Zija Vuka/ I fundmi i disidentëve

    481
    Sigal

    “Shembja e idhujve” vepra që atij i solli mallkimin, mallkim që po e ndjek nga pas edhe sot

    Për Skënder Drinin (Jo requiem)

    Duket pak paradoksale ekzistenca e disidentëve në ditët e sotme, gati dy dekada e gjysmë pas shembjes së murit të Berlinit, por këtu nuk ka asgjë figurative. Jemi në vazhdën e çudirave dhe paradokseve që realiteti ynë vazhdon të prodhojë dhe këmbëngul t’i kalçifikojë deri në pafundësi me kokëfortësinë e vet absurde, a thua se do t’i përdorë si mjete konkretizimi për brezat që nuk kanë pasur rastin ta njohin fenomenin e disidencës. Dhe viktima e kësaj praktike është pjesë e realitetit tonë të përditshëm. Jeton me ne, ecën përditë rrugëve të qytetit të Shkodrës, i zhytur në indiferencën dhe në mospërfilljen e vet “olimpike”, me një dinjitet që i kalon caqet e së zakonshmes, si për të na theksuar me qëndrimin e tij keqardhjen për padijeninë tonë të qëllimshme e njëkohësisht djallëzore dhe mëkatare. Ky individ gati i vetmuar, është shkrimtari Skënder Drini, për të cilin lexuesit seriozë të letërsisë shqiptare dinë shumëçka.

    Prozator i veçantë

    Ai është një nga prozatorët më të veçantë dhe një nga zërat më origjinalë të letërsisë sonë. Autor që e ka të shtrirë veprimtarinë e tij krijuese në dy epoka. Në periudhën e socrealizmit krijimtaria e tij ka kulminacionet e veta, siç janë romanet “Vraje tradhtinë”, “Shqipja e kreshtave tona”, “Shembja e idhujve”, “Midis dy kohëve”, “Bajram Curri”, “Rruga e njeriut”, “Kirurgët”, “Njerëzit dhe deti” etj., vëllimet me tregime: “Tregimet e së shtunës”, “Tregimet e veriut”, “Kompania e katërt” (tregime për fëmijë, disa prej të cilave janë përdorur si librete filmash) etj.. Pas viteve ‘90 autori ka botuar romanet: “Eklipsi i hënës”, “Ishulli i qetë”, “Nata është grua”, “Korbi”, Parajsa e gjenive”, “Planeti i lodhur” etj., disa vëllime me tregime ndër të cilët spikat “Klas”, libri mjaft interesant me aforizma “Përballje” dhe dy vëllime me shkrime publicistike. (Këto që u përmendën janë vetëm një e treta e krijimtarisë së tij dhe shpresoj që ai vetë të mos i lexojë këta rreshta).Vepra e tij ngërthen në vetvete një gamë të gjerë tematikash e motivesh, që kanë lidhje me njeriun e kohës, por edhe me individë dhe ngjarje historike, që përbëjnë elemente kombëtare nga më emblematiket. Siç ka ndodhur edhe me bashkëkohësit e tij, Agolli, Kadare, Xoxe, Arapietj., etj., në krijimtarinë e tij natyrshëm gjejmë gjurmë të metodës së realizmit socialist. Por në veprat që cituam më lart ka pak të tilla, ose aspak, sidomos në romanet historike, të shkruara me një mjeshtëri të rrallë, që kanë ardhur si produkt i hulumtimeve të gjata në anale historike, i shfletimit të duzinave libra në gjuhë të ndryshme (Drini lexon në gjashtë gjuhë, përveç shqipes) dhe falë vëzhgimeve të thella në karakteret e personave historikë të kthyera në personazhe, falë përshkrimeve plot jetë e kolorit të ngjarjeve dhe skenave masive, falë aftësisë për të depërtuar në shpirtrat dhe karakteret njerëzore dhe fantazisë, por edhe informacionit për të sjellë para lexuesit frymën dhe atmosferën e kohërave të largëta duke mbajtur në ekuilibra të mahnitshëm faktin me trillimin. Nga gjithë këto, ka krijuar modele fondamentale të këtij zhanri në letërsinë shqipe, që rrinë me dinjitet përkrah veprave të Godos, Kadaresë etj.. Romanet e shkruara pas viteve ‘90, jo vetëm kanë konfirmuar përmasat ekzistuese të një romancieri të elitës sonë, por kanë ridimensionuar vlerat e opusit tonë letrar kombëtar. Këto vepra, me motivet, filozofinë që i përshkon, teknikat letrare dhe procedimet artistike janë arritje të një letërsie moderne, që ka në fokus individë dhe fenomene universale. Drini është nga autorët me një erudicion të rrallë, një mjeshtër nga më të shquarit e dialogut, përshkrimit, meditimit dhe digresioneve. Vëzhgues dhe zbulues i underground-eve të jetës njerëzore dhe të shpirtit të personazheve, të dramave ekzistenciale të individit dhe të shoqërisë, veprat e tij provokojnë thellë intelektin dhe shpirtin e ndjeshëm të çdo lexuesi.

