Sigal

Ekskluzive për Telegraf/ Diplomati Agim Nesho analizon Samitin e Berlinit

Nga Gjermania dhe Franca nuk pritej vendim pozitiv, përderisa shtypi perëndimor e cilëson Shqipërinë si narkoshtet, ku korrupsioni është galopant, ku krimi bashkëpunon me pushtetin, për të blerë vota. Rrëzimi i projektit Vuçic-Rama-Thaçi nga Berlini, u preu vazhdimësinë e pushtetit të tyre dhe shpëtoi Kosovën

Diplomati Agin Nesho, në intervistën për gazetën “Telegraf”, dule analizuar rezultatet e Samitit të Berlinit pohon se asnjë marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të kalojë duke përdorur ndarjen e kufijve. Zoti Nesho thotë se Serbia ka përfshirë Rusinë jo vetëm si bashkë-përfituese për interesa të përbashkëta, por edhe si një ‘valvulë sigurimi” për të penguar interesat e Republikës së Kosovës. Vetë projekti Vuçiç-Rama-Thaçi, u siguronte Ramës dhe Thaçit pushtet të zgjatur dhe të pakufizuar në një skenar që mundësonte zgjidhje të reja gjeopolitike në Ballkan, skenar të cilin Europa dhe qëndrueshmëria e  Haradinaj e bën të pamundur. Zoti Nesho pohon se Franca e Gjermania nuk do të japin në qershor përgjigje pozitive Shqipërisë, derisa mediat botërore e quajnë Shqipëinë narkoshtet dhe parajsë të pastrimit të parave. Duke analizuar edhe qëndrimin e ambasadorëve të akredituar në Tiranë në raport me qëndrimin zyrtar të qeverive të cilët ata përfaqësojnë, diplomati Nesho pohon se fajin e kemi vetë ne shqiptarët, ngaqë “veprimi i disa diplomatëve të akredituar merr vëmendje të shtuar dhe protagonizmi i tyre merret si qëndrim i vendeve që përfaqësojnë”.

-Zoti Nesho, çfarë u arrit në Samitin e Berlinit?

– Në radhë të parë kemi kthimin e vëmendjes dhe përgjegjësive të vendeve të Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor. Franca dhe Gjermania si dy shtyllat kryesore të familjes evropiane janë angazhuar në zgjidhjen e problematikës së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe proceseve që kanë lidhje me integrimin e tyre të mëtejshëm në BE. Dy ishin mesazhet kryesore të Samitit:

Së pari, zgjidhja e konflikteve do të bëhet në bazë të axhendës europiane dhe parimeve të rendit ndërkombëtar. Si pasojë samiti konfirmoi që asnjë marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të kalojë duke përdorur ndarjen e kufijve, prishjen e shteteve multietnike duke mundësuar ndarjen në bazë të vijave etnike, gjë që prodhon destabilitet dhe rrezikon paqen në Ballkan.

Së dyti, Ballkani Perëndimor është pjesë e projektit evropian dhe si e tillë është çështje evropiane dhe do të zgjidhet prej tyre. Vetë Samiti ishte vënë në funksion të ngritjes së një forumi permanent midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe fuqive kryesore evropiane. Kemi rikthimin e konceptit të ‘Koncertit Europian 1815”, në kushtet e një rajoni me rëndësi strategjike për Europën ku problemi kryesor nuk është balanca e fuqive evropiane por shmangia e influencave te tjera dhe ruajtja e vlerave dhe parimeve evropiane. Për këtë qëllim, presidenti francez Macron, duke pranuar në parim integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE kërkoi që ky proces të forcojë stabilitetin rajonal dhe të rrisë funksionimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, rritjen e mbrojtjes dhe funksionimin e sistemit demokratik të drejtësisë. Këto do të jenë “detyrat e shtëpisë” për vendet që aspirojnë të hyjnë në familjen evropiane.

-Iniciativa e Merkel dhe Macron për Ballkanin Perëndimor a ka për qëllim që Franca dhe Gjermania të kenë rolin dominues në influencën në këtë rajon edhe ndaj rolit të SHBA për të mënjanuar ndikimin rus?

