Zotërinj ambasadorë, korrupsioni  i pushtetit ngriti në revoltë shqiptarët

707
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Një demokraci e vërtetë dallohet nga një regjim totalitar, pikërisht nga reagimi popullor, i shprehur me protesta dhe greva. Ndërsa cilësia e demokracisë është toleranca e pushtetit ndaj protestuesve. Në fund të fundit, fryma e demokracisë është: Gjithmonë e drejta është me popullin, edhe kur ata protestojnë, qoftë edhe dhunshëm. Nga dhuna e popullit kanë rënë regjimet totalitare dhe diktatoriale. Reagimi i Ambasadës së Francës në Tiranë: Dëmtimi i pasurisë publike dhe ushtrimi i dhunës janë të papranueshëm . Prania e OSBE-së në Tiranë reagoi duke vënë në dukje se “nxitësit dhe autorët e dhunës të mbajnë përgjegjësi për aktet e sotme të dhunës”. Ambasada franceze u bëri thirrje protestuesve që të ndalin dhunën. Po kë dhunë? A është më e madhe dhuna e protestuesve në Tiranë nga ajo dhunë e “Jelekverdhëve” në të gjithë Francën? Presidenti francez nuk u bëri thirrje jelekverdhëve që të ndalonin dhunën, ku aty pati edhe viktima, por u detyrua që t’u plotësojë të gjitha kërkesat ekonomike dhe politike të jelekverdhëve. Atëherë, cili është shqetësimi i vërtetë i ambasadës franceze në Tiranë? Kërpudha kryeministrore e prishur dhe xhami i thyer i portës së kryeministrisë nga dhuna e protestuesve? Apo SHKAQET POLITIKE përse protestuan shqiptarët? OSBE-ja në Tiranë, ende nuk ka reaguar për publikimin e fakteve të blerjes së votave në zgjedhjet e 2015-s dhe 2017-s në Shqipëri nga bandat kriminale me kandidatët e subjekteve politike. OSBE-ja është thjesht një arbitër që nuk ka dhënë asnjë “penallti” politike për mosvotimin e reformës së re zgjedhore. E megjithatë, reagon kundër dhunës së protestuesve. Cilës dhunë? Të shkatërrimit të kërpudhës kryeministrore? Apo 1 xhami të thyer të portës së kryeministrisë? Kjo dhunë, zotërinj të OSBE-së rrezikon demokracinë në Shqipëri? Po zërat e 150.000 protestuesve përse protestojnë shqiptarët, a i dëgjuat, moj OSBE? Shqiptarët protestojnë kundër qeverisë për ato shkaqe që BE-ja nuk hapi negociatat: Për mosluftim të krimit të organizuar, për blerjen e votave, për korrupsionin, për drejtësinë dhe për barazinë e munguar, kundër varfërisë. Përse nuk i dëgjoni shqiptarët kur protestojnë?