Zenepe Luka, 40 vjet karrierë në gazetari, duke luftuar me padrejtësinë

789
Sigal

Më 13 dhjetor në Ministrinë e Kulturës diskutohet libri i Zenepe Lukës dhe organizohet takimi me të diplomuarit e parë në gazetari

Më 13 dhjetor, ditën e premte, ora 11:00, në sallën e Ministrisë së Kulturës: Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” në bashkëpunim  me Ministrinë e Kulturës dhe shoqatën “Gruaja gazetare” organizojnë veprimtarinë: Takim me gazetarët diplomuar 40 vjet në parë në universitetin shtetëror të Tiranës. Promovohet libri “Kjo është jeta ime” i autores, gazetares, shkrimtares Zenepe Luka. Dëshirojmë që të bëheni pjesë e këtij eventi për gruan gazetare. Në këtë takim do të jenë të pranishëm, Tefta Radi, Virgjil Kule, Prof. Dr. Hamit Boriçi, Vllasova Musta, Makbule Çeço. Anila Basha, Rudina Xhunga, Riza Lahi. Gjithashtu, do të lexohen të falat nga Dritëro Agolli dhe do të lexohet parathënia e librit, shkruar nga shkrimtarja dhe publicistja Desdemona Stefa. Me këtë rast do të transmetohet dokumentari 40 vjet karrierë në gazetari”.

Dritëro Agolli: Zenepe Luka, një gazetare e veçantë

Në kuptimin e marrëdhënieve shoqërore, të jesh gazetar, do të thotë, të njohësh dhe të të njohin shumë njerëz, ta kesh për nder, që i njeh dhe ta kenë për nder ata, që të njohin. Ata, që ke takuar, do të thonë: “Kam njohur filanen”! Kështu do ta filloja një përsiatje për krijimtarinë dhe veprimtarinë e publicistes dhe shkrimtares Zenepe Luka, të njohur që kur e kishte mbiemrin Çekrezi, vajzë e gjallë dhe me mëndje plot fantazi. Fola në fillim për njohjen e gazetarit nga lexuesit, por kjo njohje nuk është e lehtë, sa një shtrëngim duarsh aty për aty. Zenepe Luka e ka fituar me përpjekje dhe me mundim shtrëngimin e dorës nga lexuesi.

Helena Kadare: Zenepja, një gazetare e shkëlqyer

 “Meritë kryesore e novelës së Zenepe Lukës, e titulluar “Rënkimi i shpirtit”, është pikërisht shlyerja e kufirit midis temës së grave dhe asaj universale, pavarësisht se në këtë novelë prekëse, vendin qendror e zë fati i një gruaje shqiptare. Ky fakt është gërshetuar në mënyrë të përgjithshme me fatin tragjik njeriut të saj të dashur si edhe me atë të burrit të mëvonshëm.

Prof. Dr. Nuhi Vinca: Luka, një profesioniste e gazetarisë

 “…Shkrimtaren  Zenepe Luka e njoh nga novela “Rënkimi i shpirtit”. Ajo qëllimisht e çel me fjalën e saj mirënjohëse: “Prindërve të mi, babait që nuk e njoha kurrë, nënës me rastin e 80- vjetorit të lindjes, pa ata nuk do të kishim lindur 8 fëmijë, as 70 nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa. Mirënjohje!”. Me vëllezër e motra, bij e bija, qoftë shtëpia dhe Shqipëria. Ky ishte mesazhi i novelës, veprës së saj të botuar më 1996. Tek libri “VloraVlora”, lexuesi do të gjejë tre vlera. Veprën dokument, veprën monument dhe veprën testament. Mesazhet e faqeve të këtij libri publicistik, përcillen në gjuhën poetike dhe fotografike. Ka arsyen e vet se jemi në Vlorën historike, por jemi edhe në botën e krijimtarisë imagjinative, dispulsive, ku gazetarja dhe shkrimtarja Zenepe Luka bashkëvepron.

Prof. Dr. Hamit Boriçi: Gazetarja rebele që shkëlqeu në profesion

Kam në dorë një libër, përmbledhje shkrimesh publicistike të gazetares Zenepe Luka-Çekresi, tashmë të mirënjohur në qarqet e medias shqiptare dhe ndërkombëtare. Janë dhjetëra kronika, reportazh, intervista dhe shënime publicistike, që kjo autore ka zgjedhur  dhe sistemuar në këtë vëllim të titulluar “Unë, gazetarja rebele”. Gazetarja rebele Zenepe Luka-Cekresi? Po, po. Rebele ka qenë dhe është, kjo publiciste që iu përkushtua profesionit të gazetares, me aq pasion dhe përgjegjshmëri, që nuk pajtohej me ndonjë shoqe, që i kishte hyrë gazetarisë për emër, apo për tu strukur diku në një qoshe të ngrohtë të gazetarisë, që nuk bindje lehtë për çka i thuhej, pa hyrë në debat shoqëror, që ishte gjithmonë në udhëtime, në qytete e fshatra të Shqipërisë. Duke shkuar mes njerëzve e shkruar për ta, që me guxim djaloshar, hynte në thellësi të galerive e puseve të minierave që po ndërtoheshin, që ngjitej në oxhaqet e furrnaltës së Metalurgjikut. Ajo, pa asnjë paragjykim udhëtonte në çdo mjet, deri edhe me aeroplan e mushkë, në gjurmim të faktit, të jetës, për ta pasqyruar atë me një nivel dhe emocion. Lexoj titullin e këtij libri “Unë gazetarja rebele” dhe sjell në kujtesë studenten, që ngulmoi për të ndërruar degën nga Gjuhë –Letërsi në Gazetari, që u paraqit në Fakultetin tonë 2-3 javë, pasi kishin filluar ligjëratat, që nuk e zinte vendi pa bërë një pas një pyetje, për profesionin e gazetarit, që gjatë pushimeve të verës me një bllok e laps në dorë, vihej në kërkim të faktit, të ngjarjes, të realiteteve shoqërore, duke i hedhur në letër e duke luftuar për botimin e tyre. Kam parasysh atë studenten e Gazetarisë, atë gazetaren e çlirët, pa komplekse, tek e cila harmonizohej pasioni, përkushtimi, guximi dhe talenti i lindur, për t’u bërë një gazetare e denjë. Po, rebele ka qenë dhe është Zenepe Luka, që i hyri rrugës së bukur, por aq delikate dhe të vështirë me ngulm, që përballoi sfidat e kohës dhe të njerëzve me paragjykime, duke i sfiduar ata, që u ndesh me zyrtarë e shtetarë prepotentë, me politikanë me vizione të kufizuara, me çirakë e puthadorë servilë.

