Zef Preç: “Rritja e moshës së pensionit do të dekurajonte kontributet në të punësuarit e sotëm”

744
Sigal

Specialisti i ekonomisë z. Zef Preçi flet për nevojën e racionalitetit në reformën e skemës së pensioneve

Reforma për pensionet është ende në tryezën e punës të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Por, sipas ministrit Erion Veliaj, edhe pse ende nuk ka një draft, janë hedhur disa ide se ku do të fokusohet kjo reformë. Edhe pse asgjë zyrtare mbi të cilën të diskutohet, specialisti i ekonomisë, z. Zef Preçi, përcjell, nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, pikëpamjen  e tij rreth kësaj reforme nga më të rëndësishmet e pritshme nga qeveria “Rama”. Z. Preçi mendon se, “në mjedisin tonë të politikë-bërjes, si dhe në qarqet akademike mungojnë ose janë të pjesshme analizat rreth problemeve që kanë shoqëruar dhe shoqërojnë funksionimin e skemës aktuale të sigurimeve shoqërore. Po përdor termin “probleme” dhe jo “dështim” të skemës, mbasi besoj se nuk ka dështuar, edhe pse ajo “gëlltit” shuma të konsiderueshme të shpenzimeve të buxhetit të shtetit në formën e subvencionimit të saj, për të plotësuar pamundësinë apo mosmbledhjen nga shteti të pjesës më të madhe të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore”.

 Shkaqet e problemeve të Sigurimeve Shoqërore

Ndër shkaqet kryesore të gjendjes aktuale të sistemit të Sigurimeve Shoqërore mendoj se, më kryesoret janë:
• Politikat qeveritare të paqarta, e ndoshta edhe të munguara të pagave të punës.
• Prania e një shteti të dobët në përmbushjen e funksioneve të veta kushtetuese dhe ligjore (aq sa mblidhen tatime, taksat dhe sigurimet, mund të thuhet se po aq funksionon dhe shteti).
• Dobësitë në infrastrukturën institucionale (regjistrat, databaza elektronike, etj.).
• Ndryshime të shpeshta të kuadrit ligjor në lidhje me pagat dhe pensionet, nivelet e larta të të cilave, në thelb, kanë nxitur dhe nxitin evazionin dhe korrupsionin.
• Qenia e një vendi që gjeneron rritje ekonomike pa punësim, d.m.th prania konstante e një varfërie që shtyn të punësuarit “të kënaqen” me pagesën pa siguracionet, duke kompromentuar të ardhmen në favor të së tashmes.
• Prania e sindikatave e dobët, përdorimi politik i tyre, mungesa e kulturës sindikaliste që mund të nxiste mbrojtjen më të mirë të të drejtave të punëtorëve dhe raportet ndërmjet brezave.
• Qenia e një vendi më ekonomike kapitaliste “pa rregulla loje”, d.m.th shfrytëzim i hapjes së vendit/ekonomisë së tij nga “klasa e pronarëve”, dhe mungesës së “rregullave të lojës” për të mbrojtur “klasën punëtore” (sipas terminologjisë së vjetër).
Mbështetur në këto konstatime, e në të tjera si këto, mendoj se është e natyrshme dhe e drejtë vendosja e reformimit të sistemit të pensioneve dhe skemës përkatëse të sigurimeve nga qeveria “Rama” në programin e saj të reformave. Kështuqë, mbetem i interesuar të njihem me draftin e dokumentit të përgatitur, apo që është në përgatitje e sipër. Kështu, edhe programi bëhet i njohur (deri më tani nuk di njeri të thotë se si do të jetë e ardhmja edhe në këtë fushë), por edhe idetë e ndryshme për reformën debatohen, ballafaqohen me përvojat e mira botërore dhe në rajon, shqyrtohen atlernativa të ndryshme, etj..