     

    Vepra që atij i solli mallkimin

    Vepra që atij i solli mallkimin, mallkim që po e ndjek nga pas edhe sot e kësaj dite, është romani “Shembja e idhujve”. Kaq i terrorizuar është autori nga kjo “krijesë e mallkuar”, sa pothuajse nuk e përmend fare, edhe pse ai dhe të gjithë e dinë që është një nga katër- pesë romanet më të mira të letërsisë shqiptare. Lukunia e komshinjve të letërsisë iu vërsul atij në anatemime të egra ekstraletrare, më zi se autorit të “Vargjeve satanike”. Ndëshkimi që iu bë, është “harresa”. Sepse morali i komshinjve të letërsisë është i kulluar dhe mjaft i kujdesshëm. Dhe kujdestarët e këtij lloj morali janë kujdesur me devocion e përkushtim jashtëletrar që t’i tregojnë vendin këtij heretiku dhe deri tani ia kanë dalë. Kanë realizuar braktisjen dhe humbjen e vëmendjes së njeriut, që u ngjan heronjve të vet dhe që nuk është si ekzekutorët e tij. Pragmatistëve nuk u pëlqejnë modelet njerëzore. Ata nuk kanë kohë të jenë të ndjeshëm dhe intelektualin e vërtetë nuk e honepsin dot. Sepse, duke mos e gjetur tek vetja, nuk e kanë takuar kurrë.“Le të rrijë ai aty ku e kemi hedhur”. Dhe nëse ndokush e përmend, mallkuar qoftë bashkë me të. Dikush guxoi ta nominonte për një titullin “modest” “Qytetar Nderi”.Them modest në thonjëza, sepse e kanë kthyer në modest, duke ua dhënë jo vetëm individëve të zakonshëm shqiptarë, por edhe çdo sharlatani të huaj dhe pjesa më e madhe e korit të votuesve në komisionin e titujve e refuzoi. Fali, o Zot për këtë bindjen e tyre en bloc, që buron nga një devocion popullor i keqorientuar. Dhe kur kujtojmë se çfarë vendimesh antinjerëzore, antiqytetare, antihistorike, antilogjike dhe antihumane kanë pasur guximin të marrin komisionet e qeverisjes vendore. Po sa të kujdesshëm dhe “koprracë” në votimin e një titulli për një njeri të merituar, kur këtë titull ua kanë dhënë edhe samarxhinjve (edhe ata të respektuar). Më vjen në mendje një dialog me mikun tim, të ndjerin Paulin Selimi, kur po më pyeste:

    -Sa vetë e kanë marrë titullin “Krenaria e qytetit?”

    -Më duket se shumë.

    -Sa shumë?- këmbënguli ai.

    -Po, them se dhjetëra, mbase edhe qindra.

    – Gabim.

    -Pse?

    -Duhet t’ua japim të gjithëve. Të hapet një zyrë që të ketë një sportel dhe t’i thërrasë të gjithë qytetarët me radhë dhe t’ia dorëzojë secilit titullin “Krenaria e qytetit”.

    -Po me ç’motiv?

    -Me motivin “I qetë dhe korrekt”

    Pas këtij dialogu, shikoja çdo minutë rrugët e qytetit të mbushura me “Qytetar Nderi”

    Duke kaluar nga sekuenca e humorit që më ngjalli kujtimi i mikut tim të vjetër, mendoj se margjinalizimi i një artisti me përmasa të padiskutueshme kombëtare, si Skënder Drini mund të bëhet vetëm për dy arsye: e para, nga mosnjohja e veprës së tij; dhe padijenia nuk është argument dhe, e dyta, nga presioni i komshinjve të letërsisë, që janë gati të promovojnë para tij çdo figurë minore, qoftë edhe duke e kërkuar nëpër sepetet e mykura të periferisë së letërsisë sonë të traditës apo edhe moderne. Por, cilat janë kriteret që janë përdorur për autorët e futur në antologjitë shkollore, që ky shkrimtar nuk i plotëson? Ai mund të futet si mjeshtër i tregimit, i romanit historik, i romanit modern shqiptar, i publicistikës etj. Së fundi, me sa duket, jo çdo e keqe vjen për keq. Ai po “gëzon”, pa dashjen e tij atributin e disidentit modern. Dhe për këtë duhet t’u jetë mirënjohës komshinjve të letërsisë.

    Shënim: sintagmën komshinjtë e letërsisë e kam huazuar nga poeti Astrit Cani.

