Zhurma e furgonëve kundër ligjit

    419
    Sigal

    Duhet ta thuash miliona herë që Bashkia e Tiranës është fituar dhe drejtohet nga një demokrat, i cili është në shërbim të gjithë qytetarëve, e përsëri nuk i mbush mendjen atyre që nuk duan. Sepse kanë dëshirë që gjithçka ta shikojnë me ngjyra politike dhe partiake. Për këtë arsye kanë vënë në punë 24 orë në 24, mjetet e shpifjes dhe të gënjeshtrave. Sulme monstruoze ndaj policisë bashkiake janë ngritur kohet e fundit deri në nivel partie dhe në  media. Anketa gjoja qytetarësh, nëse duhet shkarkuar ky apo ai drejtues, mbushim ekranet e dështuara artistike të këtyre xhamave me ngjyrë. Dhe përgjigja jepet po nga vetë organizatorët e anketës, po.  98 për qind thonë që duhet shkarkuar, 1 për qind jo , dhe 1 për qind abstenoka! Kjo frymë politike ka afro 70 vite që sukseset e veta dhe dështimet e të tjerëve i nxjerr me shifrën 98 për qind. Qesharake! Sapo bie pak ritmi i një sulmi i dalë boje, menjëherë nis një tjetër. U shua problemi rom, megjithëse organizatorët patën besim se nga kjo temë e zezë do të dilnin faqebardhë. Ndërsa tani kanë kërcyer në një fushë tjetër. Ketrat polikë dhe ato mediatikë këtë punë kanë, të sulmojnë duke gjetur apo shpikur të meta tek ai që nuk e duan. Hapur po marrin në mbrojtje shkelësit e ligjit. Të bëhesh palë me ta, apo të kthehesh në avokat të tyre, do të thotë që nuk e do zbatimin e ligjit, por rrumpallë dhe mjegull. Dhe mjegullën e kërkon vetëm ujku. Pastaj, në zgjedhje njerëzit  e kujtojnë se kush është ujku dhe nuk e votojnë. Si është e vërteta e ndalimit, bllokimit dhe gjobitjes së furgonave të paligjshëm në Tiranë? Në Ligjin 9808, dt. 24.09.2007, Për disa ndryshime dhe shtesa në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë saktësohet shprehimisht: kur një bashki ka më shumë se 20 mijë banorë, policia bashkiake konstaton dhe ndërhyn në shkeljet e Kodit Rrugor. Duke qenë se  kryeqyteti ka bashkinë më të madhe në vend, logjikisht dhe padrejtësisht “gëzon”  një transport jashtë ligjor jo të pakët. Në rrugët  e këtij metropoli lëvizin mjete private, autobusë të linjave dhe furgonave të qytetit apo dhe jashtë tij. Kushdo që është brenda ligjit gëzon të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe lëvizjes në bazë të kushteve te licencës. Mirëpo, nën këmbët e tyre, futen ashtu si pa e kuptuar, të jashtëligjshmit, dhe kjo nuk është normale dhe e drejtë. Unë që jam konform ligjit dhe shlyej detyrimet, dua që shteti të cilit i përkas, duhet të më mbroje ndaj këtij shkelësi që më dëmton biznesin tim. Me këtë të drejtë, shumë nga këta persona që ushtrojnë aktivitetin e tyre konform ligjit,  ankohen pranë zyrave të Policisë Bashkiake. Sepse kjo drejtori e zbatimit të ligjit brenda qytetit, e ka për detyrë dhe të drejte të garantojë ushtrimin e biznesit të ligjshëm dhe të drejtë, ndaj  atyre të paligjshmeve. Prandaj është krijuar kjo strukturë. Dhe Policia Bashkiake e Tiranës është 24 orë në shërbim për të ndalur ushtrimin e çdo veprimtarie të paligjshme në mënyre publike. Dhe nga këto kemi sa të duash. Grupet e gatshme  të saj, që ditë dhe natë kontrollojnë qytetin, nisen atje ku telefonat e qytetareve alarmojnë qendrën operative pranë kësaj drejtorie. Makinat karoatrec çdo 30 minuta shkarkojnë në ambientet e Policisë Bashkiake çdo furgon apo veturë të bllokuar për shkelje të rregullave të parkimit apo të ushtrimit