Zyhdi KROI/ Organizata e Veteranëve po ‘harron’ Luftën Nacionalçlirimtare e të rënët

    423
    Sigal

    Simbole të luftës të shkatërruara me barbarizëm, buste e shtatore heronjsh të hedhur në plehra. Duket se drejtuesit e veteranëve janë bërë palë me pushtetin

    Viti jubilar i 70 -vjetorit të çlirimit i gjen simbolet e LANÇL në një gjendje të mjeruar si asnjëherë tjetër, ndërkohë, organizata e dëshmorëve. Varre të dhunuara, lapidarë të tjetërsuar, pllakat anonime, emra rruge e shkolle të ndryshuara sipas rotacioneve të pushtetit etj.. Por, ajo që të shqetëson më tepër është heshtja dhe indiferenca e maxhorancës aktuale, e cila për ironi të fatit e konsideroi veten, mbrojtëse të vlerave të luftës, por që realisht është çoroditur dhe nënshtruar ndaj elementëve të djathtë. Njëkohësisht, inaktiv dhe jo në lartësinë e punës dhe këmbënguljes është dhe Organizata e Veteranëve të Luftës për mbrojtjen e simboleve dhe rikthimin e dinjitetit (jo vetëm emrat e rrugëve, shesheve) të nëpërkëmbur  në 8 vite të qeverisjes së Djathtë. Po harrohen apo neglizhohen shumë ngjarje skandaloze si shembje lapidarësh, dhunime varrezash të dëshmorëve, shkatërrime monumentesh, e nuk po shohim atë këmbëngulje e rezistencë të kësaj organizate për t’i thënë “Stop” kësaj masakre. Duhet theksuar se gjatë 8 viteve në pushtet, e Djathta rehabilitoi dhe përjetësoi figura të dyshimta që bashkëpunuan hapur me pushtetarët nazifashist. Kjo e Djathtë ekstreme e drejtuar nga ideatori i saj, Sali Berisha, ka dhënë prova të qarta të përçmimit të LANÇL, duke e paraqitur atë në luftë civile. Ajo arriti deri atje sa u hoqi shpërblimin 2700 trashëgimtarëve të dëshmorëve e kjo jo për shkaqe financiare, por si zakonisht luftë civile. Akti më i turpshëm është ndërrimi i emrave të rrugës, shkollave etj., siç është rruga e njohur “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, apo ngritja e përmendores të vrasësit, Ahmet Zogu, paralel dhe afër përmendores të heroit të madh Hasan Prishtina. E çuditshme, por e vërtetë, që maxhoranca në shumë raste bie pre e kauzave absurde të opozitës. Kujtoni pamjet televizive, faqet e gazetave dhe debatet televizive boshe me pseudoanalistë, që pa e njohur fare kuptimin e këtij riti, historinë dhe vendet, ku është praktikuar, e paraqesin atë si rit komunist dhe ata që e praktikojnë qenkan nostalgjik të sistemit të kaluar. Por, të vjen keq, që ndonjë figurë e PS-së kërkon ndjesë sikur “ i kanë keqkuptuar thëniet e tij” etj.. Ky është turp dhe hipokrizi, por do të thosha edhe zhgënjim për mbështetësit e tyre. Kush janë këta individë që shqetësohen dhe na rekomandojnë dhe mënyrën e nderimit ndaj të rënëve. Personalisht, familjarisht, por dhe si fis jam i lidhur me LANÇ-in e dëshmorët e saj. Kam respektuar dhe do të vazhdoj të nderoj me grusht, sepse kështu vlerësoj e nderoj të rënët për lirinë e Atdheut. Në të njëjtën kohë ja kam hequr vetes të drejtën të përçmoj ata që më nderojnë dhe zagoritë apo PD, në çdo rast zgjedhja e mënyrës së nderimit është e drejtë personale, pra zgjidhja e secilit, prandaj e quajta abstrakte. Është folur disa herë për mënyrën e respektimit të LANÇ-it, disa figura të LSI-së, kanë folur qartë për një gjë të tillë, madje, u krijua edhe komisioni qeveritar, por publiku nuk njeh programin e qeverisë, dëmet që kanë pësuar simbolet e LANÇ-it dhe kur do të përfundojë riparimi i tyre. Jemi vend autor i koalicionit fitues të Luftës së Dytë Botërore dhe detyrimisht, ky përvjetor duhet të mbyllet me paradën tradicionale të Forcave të Armatosura. Së fundmi, ajo që më shqetëson më shumë është heshtja dhe indiferentizmi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it, i shoqatave të ushtarakëve dhe atyre shoqatave që e quajnë veten atdhetare, por nuk kujtohen për ata që dhanë jetën për atdheun. Me këtë rast, apeli im është për politikanët e qeveritarët e maxhorancës, mos e braktisni LANÇ-in, vlerësim maksimal dhe respektin që u takon, dëshmorëve, luftëtarëve dhe komandantëve që e udhëhoqën këtë epope të lavdishme. Por politika, e Majta veçanërisht, i ka parë veteranët e luftës e familjet e tyre si ‘magazinë’ votash, e në fakt kështu kanë ndodhur. Por me ardhjen në pushtet, i ‘harron’ premtimet dhe detyrimet ndaj votuesve dhe detyrimin historik për të mbrojtur luftën dhe simbolet e lirisë për të cilën u derdh gjak. Po organizata e veteranëve të luftës çfarë bën përballë kësaj neglizhence të shtetit dhe sulmi të pinjollëve të kolaboracionistëve?. Pak, shumë pak! Janë me dhjetëra lapidarë të shkatërruar e askush nuk po ve dorë. Janë qindra varre dëshmorësh që janë dëmtuar. “Heronjtë e Vigut” u hoqën dhunshëm nga qendra e Shkodrës dhe janë lënë diku në periferi mes plehrave pa asnjë përkujdesje. Monumenti i Ismail Qemalit, afër Kuvendit dhe Kryeministrisë është dhunuar, i janë hequr shkronjat e bronzta. Janë me qindra e mijëra veteran të luftës, pasardhës e familjarë dëshmorësh që ndjehen të fyer nga ky barbarizëm e kjo harresë… Po Organizata e Veteranëve pse nuk reagon ashpër? Qoftë dhe një protestë masive kundër kësaj situate? Nuk duhet të besohen disa përfolje se disa nga drejtuesit e veteranëve janë bërë palë me pushtetin e djeshëm e të sotshëm, duke parë hallet e tyre personale e familjare (punësime me të djathtës e të majtën) dhe ‘harrojnë’ atë që duhet të bëjnë. Organizata ka dhe gazetën, që në një farë mënyre, është një zë me vlerë që vlerëson luftën Nacionalçlirimtare. Por shpesh, në faqet e para të sajë gjen figura dhe takime të drejtuesve të saj (mirë bëjnë) dhe jetëshkrime të ish-partizanëve që ndahen nga jeta, gjë të cilën e meritojnë plotësisht. Por a nuk është i nevojshëm një debat i ashpër, një akuzë e hapur kundër atyre që nëpërkëmbin luftën dhe partizanët, qofshin këta në pushtet apo në opozitë. Ka ardhur koha, që të marrë fund heshtja apo neglizhenca kundër personave apo grupimeve që nëpërkëmbin luftën e cila e renditi Shqipërinë në kampin e fituesve të Luftës së Dytë Botërore. E kjo, së pari nga forumi që përfaqëson dëshmorët e luftën dhe nga qeverisja e Majtë që e ka pasur dhe e ka këtë shtresë mbështetëse të saj.