ZMK: Ja si vjedh kompania CEZ dhe abuzon me konsumatorët shqiptarë

    447
    Sigal

    Ligji për mbrojtjen e konsumatorit shkelet nga kompania, qytetarët nuk gjejnë zgjidhje për ankesat që bëjnë

    Edhe pse janë bërë ankesa të shumta nga qytetarët për faturat e energjisë elektrike dhe për shërbimin që ofrohet sërish situata mbetet problematike. Në lidhje me këtë problematikë ka reaguar disa herë edhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila shprehet për “Telegraf” se, ka depozituar ankesa e kallëzime penale dhe pret që abuzimi e vjedhja të marrë fund. Pas marrjes së ankesave nga konsumatorët familjar, ZMK bën të ditur se, ka depozituar në Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorëve (KMK) në METE, si dhe në organet e akuzës e drejtësisë kallëzime penale ndaj CEZ Sh.a, dhe megjithë këto denoncime, kjo kompani në mënyrë arbitrare vazhdon e pashqetësuar të shkelë rëndë legjislacionin shqiptar duke dëmtuar dhe vjedhur mijëra familje konsumatore, duke ua bërë jetën të vështirë jo vetëm me cilësinë e keqe të shërbimit që ofron por duke “shpikur “çdo ditë nga një skemë të re për të vjedhur e grabitur ekonomikisht xhepat e shqiptarëve. Por sipas ZMK-së këto praktika abuzive bien ndesh me legjislacionin shqiptar në fuqi dhe konkretisht me ligjin Nr.9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, kreu 1. Shitja e energjisë, shërbimet e ujit dhe të telekomunikacionit, Neni 40.

     Mënyra e faturimit

    • pika “2. Vlera e konsumit real paraqitet në një faturë, së bashku me çmimin, në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe jo të dyshimtë.”

    • pika “5. Faturat duhet t’i dorëzohen konsumatorit në vendin e banimit, në mënyrë zyrtare (me postë ose dorazi) dhe jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë kalendarike përpara afatit të pagesës së tyre.”, dhe

    • pika “6. Të gjitha shërbimet ndaj konsumatorit për hartimin dhe dorëzimin e faturave janëpa pagesë.” Por këto të drejta që gëzojnë konsumatorët sipas ligjit të sipërcituar janë vetëm në letër, pasi në realitet nuk zbatohet asnjëra prej tyre.

    Probleme me zbatimin e ligjit

    Qytetarët shprehen për “Telegraf” se nuk i marrin asnjëherë faturat e energjisë me postë në shtëpi siç është kontrata e CEZ me konsumatorët, sikurse përcaktohet në mënyrë eksplicite edhe në ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve. Në lidhje me moszbatimin e ligjit ZMK-ja bën të ditur se këto shkelje të rënda të legjislacionit shqiptar rezultojnë në përfitime të padrejta nëpërmjet vjedhjes që po i bëhet konsumatorëve shqiptarë drejtpërdrejt nga CEZ, pasi konsumatorët në mungesë të faturave nuk janë në gjendje të bëjnë përllogaritjen e energjisë së harxhuar (duke shkelur piken 2. Vlera e konsumit real paraqitet në një faturë, së bashku me çmimin, në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe jo të dyshimtë.” te Nenit 40 te Ligjit per Mbrojtjen e Konsumatorëve) dhe nga ana tjetër koha e humbur për të kërkuar informacionin dhe kushtet e këqija të shërbimit përkthehet në kosto shtesë, që janë detyrime të CEZ si dhe komisionet bankare të pagesave të faturave në sportelet e bankave është shkelje e hapur e ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve (duke shkelur piken 5 dhe piken 6 te Nenit 40 te Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve).

    Ankesat nuk zgjidhen

    Faturat pothuajse 100% shoqërohen me një vlerë debie, ku konsumatorët nuk kanë asnjë lloj informacioni se çfarë është kjo “debi”. Ankesat lidhur me problemet e konsumatorëve në të shumtën e rasteve janë depozituar në sportelet e CEZ, por deri më sot nuk kemi asnjë rast, ku konsumatorët të kenë gjetur zgjidhje dhe më e rënda është se, sipas qytetarëve, asnjë nga ankuesit nuk ka marrë një përgjigje me shkrim lidhur me ankesën që ka adresuar ndaj CEZ. Për këtë arsye ZMK u sugjeron: Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve në METE. Entit Rregullator të Energjisë – ERE, dhe Organeve të Drejtësisë të ndërhyjë dhe të marrë masat si me poshtë vijon:

    • Të ndërmerren masa të menjëhershme për të ndaluar shkeljet e përshkruara në këtë denoncim.

    • Për çdo ankesë të konsumatorëve, pasi të vërtetohet pretendimi, të dilet me një vendim në mënyrë që konsumatorëve t’u kthehet e drejta e shkelura.

    Të detyrohet CEZ që të respektoj dërgimin e faturave në përputhje me nenin 40, pika 5 e ligjit 9902, dt. 17.04.2008 “Për Mbrojtjen e Konsumatorëve”.

    Të hetohen dhe t’i kalojnë organeve të drejtësisë për gjykim qindra gjoba të vëna në mënyrë abuzive nga CEZ-i për dhjetëra raste të depozituara në Zyrat e Klientit – CEZ, KMK, ZMK e Gjykatën e Tiranës dhe ato në rrethe. Të verifikohen rastet e kontratave provizore që aplikon CEZ-i, dhe qëllimin pse e ka shpikur këtë abuzim anti- ligjor. Të hetohen rastet e aplikimit të tarifave me 2 çmime (për bllokun 300KË) për periudhën brenda muajit, kamatë vonesat e aplikuara në këto raste dhe baza ligjore që përdor CEZ, për këto kamatëvonesa, ku konsumatori nuk ka asnjë dijeni deri në momentin kur shkon të paguajë.

    Ankesat e konsumatorëve

    • Mos marrje fature, prej disa muajsh

    • Mbifaturim

    • Faturim aforfe

    • Ndërprerje energjie

    • Heqje sahati pa dijeninë e konsumatorit

    • Vendosje gjobash

    • Aplikim kamate vonesash, pa qenë fajtor konsumatori.

    • Djegieje pajisjesh e orendish shtëpiakë, nga luhatjet dhe goditjet e tensionit.

    • Mos furnizim me energji në rastet kur një konsumator ka paguar dhe kërkon vendosjen e linjës.

    • Faturim me 2 çmime e bllokut prej 300kë, duke e ndarë në mënyrë abuzive këtë bllok mujor në çmime 7.7 lek dhe 13.5 lek.