të profesionit. Pas tyre vjen pronari, paguan gjobën dhe brenda disa minutash ai është sërish me mjetin e tij në rrugë. Por këto raste i vë re vetëm tek njerëzit normal dhe tek qytetarët e përgjegjshëm, të cilët  e dimë se si çdo polici, edhe ajo bashkiake funksionon në bazë ligjit. Ndërsa disa të tjerë me bindje fanatike të majta protestojnë se kjo është një padrejtësi që u bëhet, pastaj ngrenë zërin tek selia e partisë së tyre apo në media. Për të sqaruar pozicion ligjor mbi detyrat dhe të drejtat  e Policisë Bashkiake, detyrat e të drejtat e qytetarit në raport me ligjin, pyeta inspektorin e Qarkullit Rrugor, z. Gentian Vocaj, i cili prej disa vitesh punon pranë kësaj strukture. Ai më përgjigjet: detyra dhe e drejta jonë si polici fillon që kur marrin ankesat e shoqërive të linjave urbane, të cilat janë të licencuara për zhvillimin e këtij aktiviteti, nga ndërhyje të paligjshme të furgonave 8+1 apo të  autobusëve. Ata kanë të drejtë dhe ne kemi për detyrë  t’i mbrojmë. Ky është rasti i parë i ndalimit të jashtëligjshëm nga ana e Policisë Bashkiake. Dhe këta kur marrin gjobën për këtë konkurrencë të padrejtë, hidhen përpjetë se ju është bërë padrejtësi. Tjetër rast: Taksitë 8+1, të licencuar si mjete të transportit rrugor kanë të drejtë të marrin pasagjerë për udhëtim në grup brenda apo jashtë qytetit, por kurrsesi të futen në linjat urbane brenda apo jashtë qytetit. Pra licenca e tij ka tjetër destinacion, ndërsa ai devijon, dhe futet atje ku mendon se ka më shumë fitim. Këtu kemi shkeljen e dytë të radhës. Rasti i tretë: Furgon me licencë autobusi, ta zëmë në linjën Tiranë- Durrës, devijojnë nga licenca dhe futen në linjën Tiranë -Kamzë ose Tiranë- Kombinat. Përsëri ne jemi të detyruar të ndërhyjmë sepse biznesi i ligjshëm duhet mbrojtur nga kjo strukturë që e ka për detyrë. Këto raste që të thashë shumëzoi me dhjetëra dhe do të kuptoni pse bërtasin kaq shumë të paligjshmit  kur janë të detyruar të paguajnë gjobën deri në një. A është e mundur të mos e quash shkelës një pronar furgoni 8+1, i cili ka në licencën e falsifikuar 8 targa të ndryshme, ndërkohë që licenca lëshohet vetëm për një. Po të të numëroj gjithë shkeljet e këtyre zhurmuesve do të lemeriteshe ti dhe lexuesit e gazetës. Nëse sektori i qarkullimit nuk do të ishte thellësisht në zbatim të ligjit, Policia Bashkiake do të anatemohej nga të gjithë banorët e kryeqytetit. Ligji e thotë qarte se ku fillon dhe ku mbaron e drejta e Policisë Bashkiake. Mirëpo, për t’u shumuar, shkelësit e ligjit stimulohet me mbrojtje mediatike. Ndërkohë që, një qytetar, i cili ndjek nga ekrani apo gazetat ankimet e padrejta, nuk  e di se ato kanë prapavijë politike. Aq më pak të njohë ligjin mbi të cilin mbështet Policia Bashkiake. Një trajner futbolli nga Durrësi, i cili pagoi gjobën për parkim të gabuar në Tiranë, krejt i ndërgjegjshëm, i tha një qytetari tjetër që ankohej duke u dridhur sikur ta kishin futur në korrent: e shkele ligjin, shko paguaj. Nëse nuk ju pëlqejnë, kryetari Basha dhe ky drejtori i Policisë Bashkiake, na i sillni ne atje, në Durrës, që të bëjnë zap katrahurën e qytetit tonë. Prandaj më ndodh shpesh të më kujtohet ajo thënie e Molierit, “megjithëse e di mirë se ai ka të drejtë, sidomos në një shoqëri si kjo e jona, ku 100 virtyte, natyra ne na adhurojnë nga pika e dobët njerëzit do të na gjykojnë. Bile edhe kur nuk ke asnjë pikë të dobët.