngriti pak zërin por nuk shfryu si herët e tjera. Unë e kalova me shaka. Por ishte njeri shumë pozitiv. Nuk merrej me vogëlsira. Kam lexuar të gjitha intervistat dhe kujtimet e tij. Kishte një kujtesë fenomenale. Kishte një shkrim të mrekullueshëm dhe mbante shënime të rregullta. Asnjëherë nuk vinte për kontroll me mendimin që të të ndëshkonte. S’e kishte në natyrë ndëshkimin.

– Dekorime të shumta po Mehmet Shehun a ndërhynte tek ju dhe a ke pasur marrëdhënie me të?

Mehmeti ishte gjë tjetër. Shumë i sertë. I rreptë. Shumë herë na thërriste për dekorime të ndryshme për motivacione, jo mua por shokun Ali. Dihet që kishim lidhje me kryeministrinë, pasi ishim në komunikim për dekorime të ndryshme. Në vitin 1975, në mos gaboj, do të dekorohej shoqja Nexhmije Hoxha me titullin e lartë “Heroinë e Punës Socialiste”. Ishte periudha kur Enveri dhe Mehmeti shkonin shumë mirë. Unë kisha bërë motivacionin e Nexhmije Hoxhës. Ky motivacion i shkon shokut Mehmet. Para se t’i dorëzohej dekorata shoku Mehmet më thërret në zyrë, Ishte hera e parë që ai më thërriste në zyrë. U tremba. Të them të drejtën, u drodha. Shkova tërë emocion. Lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë, u tremba tek zoti. U mbusha me djersë. Kur shkova në zyrën e tij isha dyllë i verdhë. Saktë ishte hera e parë që shkoja në zyrën e tij. Po më binte të fikët, se kisha frikë mos kisha bërë ndonjë gabim ideologjik dhe merrja në qafë jo vetëm veten time por gjithë fisin. Jo vetëm aq. Kur iu prezantova Mehmeti më tha: Mendoni se është mirë motivacioni i shoqes Nexhmije? S’dija ç’të thosha. Po mirë më duket. Dëgjo, më tha. Duhet të shtosh: Nexhmije Hoxha është shtiza e shtizës së partisë,. Vetëm kaq të shtosh. Dakord? Dakord i thashë. U lehtësova! Më shkriu gjaku. Ik rregulloje, më tha. Ika me vrap. Sa u gëzova! Uf, u lehtësova! E rregullova menjëherë. E bëra korrigjimin.

-Kjo ishte hera e fundit e takimit me Mehmet Sheun?

Ishte hera e parë dhe e fundit që e takova personalisht. Por kisha respekt. Vura re që na takimin që pata ai kishte respekt për familjen Hoxha. Ditën që u komunikua që vrau veten u habita. Isha në Presidencë kur ma thanë. Më thanë që të mblidhja organizatën e partisë që të bëhej lajmërimi. Në fillim thanë vetëvrasje e papranueshme. Pastaj na thanë ta cilësojmë armik. Në fund na thanë ta cilësojmë poliagjent. Nuk di ç’të them, s’i di skutat e tyre, por poliagjent nuk më ka pëlqyer.

-Po me Beqir Ballukun ka pasur miqësi?

Nuk kam pasur ndonjë miqësi por e njihja. Ishte njeri babaxhan që kishte qejf ushqimin, por që e donte shumë Enverin. Kur Enveri ishte në Moskë ai kishte marrë përsipër drejtimin e shtetit dhe mund të bënte grusht shteti. Por jo. Nuk i shkonte në mend. Nuk ishte njeri që kërkonte poste. Beqiri ishte njeriu që vetëm e kishte kënaqësinë te ushqimi dhe që nuk bënte keq. Nuk merrte njerëz në qafë. Nuk kishte pse të pushkatohej Beqiri. Ishte njeri i dashur popullor.

– Kush ishte e keqja më e madhe e atij sistemi?

Ishte lufta e klasave dhe pushkatimi i njerëzve që nuk ishin dakord me vijën e Enver Hoxhës. Nuk ishte e drejtë të pushkatoheshin, nuk ishte e drejtë të futeshin përjetësisht në burg. Kishte mënyra të tjera dënimi, Nuk merret jeta e tjetrit kot.

-Ju keni qenë në Tepelenë në fillimet e kampit të internimit të Tepelenës që sot duan ta quajnë Aushvic. A kishte dënime të tilla në atë kamp dhe si do ta cilësonit ju?

