Zgjedhjet e 23 Qershorit drejt …manipulimeve

480
Sigal

Ministria e Brendshme deklaron se janë përgatitur listat zgjedhore, pa asnjë të metë,  opozita evidenton shkelje të rënda të dublimeve

KQZ-ja me 4 anëtarë vazhdon përditë të funksionojë, si diçka normale, ndërsa ministria e Brendshme ka shkelur të gjitha afatet që parashikon Kodi Zgjedhor për hartimin dhe publikimin e listave zgjedhore. Edhe pse kanë mbetur edhe pak ditë nga 23 Qershori, Ministria e Brendshme ende nuk ka zbatuar detyrimin ligjor që të njoftojë të gjithë votuesit me shkresë në shtëpi për listat zgjedhore. Madje edhe afishimi i listave në njësitë vendore lë shumë për të dëshiruar, pasi ato janë afishuar në vende të atilla, ku asnjë votues nuk ka mundësi që të lexojë e verifikojë asnjë të dhënë. Një shembull. Shumë lista të zgjedhësve u afishuan në murin rrethues të ish-Shkollës “Skënderbej” ( tani Akademia Ushtarake),  duke u ekzpozuar në shi, erë dhe tani nuk ka mbetur më asnjë listë. Një tjetër rast që kontaktuam nga afër. Në Gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, listat e zgjedhësve sapo janë afishuar, por  asnjë votues nuk ka mundësi të lexojë  asgjë, pasi listat janë ngjitur në xhamet e dritareve që janë në lartësi të madhe e duhen shkallë të zjarrfikësve, për t’u afruar e lexuar ato.

Zv/ministri i Brendshëm Pone deklaron  lista perfekte

Zv/ministri i Brendshëm, Pone, pak ditë më parë, deklaroi se nuk ka asnjë zgjedhës pa adresë të identifikuar, nuk ka asnjë emër të dubluar, dhe se askush nuk mund të votojë dy herë.

“Nuk ka asnjë zgjedhës pa adresë të identifikuar zgjedhore, pra është zero. Ata, që ju i quani 888, 999-tat, e dinë shumë mirë se në cilën bashki apo komunë do të votojnë dhe në cilën qendër votimi, se e kanë numrin e qendrës së votimit”. Sa i përket dublimeve, zoti Poni theksoi se tashmë ky numër është fare i ulët dhe nuk paraqet problem. “Ata janë në listë. Ne kemi dyshuar, por nuk kemi informacion, kështu që nga një listë zgjedhësish nuk mund t’i heqim, nëse nuk kemi informacion nëse është dublim, është i veçantë e me radhë. Por, janë shumë pak”, shtoi Ferdinand Poni. Lista përfundimtare e zgjedhësve përmban 3,270,936 zgjedhës, që do të afishohet në çdo njësi vendore, brenda këtyre 24 orëve të fundit.

Reagon opozita. “Pone mashtron me të dhënat”

Ministria e Brendshme deklaron se ka hartuar listat zgjedhore perfekte, në një kohë kur auditët që ka caktuar KQZ-ja, ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Gjithashtu, ministria e Brendshme nuk ka bërë asnjë përçapje që të bashkëpunojë me opozitën për të akorduar të dhënat, në mënyrë të këtillë që në listat përfundimtare zgjedhore të ketë transparencë. Ministria e Brendshme e ka detyrim ligjor që të bëjë transparente të dhënat e listave zgjedhore dhe nuk mund të sillet si një institucion partiak dhe të publikojë çdo të dhënë pa bërë më parë transparencën e tyre. Opozita hedh poshtë çdo pretendim të ministrisë së Brendshme, për listat zgjedhore. Kështu, sekretari për çështjet zgjedhore të PS-së, deputeti Damian Gjiknuri, i prononcuar nga “Telegraf”, u shpreh: “ Ne nuk mund të besojmë kurrsesi të dhënat që publikon Ministria e Brendshme, për listat zgjedhore. Neve nuk na ka informuar, nuk na ka bërë asnjë transparencë të të dhënave. Por, më e keqja është se listat zgjedhore akoma kanë numër shumë të madh të dublimeve, qindra mijëra zgjedhës akoma janë pa adresë zgjedhore. Auditi ynë në KQZ po përpunon të dhënat dhe së shpejti, ne do të publikojmë me fakte çregullsitë e listave zgjedhore. Ato janë në rrezik të manipulohen”.

Procesi zgjedhor ka humbur mirëbesimin e forcave politike

Ministria e Brendshme, është institucioni që përgatit dhe menaxhon procesin e zgjedhjeve, ndaj ka detyrë kushtetuese që të ruajë raportet e paanshmërisë. Mirëpo, Ministria e Brendshme, jo vetëm që nuk koordinon menaxhimin e procesit zgjedhor me opozitën, në mënyrë që të gjitha veprimet e saj të karakterizohen nga transparenca dhe t’i japë vetë procesit zgjedhor mirëbesimin politik të domosdoshëm për të plotësuar standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme, por me veprime të njëanshme dhe arbitrare, vepron sikur të jetë një strukturë partiake e mazhorancës, duke shpërfillë tërësisht bashkëpunimin me opozitën. Shembulli është ngutja e qëllimshme e ministrisë së Brendshme, e cila deklaron listat zgjedhore përfundimtare, si perfekte, ndërkohë, që auditi i KQZ-së, dhe opozita nuk kanë asnjë lloj dijenie, por kanë rezervat dhe prova të mjaftueshme e bindëse që listat zgjedhore akoma kanë shkelje të rënda, si dublime dhe mosadresë zgjedhore të qindra-mijëra zgjedhësve, pasojat e të cilave janë manipulimi i rezultatit të 23 Qershorit.