Zguri, strategjia për të larguar opozitën nga KQZ

540
Goditja e kreut të KQZ-së, skema që bllokon zgjedhjet
Mazhoranca pritet të shqyrtojë largimin e Zgurit më 30 nëntor, gjë që mund të çojë në tërheqjen e opozitës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 
Shkarkimi i Klement Zgurit nga drejtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të çojë në një krizë tjetër brenda institucionit që administron zgjedhjet në Shqipëri. Vetëm 18 muaj larg votimeve të ardhshme vendore dhe teksa Kuvendi ka nisur punën për reformën zgjedhore, KQZ-ja është rikthyer në qendër të debatit politik. Një rikthim i beftë, vetëm pasi politika ishte tronditur nga çështja “Tahiri”. Ishin socialistët, të cilët e akuzuan kreun e KQZ-së për fshehjen e një materiali të prokurorisë lidhur me kryetarin e bashkisë së Mallakastrës dhe tashmë Partia Socialiste ka paralajmëruar veprime konkrete ndaj Zgurit. Kuvendi mund ta diskutojë shkarkimin e tij në seancën e 30 nëntorit, ndërsa gjatë kësaj të enjteje nuk do të ketë seancë plenare. Sipas burimeve nga opozita, një hap i mundshëm për shkarkimin e Zgurit mund të çojë deri në bojkotimin e plotë të KQZ-së nga përfaqësuesit e opozitës. Një situatë që mund ta çonte KQZ-në drejt bllokimit për shkak se opozita sot zotëron shumicën e Komisionit, duke pasur 3 përfaqësues të PD-së dhe 1 të LSI-së.

Megjithatë, të pyetur nga “Telegraf”, ndonëse mazhoranca ka ndërmarrë nismën për shkarkimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri, anëtarët e djathtë në këtë institucion nuk besojnë se do të ndodh një gjë e tillë. Burime nga ky institucion deklarojnë se nuk mund të flasin për shkarkim, për aq kohë sa kushtet nuk janë të tilla dhe kur KQZ ka shpalosur me dokumentacion gjithë procedurën që ka zbatuar për çdo çështje. Anëtarët e Komisionit saktësuan se, pavarësisht deklaratave politike, çështja ende nuk ka shkuar në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Megjithatë, burimet nuk përjashtuan se të gjithë variantet mbeten në tryezën e diskutimit, ndërsa do të ketë edhe një vendimmarrje politike. Klement Zguri mori drejtimin e KQZ-së pas marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit, duke ndërruar vendet me Denar Bibën. 

Një precedent i ngjashëm ka ndodhur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve edhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Pas prishjes së koalicionit qeveritar mes PD-së dhe LSI-së, demokratët në pushtet vendosën të largonin nga KQZ-ja përfaqësuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. PS dhe LSI, që ndërtuan koalicionin e ri, e kundërshtuan këtë hap dhe më pas vendosën të tërheqin përfaqësuesit e tyre nga KQZ-ja. 

Çfarë parashikon Kodi Zgjedhor
Zgjedhja e Kryetarit të KQZ-së
1 – Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht Kryetar i KQZ-së zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi.

2 – Jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kryetarit të KQZ-së, Kuvendi i Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të Kryetarit të KQZ-së. Çdo shtetas që plotëson kushtet e nenit 12 të këtij Kodi mund të paraqitet si kandidat për Kryetar të KQZ-së. Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të KQZ-së.

3 – Lista e kandidatëve i kalon komisionit të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve ligjore. Në këtë listë nuk mund të përfshihen ose, nëse janë përfshirë, përjashtohen kandidatët e propozuar sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. Komisioni i shqyrton kandidaturat në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

Pas verifikimit të kritereve zbatohet procedura si më poshtë:
a) komisioni përzgjedh për t’u paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Kur shumicën e cilësuar e gëzojnë më shumë se dy kandidatë, në votim paraqiten dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë;
b) nëse shumicën e cilësuar sipas shkronjës “a” nuk e gëzojnë së paku dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit pas zbatimit të shkronjës “a”;
c) kur gjatë zbatimit të shkronjave “a” dhe “b” dy apo më shumë kandidatë gëzojnë të njëjtën mbështetje, përzgjedhja e tyre bëhet me short;
ç) përfaqësuesit e pakicës parlamentare në komision përjashtojnë dy nga kandidatët e përzgjedhur sipas shkronjës “b”. Kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim;
d) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të KQZ-së
1 – Mandati i anëtarit dhe Kryetarit të KQZ-së përfundon përpara afatit kur:
a) kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit të KQZ-së;
b) mbush moshën për pension;
c) vdes;
ç) jep dorëheqjen nga detyra;
d) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
dh) me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së për përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre;
e) mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë;
2 – Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së për shkaqe të parashikuara në shkronjat “a” “d” “dh” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja është e detyruar të fillojë procedurën për propozimin e shkarkimit jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për shkakun. Në rastet e tjera të pikës 1 të këtij neni, anëtari i KQZ-së lirohet me vendim të Kuvendit pas njoftimit nga ana e KQZ-së.
Sigal