Ahaaaaaaaa fare Aushvic! Unë kam bërë disa shkrime, disa. Aty kam pasur shumë miq që i takoj dhe sot. Edhe ata vetë nuk e pranojnë këtë gjë. As e shkojnë në mend. Këto janë shtirje të njerëzve që duan të dalin në pah, të dalin si zbulesa, si njerëz që sjellin diçka të re. Askush nuk i beson. Nuk kishte vrasje, nuk kishte dënime me vdekje, nuk kishte vdekje të fëmijëve. Jo! Një kamp normal me kushte. Po ju sjell në vëmendje:

Apel i Shoqatave Atdhetare e Kulturore të fshatrave të Tepelenës dhe Kryesitë e Shoqatave Atdhetare e Kulturore që veprojnë në Tiranë, që përfaqësojnë Krahinat e Tepelenës.

Të mbledhura më datë 31.08.2018 në Tiranë, bazuar në misionin e tyre atdhetar, që, e kryejnë në bazë të programit të sanksionuar në statutin e tyre, kanë ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh, debatin e hapur kohët e fundit për Kampin e Punës në Tepelenë, nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit dhe Ministria e Kulturës. Disa muaj më parë u debatua ashpër për kampin, për nismën e marrë për ta shndërruar atë, në një kamp si “Aushvic i Shqipërisë.” Absurditet dhe miopi historike e këtyre nismëtarëve dhe e Ministres së Kulturës.

Në kushtet e reja të pluralizmit, të lirisë së shtypit dhe të informacionit, një kryqëzatë e zezë me shumëllojshmëri shpifjesh e banalitetesh publicistike është ngritur kundër LANÇ-it, duke arritur deri aty sa ta quajnë atë si luftë civile. Jo zotërinj! LANÇ-i nuk ka asnjë element të Luftës Civile. Duke dashur të japin ligjërata allaturka, këta ideologë, teoricien e apologjetë të reaksionit shqiptar, kërkojnë të korrigjojnë historinë. Por historia nuk është koniunkturë politike që bëhet me konsensus politik, ajo është e fiksuar në dokumente që provojnë të vërtetën historike.

Partia neofashiste PD-ja, dhe pinjollët e bashkëpunëtorëve të fashizmit, të drejtuara nga komunisti fanatik i kthyer në “demokrat” e antikomunist flaktë, Sali Berisha, ky Neron i Kombit shqiptar, iu vërsulën simboleve të LANÇ –it, duke shkatërruar lapidare, memoriale, varrezat e dëshmorëve, muzeumet, ju hoqën emrat e heronjve dhe dëshmorëve, institucioneve, shkollave rrugëve dhe iu vunë emrat tradhtarëve e bashkëpunëtorëve të fashizmit. Të njëjtën gjë bënë këto forca të errëta me pasoja të rënda për ekonominë shqiptare, duke e vjedhur e shkatërruar çdo vepër e ndërtuar nga komunistët, si në bujqësi, industri, në arsim, shëndetësi, shkatërruan ushtrinë dhe sistemin e drejtësisë me kursin e plepave.

Ne e kemi ndjekur me vëmendje këtë revansh anti Jug, anti Labëri, antihistorik e antikombëtar që kanë ndërmarrë në të kaluarën dhe kohët e fundit, këto mendje të çmendura dhe antishqiptare, me idenë e anti komunizmit përpiqen, me të gjitha mënyrat e format që të godasin e të denigrojnë një nga trevat më patriotike të vendit, siç është Labëria, si baza kryesore e LANÇ. Këto grupe, pseudo-intelektuale dhe pinjollë të bashkëpunëtorëve të fashizmit, të mbështetura nga PD e neofashistët e rinj, insistojnë se në Tepelenën Labe, ishte ndërtuar kampi famëkeq i shfarosjes në masë duke e quajtur “Aushvici shqiptar”. Kjo është një e pavërtetë historike. Në Tepelenë ka pasur një kamp pune, kur në Tepelenë nuk kishte fare punë, me përjashtim të një hoteli privat dhe një kafene që ndalonin autobusët e linjës Tiranë – Gjirokastër.

Nga muaji prill e deri më sot, nga përfaqësuesit e Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po propagandohet me të madhe, për ta paraqitur kampin e punës në Tepelenë si “Aushvicin e Shqipërisë”. Pse ky sulm ndaj Tepelenës dhe Labërisë në këtë kohë, cili është qëllimi? Shtypi ka trajtuar probleme të neveritshme dhe të pavërteta gjatë kësaj periudhe. Ne si shoqata shprehim keqardhjen dhe indinjatën e thellë, se të gjitha gjërat që janë thënë dhe shkruar janë të pavërteta. Pse doni ta njollosni Tepelenën dhe Labërinë, sepse vetëm e vetëm, se ajo është e krahut të majtë, ky është një abuzivizëm i rëndomte dhe jashtë çdo logjike për kohën që po kalojmë.