ZMK-ja dhe “REAGO” protestojnë para Bashkisë së Durrësit për zënien e hapësirave publike në plazh.

    407
    Sigal

    Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjel Dako u ka dhënë gjithë hapësirën  publike të  plazhit privatëve, duke i lënë qytetarët pa det

    Para disa ditësh Kryeministri i ri Edi Rama, mblodhi gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave që janë në bregdet, për të ndërmarrë iniciativë që të prishin gjithë ndërtimet pa leje, që janë bërë në tërë vijën e bregdetit. Dhe mirë bënë. Mirëpo, edhe pse sezoni i verës është në kulmin e tij, pushuesit vendas dhe të huaj nuk kanë asnjë metër katrorë hapësirë publike në plazh, pasi kryetarët e bashkive ua kanë dhënë privatëve. Kështu, kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili është edhe një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës, gjithë hapësirën publike në plazh ua ka dhënë privatëve të shfrytëzojnë dhe qytetarët, të cilët paguajnë rregullisht taksat e bashkisë, tani në sezonin e plazhit, nuk kanë një ketër katrorë ku të pushojnë. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka premtuar prej vitesh se 40 % e ranishtes në plazh do të jetë hapësirë publike. Në të vërtetë, privatët e kanë zënë të gjithë hapësirën. Dy shoqata, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Shoqata REAGO, dje protestuan në  sheshin para Bashkisë Durrës, meqë nuk gjetën asnjë metër katror të lirë në plazhin e Durrësit. 2 çadra, 3 shezllone, një top, dhe një shalqi në lulishten para zyrave të Bashkisë, ishin dekori i plazhistëve me kostume banjoje që u vendosën në mes të qytetit të Durrësit, aty ku ndodhet sheshi qendror. Sepse e gjithë ranishtja është zaptuar nga privatë, sipas parcelave që u ka ndarë Bashkia. Drejtuesit e dy organizatave Altin Goxhaj dhe Leonard Dedej, përkatësisht drejtues të Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe të Shoqatës REAGO, janë shprehur se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet pasi është shkelje e të drejtave të njeriut. Mungesën e plazheve publike e konfirmojnë edhe pushuesit e shumtë në qytetin e Durrësit dhe në të gjithë Shqipërinë dhe protesta ka gjetur shumë përkrahje në rrjetet sociale, ku njerëzit po shprehin solidaritetin me protestën dhe akuzojnë rëndë pushtetarët lokalë për këtë grabitje, që po u bëjnë qytetarëve të tyre.

    Flasin për Telegraf.

    Altin Goxhaj, drejtori ekzekutiv i ZMK-së

    Bashkia e Durrësit ka premtuar prej vitesh se 40 % e ranishtes në plazh do të jetë hapësirë publike. Në të vërtetë, privatët e kanë zënë të gjithë hapësirën. Bashkisë së Durrësit nuk i kanë interesuar asnjëherë qytetarët, as të vetët dhe as ata të qyteteve të tjera, që kanë apartamente në plazhin e Durrësit dhe që mbajnë me taksat e tyre këtë bashki. ZMK-ja ka vite që reagon ndaj Bashkisë,  por Kryetari i saj, Vangjush Dako i ka zvogëluar për ditë e më shumë këto hapësira, duke i zhdukur fare përfundimisht. Bashkia ka premtuar 40% të sipërfaqes për publikun, por kjo  ka rezultuar një gënjeshtër e madhe.  Kryetari i PS-së  dhe kryeministri i ri ka qenë koshient për këtë, por asnjëherë nuk është prononcuar, sepse nuk i ka interesuar. Të mos harrojmë që çdo parcelë është një pazar me Bashkinë e Durrësit.

    Ky është diskriminim klasor për 1 milionë të papunë

     Leonard Dedej, Drejtuesi i Shoqatës REAGO

     Kryetari i Bashkisë Durrës dhe kryebashkiakët dhe kryekomunarët e tjerë të të gjithë bregdetit premtuan  shëndetësi falas për të gjithë, por ndërkohë nuk lejojnë asnjë qytetar të tyre dhe të gjithë Shqipërisë që të shijojnë të paktën detin falas. Jo të gjithë kanë kaq shumë para, sa këta kryetarë, ndaj dhe qytetarëve u është hequr e drejta për pak plazh në detin që ua morën”.