Zyhdi Kroi*/ Homazh për jetën dhe veprën e Kolonel Mehdi Pogaçes

    85

     Vdekja e papritur, ndau dje nga jeta Kreun e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve e nënkryetarin e organizatës së LANÇ-it

    Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, Koloneli Mehdi Pogaçe, kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë. Kol. Mehdi Pogaçe ka ndërruar jetë në orët e para të ditës së djeshme, pas një hemorragjie cerebrale. Kolonel Mehdi Pogaçe, me një karrierë të gjatë dhe të pasur në strukturat e mbrojtjes, ka kryer detyra të rëndësishme dhe në fushën e diplomacisë. Me daljen në rezervë, kolonel Pogaçe ka kryer njëkohësisht dhe detyra të tjera shoqërore. Ai ishte dhe nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Luftës Antifashiste  Nacionalçlirimtare.

    Arsimimi dhe karriera

    Ai u lind në Gjirokastër në 9 shkurt të vitit 1951 në një familje atdhetare me tradita të shquara patriotike dhe luftarake. Pas shkollës fillore dhe 7-vjeçare në vendlindje, në vitin 1969 mbaroi shkollën e mesme “Skënderbej” dhe në 1971-n Shkollën e Bashkuar. U titullua oficer, nga ku nisi karrierën e gjatë dhe të suksesshme të tij, të cilën e kompletoi dhe me përfundimin e Akademisë Ushtarake. Gjatë gjithë karrierës, Mehdiu ka kryer detyra të ndryshme në strukturën e Forcave të Armatosura, fillimisht si specialist në Drejtorinë e Zbulimit Ushtarak, më vonë drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes dhe së fundi Atashe Ushtarak në Itali. Në dhjetor të vitit 2003, në kuadrin e reformave, del në rezervë me gradën Kolonel.

    Kush ishte Mehdi Pogaçe

    Gjatë kohës që ka kryer detyrat ushtarake është dalluar për seriozitet dhe profesionalizëm, për komunikim dhe sjellje shembullore me kolegët, vartësit dhe eprorët. Për këto merita është dekoruar disa herë me urdhra dhe medalje. Z. Pogaçe ka kontribuar që me krijimin e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në rezervë duke qenë i zgjedhur në organet drejtuese të saj. Prej marsit të vitit 2007 e në vazhdim ka qenë i zgjedhur President i kësaj shoqate. Gjatë kësaj kohe veçohet kontributi i Mehdiut në mbrojtje të interesave të ushtarakëve të liruar e sidomos në integrimin e tyre në Konfederatën Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s. Duke qenë President i SHKURSH-it në vitin 2009 zgjidhet zëvendës/President i Konfederatës Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë të NATO-s. Duke ndjekur traditat e familjarëve e të afërmve ka qenë aktivist dhe pasardhës veterani dhe është zgjedhur nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it.

    Prindi, shoku dhe lideri

    Mehdiu lindi, edukoi dhe arsimoi me kujdesin shembullor të një prindi, dy fëmijët e tij; djalin dhe vajzën. Me ndarjen nga jeta të Mehdiut, familja humbi njeriun më të dashur, miqtë të afërmit njeriun e respektuar, shokët kolegun e tyre dhe SHKURSH presidentin e vet që e drejtoi me profesionalizëm për tetë vjet.

    *President Nderi i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve

      

     

    KOMENT

    Engjëll Musaj/ Lamtumirë kolonel Pogaçe miku i gazetës “Telegraf”

     Nuk e mendonim kështu i dashur Kolonel Mehdi Pogaçe, por jeta ka ligjet e saj. Sot, në faqet e gazetës “Telegraf” , aty ku ti ke qenë i pranishëm përherë, ne kishim planifikuar që botonim intervistën që dhe pak orë para se të bije në koma e të përfundoje në spital. Por ti mik i dashur, na e prishe këtë plan. Na e prishe pasi ike

    shumë shpejt e krejt papritur, duke lënë në mes shumë punë e projekte në të mirë të ushtarakëve në rezervë e lirim, anëtarë të shoqatës që drejtoje prej vitesh si dhe veteranët e luftës nacionalçlirimtare në gjithë vendin, që të kishin zgjedhur ty nënkryetar. Mbi të gjitha, ike para kohe duke lënë në pikëllim bashkëshorten, dy fëmijët, vëllezër, motra, miq e shokë të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Dhe ne sot, në hapësirën ku do të ishte shkrimi juaj për mijëra lexues të “Telegraf” po vendosim me dhimbje nekrologjinë e jetës tënde dhe po vijmë të të vendosim një kurorë me lule në sallën e homazheve dhe të hedhim një dorë dhe’ në banesën ku do të prehesh për jetë.

    Por fizikisht. Pasi për drejtuesit, gazetarët dhe lexuesit e “Telegraf” do të mbetesh një mik, shok e bashkëpunëtor i mirë vazhdimisht, ashtu sikundër ke qenë nga dita e parë e botimit të kësaj gazete, ndonëse nuk do vish të trokasësh fizikisht në redaksi… Shkrimet e tuaja të shumta, konkluzionet për problemet e ushtarakëve, diplomacinë (fushë ku punove gjatë), rebelimi i intelektualit kundër keqqeverisjes, udhëheqjen e ushtarakëve në protesta kundër diskriminimit moral e politik,  janë pjesë dokumentare e arkivit të “Telegraf”… Në vazhdim, ata do të pasurohen më tej dhe me shkrimet tuaja që vetë na keni afruar para ndarjes nga jeta e do të na i afrojnë bashkëpunëtorët e kolegët me të cilët punove vite e dekada.

    I dashur Mehdi! Jeta është e shkurtër e të gjithë do të ikim një ditë. E rëndësishme është që në këtë rrugëtim të shkurtër, njeriu, të bëjë e të lërë pas ditka të vlefshme. Ju, si ushtarak madhor, si drejtues, si diplomat, si intelektual e si njeri, bëtë jo pak. E për këtë, keni marr e do të merrni vlerësime, kanë me çfarë të krenohen familjarët, kolegët e miqtë e shumtë.

    Lamtumirë i dashur Mehdi!

    *Drejtor i “Telegraf”