Tefta Radi: Zenepe Luka, krenaria e gazetarisë shqiptare.

Kjo është Luka, që njoh unë. Shtatvogël, por me zemër të madhe. Me sy interesantë, jo vetëm për nga ngjyra, por edhe vështrimi shpotitës dhe i mprehtë, që depërton thellë në shpirtin dhe karakteret  njerëzore. Me një fjalor të pasur, zhdërvjelltësi në të folur, ajo të bën për vete. Që në rininë e saj të hershme, Zenepe Luka, vajza nga Librazhdi, ka ditur të tregojë dhe të dëshmojë me pendën e saj në shtypin e kohës, histori dhe ngjarje njerëzore, që në fushën e gazetarisë përbënin lajm. Pas studimeve në këtë fushë, ajo u shqua si gazetare profesioniste, për kurajon për të përcjellë tek lexuesi vetëm të vërtetën. Guximi i saj i kushtoi jo pak edhe në vitet e Diktaturës, duke filluar profesionin në gazetën lokale në Kukësin e largët. Ajo është e vetmja femër, që tërë jetën punoi si gazetare e terrenit. Gazetarja, publicistja dhe shkrimtarja, autore e disa veprave të zhanreve të ndryshme, është ajo që e njohim të gjithë ne gazetarët. Luka rebele, e kudogjendura në situatat më të rënda dhe zhvillimet që përjetoi vendi ynë, në këto vite të vështira të tranzicionit. Ishte ajo, që në ngjarjet e trishtuara të vitit 1997, me lajmet e saj të sjella nga terreni, ku jo kushdo mund të depërtonte dhe të merrte përsipër këtë mision, në rrethanat e një lufte civile, e çoi tirazhin e gazetës “Koha Jonë”, ku punonte në 80 mijë kopje, ndërsa Radio-Kohën, ta bënte median e folur më të ndjekurën dhe më të besuarën. Kjo është Luka, që njoh unë.

Kush është Zenepe Luka

Zenepe Luka  (Çekrezi),  u lind  në Librazhd.  Pasi  përfundoi  shkollën  e mesme  “Luigj  Gurakuqi”  në  Elbasan,  kreu   studimet   e   larta   në   Fakultetin  e  Shkencave Politike Juridike në Tiranë dhe në maj të vitit 1973,  u diplomua Gazetare. Profesionin e vështirë të gazetares do ta niste në gazetën lokale “Kukësi i Ri”, në  revistën “Shqiptarja e Re”,  për të vijuar në të përditshmet “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, etj.. Një kontribut të veçantë, Zenepe Luka, ka dhënë në qytetin e saj të lindjes, në Librazhd, ku për shumë vite ka punuar si lektore në Muzeun  Etnografik, duke ushtruar edhe profesionin e saj si gazetare. Në vitin 1994, u vendos në qytetin e Vlorës. Për një  dekadë ka qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë”, më pas në gazetën “Ballkan” e “Telegraf”. Për kontributin dhe vlerat e saj, Zenepe Luka është vlerësuar me  “Mirënjohjen”  e  qytetit  të  Prizrenit,  qytetit  të  Librazhdit, Bashkisë  së  Vlorës,  Kuvendit  të  Dhjetë  të  Gruas  së  Shquar  mbajtur në Bruksel dhe shumë  shoqata në  diasporë. Në   muajin   nëntor   të   vitit   2011, në Forumin Botëror të  Gruas, mbajtur në Pekin, Zenepe Lukës iu dorëzua çmimi “Grua e  shquar”,  nga  Presidente e Federatës  së  Grave  Kineze dhe Nënkryetare e Parlamentit të Kinës, zonja Chen Zhi Li. Mirënjohja  e  Shoqatës  “Labëria”  dhe  Komunës  Mitrovicë- Prishtinë. Në muajin korrik të vitit 2012, iu dha medalja “Mirënjohje” nga Komuna e Celino San Marko, me rastin e promovimit të librit “Dashuri shqiptare për Al Bano”.

Ka botuar

“Rënkimi i shpirtit”, novelë, 1996.

“Vlora,Vlora”, publicistikë, 1998.

“Unë gazetarja Rebele” publicistikë, 2001.

“Një jetë për Kombin”, publicistikë, 2002.

“Rrëfej Nermin Vlorën-Ishim Tri”, 2005.

“Violeta Manushi, kryezonja e skenës”, 2007.

“Al Bano dhe Albania” , 2008.

“Dashuri shqiptare për Al Bano”, në gjuhën italiane, 2012.

“Kjo është jeta ime”, botim i vitit 2013.