Zejnepe Alili REXHEPI/ Beteja e maskave

    443
    Sigal

    (Tetovë – Maqedoni)

    Bie muzgu mbi shpirt!

    Grilat rëndojnë jetën,

    në heshtjen tënde joshëse

    Ata t’i ndjekin gjurmët.

    Marrëzia lakuriqësohet!

    Po ç’ndodh me Ty!?

    Je Ai që vret,

    apo Ai që vranë?

    Buzëqeshja fluturon magjishëm.

    Në pellg ëndrrash notoj,

    në heshtjen time vrasëse,

    Ata zbulojnë gjurmët.

    Marrëzia lakuriqësohet!

    Po ç’ndodh me mua!?

    Jam Ajo që vret,

    apo Ajo që vranë?

    (Frymëzuar nga poezia “Ndjekja”-Pol Elyar)

    Fjalët e pathëna

    Në kohë të gabuar ecim,

    të heshtur e të përvajshëm jemi,

    me brengën e historisë në shpirt

    dhembshurisht…

    në këtë botë të çoroditur,

    dëshmitarë të verbër mbetëm.

    Lot e pritje amshimi,

    në kohë të gabuar

    fjalët ngjoken, u tret pakuptimësia,

    veç relikte të shkapërderdhura

    me madhështi gjarpërore,

    po s’kanë vlerë mbi gërmadha.

    Në Esperanto heshtën eruditët,

    ngecën fjalët,

    si para Ciceronit engu

    kur makthi shpërprish ëndrrat,

    as në ankthe vrastare s’u mposhtëm,

    madrigali mori vello dhembshurie.

     

    Pranverë e shi

    Ah, thua të heshtim më?!

    Pas shiut vërshues të Tiranës,

    fjalët tretën në mugëtirë.

    Tirana deshi paqe e miqësi

    kur shiu i shpëlau ‘97 gjurmët e së djeshmes,

    dhembja e loti mbeti po aty.

    Po, a të heshtnim më?!

    kur rrëmbeu shiu i Prishtinës,

    me ‘99 plagët e pashëruara ndër mote.

    Ia bënë me sy pranverës,

    dielli të zërë vend pas rrebeshit të shiut,

    e malli të kthehet në zjarr të pashuar.

    Si të heshtim më,

    kur pranvera akoma sjell shi?!

    Në Kodrën e Diellit mbi Tetovë,

    rritet malli për një grusht dhe të lagur,

    ku do të mbinin 2001 shpresa dashurie

    për jetë jetërash,

    s’do të rënkonte shqiptaria

    E do të vinte vera prapë te dera!