– Franca dhe Gjermania janë lokomotivat e projektit evropian dhe si të tilla nuk mund të lënë jashtë vëmendjes së tyre një rajon strategjik si Ballkani Perëndimor. Por ky rajon ka qenë një “rajon i vështirë” për t’u administruar dhe drejtuar vetëm nga vendet evropiane. Kriza e ish-Jugosllavisë tregoi se pa ndërhyrjen dhe udhëheqjen e SHBA do të ishte e vështirë të kontrolloje spastrimin etnik, gjenocidin dhe arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Një rol dominues  SHBA ka patur për të gjithë Europën pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.  Plani Marshall e më pas NATO janë format dhe institucionet e bashkëpunimit midis Europës dhe SHBA-së, që sot përbën boshtin e bashkëpunimit euro-atlantik. Duke pasur të njëjtin sistem politik dhe duke pranuar të njëjtat vlera morale dhe parimet demokratike të rendit liberal botëror, ato janë komplementare në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Rusia në të kundërtën është një fuqi revizioniste që kërkon të ringrejë ‘perandorinë” e humbur duke u përpjekur të rrisë influencat e saj në Ballkan. Ajo mendon se politikat e saj në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan do të rikthejnë pozicionin e saj si një fuqi botërore e barabartë me SHBA  dhe BE. Një rindarje e re gjeografike e Ballkanit do t’i mundësonte asaj ta shfrytëzonte si “quad pro quo” për rritjen e influencave të saj në Europën Lindore dhe plotësimin e projektit të ri të Euro-Azisë, projekt i cili ka filluar duke treguar forcën dhe mosrespektimin e të drejtës ndërkombëtare si në Krime, Ukrainë, Gjeorgji, etj. Serbët kanë kërkuar që marrëveshja gjithëpërfshirëse me Kosovën të kalojë nëpërmjet një projekti që mundëson ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Një projekt i tillë zhbën marrëveshjet e mëparshme dhe vë në diskutim sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe i mundëson Rusisë të marrë pjesë në vendimmarrje për një çështje që perëndimi e ka zgjidhur në fillim të shekullit të 21-të. Nëpërmjet këtij projekti Serbia krijon kushtet për të marrë diçka nga Kosova, dhe tua shesë këtë nacionalistëve serbë si fitore, të krijojë precedentin për krijimin e Serbisë së Madhe duke destabilizuar Bosnjë-Hercegovinën, pa garantuar njohjen e Republikës së Kosovës, njohje e cila nuk mjafton vetëm me qëndrimin e Serbisë. Është Rusia dhe Kina të cilat kanë interesat e tyre dhe faktorë të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit për njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Prandaj Serbia në këtë proces ka përfshirë Rusinë jo vetëm si bashkë-përfituese për interesa të përbashkëta, por edhe si një ‘valvulë sigurimi” për të penguar interesat e Republikës së Kosovës. Çdo tentativë për të futur aktorë të tjerë në zgjidhjen e konfliktit Serbi-Kosovë është një tentativë për t’i hapur rrugë Rusisë dhe internacionalizmit të një çështje që konsiderohet e mbyllur nga Perëndimi. SHBA është pjesë e Perëndimit dhe shtylla bazë ku mbështetet arkitektura e sigurisë evropiane dhe si e tillë ajo është prezente në çdo vendimmarrje që do të ndodhë në rajonin e Ballkanit, analizoi Agim Nesho për Telegraf.al  

-Kryeministri i Kosovës Haradinaj deklaroi se Thaçi dhe Rama i ushtruan atij presion ta hiqte taksën ndaj Serbisë edhe më shumë sesa Vuçiç. Përse ndodh kjo përçarje e udhëheqësve të shtetit të Kosovës me Shqipërinë, derisa duhet të ketë një qëllim të përbashkët?

– Zakonisht ka një qëndrim të përbashkët dhe bashkëpunim të ngushtë midis udhëheqësve të dy vendeve, se është historia e ndarjes së një kombi në dy shtete të ndryshme. Lëvizja e lirë dhe afrimi i gjithanshëm po realizon atë që shekulli i 21 do të jetë shekulli ku faktori shqiptar do të bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm dhe zgjidhja e çështjes shqiptare një fakt i pamohueshëm. Ajo që ka krijuar mospëlqim në marrëdhëniet midis liderëve shqiptarë është pozicioni diametralisht i kundërt i ideve që mbështesnin në Samitin e Berlinit. Treshja Vuçiç-Rama-Thaçi ishin faktorët që kishin mundësuar reagimin e Europës së Bashkuar me projektin e tyre, ndërsa kryeministri Haradinaj i palëkundur në pozicionin e tij për mosndryshimin e kufijve të Kosovës. Z. Thaçi, që ka humbur terren në vend me protagonizmin e tij për një projekt të dyshimtë, sigurisht e shikon Haradinaj si një rival potent për të nesërmen, ndërsa z. Rama si protagonist i thekur kërkon të rikthejë besimin tek Merkel dhe Makron si një faktor në Ballkan, pasi është përdorur nga Vuçiç. Vetë projekti Vuçiç-Rama-Thaçi, i hedhur poshtë nga Samiti i Berlinit, në esencë ju siguronte Ramës dhe Thaçit pushtet të zgjatur dhe të pakufizuar në një skenar që mundësonte zgjidhje të reja gjeopolitike në Ballkan, skenar të cilin Europa dhe qëndrueshmëria e  Haradinaj e bën të pamundur. Haradinaj është për ta personi që ju largoi lavdinë, që ju hoqi pushtetin dhe si i tillë një rival. Në një samit evropian që dërrmoi ashpër planet e tyre, kundërshtia në salla është përgjigja e tyre për të ridimensionuar kryeministrin Haradinaj për një kërkesë që fuqitë kryesore kanë bërë për heqjen e taksës ndaj Serbisë. Interesa pushteti jo vëllazëri kombëtare.