BB dhe FMN rekomandojnë, nuk imponojnë

Nisur nga mbulimi mediatik, thuhet se janë disa opsione në tavolinë, madje në publik disa prej tyre serviren edhe si kërkesa apo kushtëzime të Bankës Botërore… Në një këndvështrim më të gjerë, në vlerësimin tim, referencat ndaj Bankës Botërore apo FMN-së do të pëlqeja t’i merrja si mungesë vëmendjeje nga ana e mas-medias dhe përcjellje në publik e tyre pa i “përtypur” si dhe sa duhet… As njëra dhe as tjetra organizatë ndërkombëtare nuk imponon ndëshkimin e qytetarëve shqiptarë përmes prishjes së skemës ekzistuese të pensioneve në Shqipëri dhe askund në botë, por rekomandon nevojën e zvogëlimit të mbulimit me fonde buxhetore të kësaj skeme, d.m.th kryerjen e reformave që mundësojnë vetëfunksionimin e kësaj skeme si kudo në botë… As njëra dhe as tjera nuk rekomandon “ngritjen e mëtejshme të moshës së daljes në pension”, një hap ky, që nëse do të ndërmerret, do të dekurajonte kontributet në të punësuarit e sotëm, për shkak se do t’u shkurtonte ato pak vite që do të gëzonin “pa punuar”, d.m.th në pension për shkak të asaj pjese të “mundit dhe djersës së tyre” të kapitalizuar në fondin përkatës, mbi të cilin presin të marrin pensionin… Nuk po them se rritja e moshës, nëse do të ndërmerret, do të reduktojë dukshëm mundësitë e punësimit për gjeneratën e re të vendit, papunësia e pjesës së shkolluar të së cilës është rreth dy herë më e lartë se niveli i papunësisë në vend… Ndoshta këtu është vendi të analizohen shifrat për jetëgjatësinë në profesione të ndryshme “të vdekura” (d.m.th që nuk ushtrohen më prej 15-20 vjetësh), por që me zhvillimin e degëve dhe nëndegëve të ndryshme të industrisë, të shërbimeve, etj., kanë filluar të ringrihen…

Ja si të reformohet skema e pensioneve

Mbështetur në sa më sipër dhe me dëshirën e mirë që të kontribuoj sadopak në debatin publik dhe në rrethet e ekspertëve të angazhuar nga qeveria për reformimin e skemës së pensioneve, po rendis në vijim disa mendime, që gjithsesi mund të jenë objekt debati publik dhe teknik. Për kapërcimin e problematikës së krijuar në fushën e sigurimeve shoqërore dhe në mbulimin prej saj të skemës së pensioneve, mendoj se mund dhe duhet të ndërmerren një tërësi reformash, disa elemente të të cilave po i rendis këtu më poshtë, si:
• Amendim i kuadrit ligjor në drejtim të zbatimit rigoroz të detyrimit për sigurimin e të punësuarve aktualë në nivelet faktike të pagave të tyre.
• Forcim penalitetesh për shkeljet e ligjit dhe nxjerrjen e detyruar të pagesave të sigurimeve nga administrata e tatim-taksave.
• Ndërgjegjësim publik i të gjitha moshave për nevojën dhe dobinë e sigurimit shoqëror e shëndetësor.
• Identifikimi dhe përdorim i nxitësve fiskale për të punësuarit rishtazi,
• Përdorim i detyruar i pagesës së pagave, përmes bankës duke marrë mbi vete qeveria kostot e transaksioneve për këtë qëllim.
• Garantim i minimumit jetik për të gjithë qytetarët që mbushin moshën e pensionit duke marrë një vit bazë si referencë.
• Barazim i moshës së daljes në pension të fshatit me qytetin, si dhe diferencim i moshës së daljes në pension në përputhje me vështirësitë e punës/profesionit dhe jetëgjatësinë.
• Amendim i kuadrit ligjor për nxitjen e skemave alternative, përveç skemës ekzistuese të sigurimit të detyrueshëm (pay as you go) me qëllim përfshirjen e skemave private dhe mundësimin e investimeve të tyre në biznese fitimprurëse, në porositë shtetërore, etj..
• Garantimin e lehtësirave fiskale për sipërmarrjet private që punësojnë një numër të madh punëtorësh, psh përmes mbulimit për një periudhë kohe të pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga shteti, mbështetje për trajnime, ritrajnime dhe kualifikime të stafit, etj.
• Bashkërendim më i mirë i pagesës dhe përfitimeve prej saj, d.m.th reformim institucional dhe ligjor i mënyrës së trajtimit të përfituesve nga skema, apo skemat e sigurimeve shoqërore publike (ekzistuese) dhe private.
• Marrëveshje ndërshtetërore për transferimin e kontributeve të emigrantëve që punojnë e jetojnë jashtë vendit.

Drafti për reformimin e skemës së pensioneve nga qeveria paraardhëse

Diku rreth dy vjet më parë ka qenë përgatitur nga qeveria paraardhëse një draft ligji i plotë për reformimin e skemës së pensioneve në vendin tonë dhe në të kanë qenë pasqyruar edhe “rekomandimet e Bankës Botërore” njëlloj siç referohen sot. Duke qenë se nuk u avancua me shqyrtimin dhe miratimin e asaj reforme për shkaqe politike, që nuk lidhen me sektorin, çmoj se ky draft mund të risillet në tryezën e debatit në një kontekst bashkëkohor. Kështu edhe konsensusi politik mund të jetë diçka e arritshme duke ndihmuar kështu edhe në kurimin e imazhit të vendit në aspektin e bashkëpunimit maxhorancë-opozitë, por duke garantuar edhe suksesin të kësaj reforme nga më të vështirat e shtetit dhe shoqërisë së sotme shqiptare.