    “Kryezonjë, bëzani Rrazës” dhe klub kulturor “Mirdita”

      Nga Çelik Petriti

    Këto përqasje m’i nxiti libri i Llesh Gjinit “Kryezonjë, bëzani Rrazës” promovuar këto ditë në Tiranë nga shoqatë – klub kulturor “Mirdita”. Për ata që nuk e dinë, le të parantezoj se vendasit dhe fqinjët e tyre përreth, me toponimin “Rrazë” përkufizojnë pjesën etnikisht mirditore (që nga “Çlirimi” e këtej, administrativisht përfshirë në rrethin e Matit), e cila fillon e hapet në të dy krahët, sapo kalon qytezën e Milotit, qysh me digën e hidrocentralit të Shkopetit, për t’u shtrirë tashmë brigjeve të liqeneve të Shkopetit e të Ulzës, duke përfshirë një sërë fshatrash, diku – diku me popullsi tërësisht katolike, diku – diku të përzier me atë myslimane, por që kanë, jo vetëm shkuarësi, por edhe respekt reciprok, mbi të gjitha intelektualisht, për t’u marrë shembull, dukuri që sërish përshkon tej e tej edhe këtë libër më të fundit të këtij autori. Është një trevë aq piktoreske, me atë blunë në të gjelbër të liqenit të Shkopetit në mes e me blerimin përreth, që s’më është ndarë nga kujtesa qëkurse e kam përjetuar së pari në vitin 1970, edhe pse në rrethana psikologjike jo turistike. Madje më ka kaluar  në kujtesë si në një “Déjà vu” (le të duket e pabesueshme) edhe duke vizituar qytete të tilla piktoreske marramendëse si Stambolli e Venecia. Këto vitet e fundit shumicën e atyre vendeve i kam shkelur me këmbë gjatë promovimit atje të dy librave të mëparshëm të Llesh Gjinit dhe të poetit tjetër të atyre anëve Fatmir Gjestila. Dhe kam prekur e ndjerë kësisoj nga afër, jo vetëm resurset relievore, por edhe ato historike e kulturore, ku kanë marrë spunto  vepra të spikatura muzikore si opera “Mrika”, disa drama të Kolë Jakovës, etj..

    Është treva nga ka lindur Pjetër Budi, ku është shkruar “Formula e Pagëzimit”, etj., etj..

    Të gjitha këtyre Llesh Gjini u rikthehet sërish në këtë libër, tashmë duke u bërë apel Instancave të Larta shtetërore e qeveritare për ta kthyer kokën andej. Në mos, enkas për plane konkrete të vetat, së paku ekskursionisht, duke ikur, apo duke u kthyer nga Shkodra për në Tiranë, sepse Shkodra është ajo që është dhe mirë është bërë që po vihet dorë atje, por aty djathtas, duke shkuar për në qytetin e lashtë është edhe Rraza, me lashtësi e modernitet edhe ajo, që do t’ i ofronte shumë befasi gjithkujt, qoftë ai i huaj, apo shqiptar, pa le më vendasve të gjorë që, më së paku, s’do të tundoheshin për ta braktisur, ndërsa, më së shumti, do të guxonin për të investuar si ata djemtë e Skraparit, apo të Beratit në luginën e Osumit. Sepse është aq e pavënë dorë kjo trevë, saqë ende anë rruge të përballen  nëpër mure e skarpata parullat e Monizmit që të bëjnë, sa për të qeshur, aq edhe për të qarë, të cilat do të qëndronin më mirë dhe do të të bënin për të qeshur, nëse do të ishin krahas investimeve të reja me standarde europiane. Dhe, me sa duket edhe nga titulli, më adresuar i drejtohet ish – kryetares së Parlamentit, tej e fund me konsideratë për mundësitë që ajo kishte për të bërë diçka, edhe pse tej e fund me një gjuhë rënkuese për të gjitha mosbërjet. Kuptohet kjo (edhe pse publikohet tani) që gjatë “qeverisjes” së saj është shkruar ky libër. Kuptohet  edhe për faktin që i drejtohet me  gegërishten, që ajo e ka për zemër dhe tenton ta flasë edhe zyrtarisht. Veçse Lleshi me gegërishten e vlerave në të gjitha treguesit e saj, sidomos në ritëm, me ato fjalitë emocionale të paplota (apo mungesore, siç i quajnë disa sintaksologë) e me atë pasuri leksikore për t’u admiruar, veçanërisht me frazeologjizmat e idiomat. Me një gegërishte, e cila e ka përthithur aq shumë Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, me formim labi 24 – karatsh, t’i përcjellë po ashtu me atë gegërishte, të shtatë faqet e parathënies së librit. Sidoqoftë, ç’u ba, u ba, thonë elbasanasit. Nëse është e vërtetë thënia “daullja bie për ata që kanë veshë”, dhëntë Zoti që “lutjet” e përcjella nëpërmjet këtij libri të mos bien në vesh të shurdhër për strukturat e reja qeveritare në formim e sipër.