Zuhdi KROJ/ Spitali Ushtarak dhe SHQUP-i, pse hesht Mimi Kodheli

    421
    Sigal

    Ishin dy premtimet kryesore që Rilindja mori votat e ushtarakëve e familjeve të tyre. Përflitet që dyshja Rama-Kodheli kanë pazare interesi me dyshen Berisha-Imami.

    Edhe pas një viti, komuniteti i ushtarakëve i ruan gjithë të freskëta premtimet dhe betimet e Kryeministrit Rama dhe Ministres Kodheli se me të ardhur në pushtet do të anulojmë (zhbëjmë) dy VKM e qeverisë Berisha për tu rikthyer Forcave të Armatosura dy emblemat që lidhen me të shkuarën dhe të ardhmen e tyre, Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë dhe Spitalin Ushtarak. Në takimin e  biseda me kolegë,kthimi i dy objekteve Forcave të Armatosura, konsiderohet një procedurë rutinë pasi me VKM ju hoqën Forcave të Armatosura dhe me një tjetër VKM mund të rikthehen në juridiksionin administrativ ku ishin. Por hapësira kohore njëvjeçare e këtyre premtimeve të prera tregon se nuk është thjesht çështje VKM-je por ndoshta edhe më shumë. Është mungesë e vullnetit të qeverisë dhe ministres së mbrojtjes, e larg qoftë, gjë të cilën ne nuk e dëshirojnë, është akord mes palëve për pazare të pista, ku përfitues janë qeveritarët e djeshëm dhe të sotshëm. Sido që të jetë, gjithkush e ka të qartë se ditka madhore ua ka zënë ‘fytin” Edi Ramës e Mimi Kodhelit që sot të ‘harrojnë’ dy nga premtimet e bujshme në fushatë dhe në javët e  para të qeverisjes, me të cilat morën jo pak vota të ushtarakëve e familjeve të tyre. Unë e quaj absurde që një vend anëtar i Nato-s i vjetër apo i ri, i vogël apo i madh, i fuqishëm ekonomikisht apo i dobët, të mos  ketë në dispozicion të forcave të armatosura dy nga objektet më të rëndësishme dhe të domosdoshme në shërbim të tyre.

    Spitali Ushtarak me një histori mbi 70 vjeçare, është ndoshta pjesa me e lavdishme e historisë të Forcave të Armatosura. Aty kontribuan breza të shumtë mjekë e specialistë në shërbim të ruajtje  të shëndetit të efektivave, por edhe në emergjencat e shumta për shkaqe natyrore. vetëm disa të marrë me një VKM mund ta fshijnë këtë histori të lavdishme. Në memorien e mijëra ushtarakëve mbeten të pa harruar emrat e figurave të njohura të shëndetësisë ushtarake e më gjërë si Grigor Imani, Veli Toto, Spiro dedja, Ismet feta, Esat Duraku, Sabit Brokaj, Perlat Hoda, Lytfi Balilaj, Luan Likollari e shumë të tjerë që i kushtuan jetën këtij institucioni model të shëndetësisë shqiptare , me punësi dhe përkushtimin karakteristik të ushtarakut u bënë shkenctarët e mjekësisë së përgjithshme e në veçanti të asaj ushtarake.

    Fatkeqësisht, emrat dhe kontributi i tyre jo vetëm janë harruar, por janë tjetërsuar dhe shkatërruar të gjitha ambientet e këtij institucioni dinjitoz. Kryeministra, ministra, drejtor e militant partish të neveritshëm, kafshuan pa pushim trupin e tij, nëpërmjet dhënies me qira apo shitjes të kateve e godinave, duke u ndryshuar destinacionin në objekte biznesi dhe tjetërsim përfundimtar. Kjo situate na çon në shprehjen e njohur “Na ishte njëherë spitali ushtarak“. Por Historia e tij nuk mbaron këtu, me një VKM pjesa e mbetur i kaloi Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht QSUT “Nënë Tereza”. Me qenë se mburremi si vend anëtar i NATO-s, le të shikojmë  vende si Greqia e Turqia ku spitalet ushtarak janë nga më modernët në pajisje e personel por edhe kanë të profilizuar në spitale të: Forcave Tokësore, Forcave Ajrore dhe Forcave Detare. Ja pra ku na katandisën qeverisjet demokratike, ministria e drejtorët që kanë menduar e vepruar për të mbushur xhepat e tyre. Në situatën e krijuar e sipas premtimit të Kryeministrit Rama e Ministres Kodheli, logjika të çon në përfundim që për atë efektiv që do të kenë Forcat e Armatosura disa nga objektet ekzistuese me VKM t’u kthehen Forcave të Armatosura e të organizohen shërbimet që kanë nevojë ato. Jo vetëm kaq, por sipas ligjit nr. 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut”, këto shërbime që do të ngrihen t’u vinë në ndihmë për diagnostifikim e kurim edhe ushtarakëve në rezervë dhe në pension.

    Shtëpia Qendrore e ushtrisë ose  thirret ende SHQUP-i ishte institucion tepër i rëndësishëm e me të lidhen evenimentet historike të Forcave të Armatosura në vite. Aty janë zhvilluar ceremoni jubilare e mortore, analiza e ballafaqime, koncerte të mirënjohurit Ansambli i ushtrisë shfaqe të estradës së ushtrisë, seminare e UOPSH-ape me përfaqësues të NATO-s dhe të vendeve aleate. Por tek SHQU-pi e ka zanafillën edhe krijimi i Shoqatës  Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë. Aty kemi zhvilluar takime, ballafaqime, konferenca dhe seminare me shoqatat analoge të CIOR-t, një organizëm i fuqishëm në funksion të njohjes, propagandimit dhe mbështetjes të politikave të Nato-s Shembuj se si janë organizuar dhe funksionojnë SHQU-pet në vendet aleate dhe fqinjë ka shumë. Ata që e tjetërsuan SHQU-pin si drejtori aktuale të Forcave të Armatosura, le të shkojnë në Shkup e të shohin se në qendër të tij ndërtesa me e bukur është SHQU-pi i tyre. U zhvilluan analizat e 300 ditëve të qeverisjes dhe u bë mirë. U gëzuam për arritjet, por ta themi hapur, edhe u mërzitën që ato objekte në fjalë u lanë në harresë dhe pse ishin pjesë e premtimeve qeveritare. Ndaj rikthimi i tyre në dispozicion të Forcave të Armatosura është prova e vërtet e zotit Rama sidomos e zonjës Kodheli. Kjo, n2ëse nuk janë bashkë ortakë me Berishën e Imamin në pazaret e ndyra që përfliten me këto dy objekte. Nëse do ta realizojnë do të kenë mirënjohjen dhe mbështetjen e komunitetit të ushtarakëve, në të kundërt do të jetë zhgënjim i yni dhe urimi që meritojnë të ishte: E paçi haram mbështetjen dhe voton tonë.

    *President Nderi i Shoqatës KURSH