Zyrtarët e korruptuar, Llalla:Duhen më shumë prokurorë për t’i hetuar

519
Sigal

RUMANI – Nga Bukureshti, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla kërkoi shtimin e kapaciteteve njerëzore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda  në kushtet kur numri i zyrtarëve të vënë nën hetim për korrupsion, sipas tij po rritet ndjeshëm. “Aktualisht, krahas çështjeve që janë në gjykim, autoritetet hetimore shqiptare kanë nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ka pak më shumë se tre muaj që korrupsioni i zyrtarëve të lartë është kompetencë e hetimit nga Prokuroria për Krime të Rënda në Shqipëri. Nga volumi i deritanishëm i punës, vlerësohet se është e nevojshme shtimi i kapaciteteve njerëzore, pasi numri i hetimeve për korrupsionin në nivele të larta po pëson një rritje të ndjeshm”. Keto deklarata, Kryeprokurori Llalla, i beri ne Konferencen “Mbi korrupsionin dhe Shoqërinë”, zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, në kuadër të 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, të përfundimit të rregjimit totalitar në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore. Llalla, vleresoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ndërinstitucional në luftën kundër korrrupsionit. “Kam rreth dy vjet në pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë dhe konstatohet se po konsolidohet ndjeshëm komunikimi ndërmjet institucioneve ligjzbatuese. Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe lufta kundër korrupsionit konsiderohet prioritet kombëtar”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm. Nga ana tjetër, fokusi i prezantimit të prokurorisë shqiptare në takim ishte edhe tek lufta kundër krimit të organizuar. Për të përballuar këtë sfidë që i kalojnë kufijtë e një shtetit, Prokurori i Përgjithshëm vuri theksin tek bashkëpunimi ndërkombëtar. Konferenca e Bukureshtit është organizuar nga  Komisioni Parlamentar i Rumanisë për Aksesin në Zonën Shengen, në bashkëpunim me Institutin Aspen të Rumanisë, Lëvizja Noastra në Rumani, Shoqëria Akademike, Fondacioni për Zhvillim Partneriteti, si dhe me mbështetjen e Qeverisë së Rumanisë, Ministrisë së Drejtësisë, Komisioni Europian në Bukuresht, Ambasada Italiane në Bukuresht si dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Rumani. Konferenca është organizuar në kuadër të 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlini dhe kishte në fokus Transparencën dhe Anti-Korrupsionin në Vendet Post Komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore. 
Në këtë aktivitet, ku përshëndetën zyrtarët më të lartë të Rumanisë, morën pjesë personalitete të vendeve të ndryshme, titullarë të institucioneve në vendet e Europës, gjyqtarë, prokurorë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë si Komisioni i Bashkimit Europian, Departamenti i Shtetit, OECD, Banka Botërore, Këshillit i Europës, etj.