Zyhdi Kroi: “Me ose pa parti ushtarakët do të jenë në politikë”

    403
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve, Zyhdi Kroi, për problemet e ushtarakëve

     Problemet për kategorinë e ushtarakëve edhe pse janë bërë evidente nuk kanë marrë asnjë lloj zgjidhje. Përfaqësuesit e ushtarakëve shprehen të pakënaqur nga qeveria përsa i përket trajtimit të tyre. Ky trajtim jo i mirë ka shërbyer edhe si shkak për të hedhur idenë për krijimin e një partie nga kjo kategori. Në lidhje me premisat për krijimin e kësaj partie ka folur në një intervistë për “Telegraf” Presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve, Zyhdi Kroi. Sipas zotit Kroi, shoqata ka një sërë problemesh që synon që t’i zgjidhi. Dhe një ndër problemet më madhore dhe më shqetësuese për këtë kategori mbetet Akti Normativ, që ka penalizuar një pjesë të mirë të ushtarakëve të liruar.

     -Zoti Kroi, cilat janë disa nga prioritetet e shoqatës së ushtarakëve që duhen zgjidhur në mënyrë emergjente?

    -Po, është e vërtetë që ushtarakët janë një kategori që nuk janë mbështetur nga qeveria as në vitin që u mbyll dhe duket se e njëjta situatë do të mbetet edhe për këtë vit që ka filluar. Janë të shumta problemet e ushtarakëve që presin zgjidhje. Ashtu siç e kam përmendur edhe më parë mbetet një problem i vazhdueshëm Akti Normativ, i cili ka penalizuar mjaft ushtarakë, një tjetër problem mbetet edhe sorollatja që u bëhet ushtarakëve që kërkojnë të drejtën e tyre nëpër gjyqe. Ndër prioritetet tona mbetet heqja e Aktit Normativ, zgjedhja e kryetarëve të shoqatave në rrethe dhe krijimi i partisë për të cilën është folur.

     -Ju përmendët krijimin e partisë në çfarë faze ndodhen përgatitjet dhe kur do të shpallet?

    -Është e vërtetë që shoqata e ushtarakëve ka bërë përpjekje për të krijuar një parti për të mbrojtur më mirë të drejtat e tyre. Janë plotësuar disa formularë, por mbetet një problem edhe financimi. Pasi nuk është e lehtë që të gjesh financues sot. Por një gjë është e qartë që edhe nëse nuk do të kandidojmë me partinë tonë në këto zgjidhje, ushtarakët sërish do të jenë në politikë. Do të bashkohemi me atë parti që do na mbrojë interesat tona.  Nisur nga përvoja e deritanishme, ushtarakët janë të bindur se vetëm pjesëmarrja aktive në politikë, ku ata të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament, do të bëjë të mundur realizimin e objektivave të mësipërme. Kur them përfaqësuesit e tyre në parlament, kuptohet se dëshirojnë të jenë nga ai kontingjent që lufton dhe përballet pa frikë për interesat e shtresës dhe të vendit, por jo nga ai kontingjent, miq apo të afërm të drejtuesve të partive të ndryshme, të cilët janë të pa aftë të ngrenë zërin dhe të kundërshtojnë me forcë për problemet e ushtarakëve, duke u katandisur në servilë pa vlerë e pa ngjyrë

     -Shumë ushtarakë ankohen se po sorollaten nëpër zyra pafund për marrjen e pensionit. A do të ketë ndonjë zgjidhje për të këtë

    kategori?

    – Po janë një numër ushtarakët që janë cenuar padrejtësisht dhe antiligjërisht nga Akti Normativ kanë filluar të bëjnë gjyqe individuale, duke u bazuar veçanërisht të vendimi nr.33 i Gjykatës Kushtetuese, i cili thekson dhe mbron të drejtën e sigurisë juridike të ushtarakëve për të drejta të përftuara me ligje të mëparshme dhe vendime të formës së prerë të gjykatave.

    -A po vijojnë përpjekjet për të ndrequr padrejtësitë që u solli Akti Normativ?

    – Është e vërtetë se ushtarakët po sorollaten mjaft për të bërë dokumentet përkatëse dhe për të përftuar pensionin e pleqërisë dhe atë suplementar. Për këtë ankesat janë të shumta dhe të përditshme. Për këto arsye, qysh në muajin tetor të vitit të kaluar i jemi drejtuar me një letër Ministrit të Mbrojtjes, por nuk kemi asnjë lloj përgjigje, qoftë duke na thënë se nuk kemi të drejtë. Mjaft ushtarakë, pasi kanë përftuar pensionin e pleqërisë, për muaj e muaj të tërë e deri vite, nuk marrin dot pensionin suplementar, kur asgjë nuk pengon që të dyja këto pensione të llogariten dhe merren së bashku. Ashtu siç ka mjaft padrejtësi në rillogaritjen dhe dhënien, sidomos, të pensioneve suplementare, dukë u bërë atyre vetëm një rritje 5-7 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që duhet të arrijë deri në 50% të masës së pensionit të pleqërisë.