– Ju si e analizoni qëndrimin e Gjermanisë që në qershor nuk do të japë “ok” për hapjen e negociatave Shqipërisë? Ka lidhje me aktualitetin politik në Shqipëri apo BE nuk është gati të zgjerohet?

– Shqipëria është një nga vendet e Europës Juglinore që po përjeton një tranzicion të gjatë. Asnjë shkak objektiv nuk ka qënë prezent në Shqipëri, përveç keqqeverisjes dhe pamundësisë për të plotësuar kriteret e domosdoshme që mundësojnë asociimin me BE-në. Për një kohë të gjatë është vënë re kontradiksioni midis opinionit publik që kërkon një integrim të shpejtë dhe qëndrimin e klasës politike që ka parësore çështjen e përfitimit dhe pushtetit politik. Shqipëria ka humbur shumë kohë duke mos e zgjidhur dot këtë problem. Mungesa e eksperiencës demokratike, mungesa e ndryshimit të elitave drejtuese tregon se në mentalitetin e popullit tonë dominon mentaliteti lindor, përulja ndaj autoritetit të pushtetit dhe përshtatja në ndonjë rast me të “keqen”, tha diplomati Nesho për Telegraf.al Është pothuaj postulat që asnjë vend në krizë politike nuk mund të ketë mundësinë e integrimit në BE. Duhet të bëhen njëherë “detyrat e shtëpisë”, vendosur rendi ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën dhe pastaj të anëtarësohesh në BE. Ne jemi në pozicionin që jo vetëm kërkojmë, por jemi larg standardeve. Si mund të pranojë dhe japë përgjigje pozitive Gjermania, Franca, kur shtypi perëndimor e quan Shqipërinë narkoshtet, ku korrupsioni është galopant, ku elemente të krimit bashkëpunojnë me pushtetin edhe për procesin e zgjedhjeve. Nevoja për t’u fokusuar në çështjen më të rëndësishme për Gjermaninë, e cila është largimi i influencave të huaja nga Ballkani, ka bërë që mesazhet e saj të jenë pozitive dhe frymëzues, por jo për klasën politike por për popullin shqiptar.  Nga ana tjetër, kriza financiare e vitit 2008 si dhe kriza e emigracionit kanë rritur qëndrimet euro-skeptike brenda Europës. Por primare janë standardet e funksionimit të shtetit demokratik në Shqipëri, të cilat prevalojnë ndaj qëndrimeve negative lidhur me zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian.

-Zoti Nesho, ju si e shpjegoni që deklaratat dhe qëndrimet e ambasadorëve të akredituar në Tiranë shpehshherë janë në kah të kundërt me qëndrimet zyrtare të qeverive që ambasadorët përfaqësojnë?

– Shpesh ne shohim që ka qëndrime të ndryshme midis deklaratave të ambasadorëve të akredituar në Shqipëri dhe qendrave vendimmarrëse në vendet e tyre. Sot jetojmë më një botë të digjitalizuar ku informacioni vjen nga shumë drejtime, ku mund të përfshihen shërbimet e informacionit, shoqëria civile, institucionet ndërkombëtare dhe kontaktet personale. Prandaj dhe qëndrimi i tyre është më kompleks dhe përfshin edhe qëndrimin politik të kryeqytetit për aktivitetin ndërkombëtar të vendit tonë. Ambasadat bashkëpunojnë me qeveritë përkatëse për plotësimin e angazhimeve në planin bilateral. Në Shqipëri veprimi i disa diplomatëve të akredituar merr vëmendje të shtuar dhe protagonizmi i tyre merret si qëndrim i vendeve që përfaqësojnë. Ky protagonizëm diplomatik sidomos në vlerësimet politike të vendit vjen për disa arsye.

Së pari, në influencën e madhe që ka faktori ndërkombëtar në zhvillimet brenda vendit.

Së dyti, nga mungesa e vëmendjes që kanë fuqitë e mëdha për zhvillime në vende të vogla si Shqipëria, prandaj deklaratat pasqyrojnë vlerësimet e nivelit të dytë ose të tretë dhe

Së treti, mungesa e kompetencës dhe funksionimi jo normal i institucioneve shqiptare që në shumë raste përdorin “përkrahjen” diplomatike për të justifikuar dhe legjitimuar veprimet e tyre.

Në një shtet normal demokratik janë institucionet e vendit të cilat duhet të bëjnë vlerësimin e punëve dhe proceseve. Ndryshe qëndrojnë mesazhet politike që vijnë nga kryeqytetet kryesore të botës, të cilat duhet të vlerësohen me seriozitet dhe të zbatohen me rigorozitet.

-Ju falenderoj!

Gazeta “Telegraf”